Analiza

Një tjetër Luftë e Ftohtë, e pakuptimtë, tani është e pashmangshme

Vasily Kashin

The Moscow Times

reaganPikat e kthesës në histori rrallëherë pranohen si të tilla nga bashkëkohësit. Edhe kur ndjek lajmet dhe ndien se diçka po shkon keq, njerëzit vazhdojnë të jetojnë përditshmërinë e jetëve të tyre. Por gjithçka mund të ndryshojë në mënyrë drastike brenda disa muajve, dhe më pas, këto ditë do të jenë vetëm një mënyre jetese të të kaluarës, në një botë të madhe dhe të hapur. Deri në fund të këtij viti, një tjetër Luftë e Ftohtë ka gjasa të bëhet një realitet i padiskutueshëm.
Rusia nuk mundet të ndërpresë ndihmën për rebelët prorusë në Ukrainën lindore, sepse kjo do të çonte në legjitimimin e qeverisë në Kiev. Ndërkohë, udhëheqësit rusë kanë arsye të fortë të besojnë që, edhe nëse i kushtojnë më pak vëmendje situatës në Ukrainë, trysnia ekonomike nga Perëndimi nuk do të ndalet për shkak të çështjes së pazgjidhur të Krimesë.
SHBA do të donte të shihte që konflikti ukrainas të përfundonte me një fitore vendimtare nga ana e Kievit kundër separatistëve dhe krijimin e një qeverie të re ukrainase. Por edhe nëse ky objektiv arrihet, ka gjasa që SHBA do të vazhdojë përpjekjet e saj për të izoluar Rusinë.
Kjo është e vetmja mënyrë për të kompensuar, të paktën pjesërisht, dëmin që incidenti i Krimesë i ka bërë influencës globale të SHBA. Të paktën disa prej sanksioneve të BE-së do të mbeten në fuqi për disa vite, padyshim edhe kur problemi ukrainas t’i përkasë tashmë të kaluarës. Heqja e sanksioneve kërkon konsensus të BE-së, dhe ky do të jetë e vështirë të arrihet pa një mbështetje nga SHBA.
Për shembull, embargoja e vitit 1989 kundër Kinës është në fuqi edhe sot, ndonëse në një moment në fillimin e këtij shekulli, të gjithë shtetet e mëdhenj europianë ishin pro heqjes së saj.
Në muajt e fundit, Rusia ka nisur të lëvizë drejt një modeli të ri mobilizues të zhvillimit, në përgjigje të kushteve të kësaj Lufte të Ftohtë. Kjo nënkupton një rishikim tërësor të politikës makroekonomike të vendit, parimeve të rregullave fiskale dhe të gjithë sistemit të marrëdhënieve ekonomike me jashtë, për të mos përmendur ideologjinë dhe politikën e brendshme.
Mund të presim që të jetojmë me këta rregulla të rinj për shumë vite që do të vijnë. Ndërkohë që SHBA dhe disa figura publike në Rusi shpresojnë se një tjetër Luftë e Ftohtë do të sjelë kolapsin e qeverisë ruse në fuqi, historia globale e përdorimit të sanksioneve dhe e gjithë historia e Rusisë tregon kotësinë e kësaj shprese. Prania e atij që perceptohet si një armik i huaj, SHBA, dhe dhuna në Ukrainën lindore kanë rritur mbështetjen e publikut për qeverinë.
Cdo rritje e trysnisë së drejtpërdrejtë të SHBA kundër Rusisë vetëm sa do të forcojë pozicionin e qeverisë ruse. SHpërbërja e Bashkimit Sovjetik erdhi jo në kulmin e antagonizmit amerikano-sovjetik në fillimin e viteve ’80, por pas normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve. Një rrezik i qartë nga jashtë ndihmoi për të mbajtur të qëndrueshëm sistemin sovjetik; zhdukja e këtij rreziku ishte një goditje e rëndë.
Janë shumë të pakta gjasat që një tjetër Luftë e Ftohtë të përfundojë në humbje të Rusisë. Një përballje e drejtpërdrejtë ushtarake ka shumë pak shanse të ndodhë, ndërkohë që trysnia politike do ta forcojë qeverinë. Sa për ekonominë, ajo do të kalojë një periudhë shumë të vështirë tranzicioni, dhe më pas do të rifillojë të rritet.
Historia tregon se Rusia, ashtu si askush vend tjetër i botës, është në gjendje të mbijetojë dhe të lulëzojë për dekada të tëra, në një gjendje mobilizimi të përhershëm. Pikërisht gjatë periudhës së gjatë si “i dëbuari” global, Bashkimi Sovjetik bëri përparimet më të mëdhenj në industri, shkencë dhe teknologji.
Në këtë drejtim, Rusia nuk është unike. Disa shtete të tjerë “të dëbuar” demonstrojnë arritje mbresëlënëse. Irani modern është një udhëheqës botëror në ritmin e rritjes së publikimeve në revistat shkencore ndërkombëtare. Eshtë gjithashtu i vetmi vend në botën islamike që ka mundur të lëshojë një satelit në hapësirë.
Megjithatë, në vitet e fundit, SHBA ka mundur të vendosë sanksione të fortë ekonomikë ndaj Iranit dhe ta detyrojë që të ulet në negociata për programin e tij bërthamor, ndonëse rezultatet potencialë pritet të jenë modestë. Megjithëkëtë, nga viti 2001 deri në 2010, ekonomia e IRanit është rritur me ritme që kalojnë ata të Egjiptit dhe Arabisë Saudite, asnjëri prej të cilëve nuk përballet me sanksione.
Rusia është po aq pak e cënueshme prej sanksioneve, sa edhe Irani. Një bllokadë totale e Rusisë, sipas modelit iranian, do të shkaktonte një tronditje në tregjet globalë të naftës dhe një valë të re të krizës ekonomike globale. Në fund, duket se Rusia do të vazhdojë të ketë mbështetjen e vendeve BRICS, sidomos Kinës.
Problemet e rritjes ekonomike për një vend në gjendje mobilizimi janë të lidhur jo me normën e asaj rritjeje ekonomike, por barazinë. Kjo lloj rritjeje ekonomike sjell çekuilibra seriozë, ashtu sikurse edhe për biznese dhe industri të shumta jokonkuruese që do të kenë nevojë t’i nënshtrohen një procesi të vështirë ristrukturimi në të ardhmen. Në fund të fundit, po paguajmë ende për fajet e prodhimit sovjetik.
Sa do të zgjasë kjo Luftë e Ftohtë Nr.2 dhe si do të përfundojë? Ka një ide të përhapur mes ekspertëve kinezë, se kriza ukrainase i ka dhënë Kinës një avantazh strategjik 10-vjeçar në përplasjen e saj me SHBA. Me shumë gjasa, është një këndvështrim shumë pranë të vërtetës.
Lufta e Ftohtë e parë ishte rezultat i kundërvënies totale të dy sistemeve. Ndërkohë, kjo Luftë e Ftohtë nr.2 është thjeshtë rezultat i interesave të SHBA dhe Rusisë që bien ndesh mes tyre. Eshtë një konflikt që ka dalë jashtë kontrolli për shkak të gabimeve politikë, arrogancës dhe mungesës së largpamësisë nga të dy palët.
Përfshirja e Rusisë dhe SHBA në një tjetër Luftë të Ftohtë shkon kundër ndryshimeve që ndodhin në ekuilibrin global të fuqive. Këta ndryshime, të lidhur me ngjitjen e shteteve të mëdhenj të Azisë, duhej që ta shtynin Moskën dhe Uashingtonin drejt një partneriteti më të ngushtë. Në një moment të caktuar, pakuptimësia e konfliktit do të bëhet e dukshme, dhe të dy palët do të ndërmarrin hapa për të normalizuar marrëdhëniet.
Paraleli historik më i përafërt është përmirësimi i marrëdhënieve mes Kinës dhe Amerikës në fundin e viteve ’60 dhe fillimin e viteve ’70. Kjo nisi pothuajse një dekadë pas ndarjes sino-sovjetike të vitit 1960, që e ktheu Pekinin në armikun më të madh të Bashkimit Sovjetik, e si pasojë një partner potencial për SHBA.
Ishte një periudhë në kohë që të dyja palëve u nevojitej, aq më shumë SHBA, për të riparë politikat e saj në Azi. Kështu që, një tjetër Luftë e Ftohtë, nuk do të zgjasë për një epokë të tërë historike, por më e pakta do të helmojë jetët e një brezi në Rsi dhe në Perëndim.
Ky koment është botuar në rusisht në Vedomosti dhe në anglisht në Moscow Times

Leave a Reply

Back to top button