Analiza

Njeriu i Davosit i bën temena Donald Trumpit

Nga Ana Palacio

MADRID – Kanë qenë disa vite konfuzë për “njeriun e Davosit” – pjesëtarët e super-elitës globale që mblidhen çdo vit në konferencën kryesore të Forumit Ekonomik Botëror, për të shqyrtuar sfidat me të cilat ballafaqohet bota. Pas disa dekadash të zhytur në kënaqësinë e pranimit të gjerë global, të rendit botëror liberal të bazuar në rregulla, ruajtësit – dhe, në shumë raste, përfituesit kryesorë – të atij rendi janë detyruar ta mbrojnë nga sulmet e profilit të lartë, më së shumti nga Presidenti i SHBA, Donald Trump. Por, në vend që të luftojnë, ata duket se po dorëzohen.

Vitin e kaluar, pjesëmarrësit në Davos ishin të tronditur në pritje të inaugurimit të Trumpit, i cili ndodhi në ditën e fundit të Forumit. Me Shtetet e Bashkuara tashmë nën udhëheqjen e një presidenti, i cili me zë të lartë shpalli pikëpamjen “Amerika e para”, ata po kërkonin dëshpërimisht për një kampion të ri të globalizimit. Ndërsa vështrimi i tyre u kthye nga Presidenti kinez Xi Jinping, nisën të shfaqen çarjet e para në angazhimin e tyre, për të vënë idetë dhe vlerat mbi volinë.

Këtë vit – viti i debutimit të Trumpit në Davos – diga shpërtheu. Para se të fillonte aktiviteti, mund të dëgjoheshin racionalizime mbi sjelljen katastrofike të Trump-it, qasjen dritëshkurtër ndaj çështjeve si tregtia, dhe impulset e tij populiste. Ajo e Trumpit nuk është një presidencë në havá, thanë ata; është thjesht pragmatiste.

Ky ndjenjë u përforcua pas fjalimit të Trumpit në Davos, në të cilin ai këmbënguli që “Amerika e para, nuk do të thotë Amerika e vetme”. Pas një viti në shkretëtirë, duke pyetur se çfarë do të bëhej me globalizmin e mirë dhe idetë neoliberale, njeriu i Davosit kishte gjetur një Yll të ri polar: pragmatizmin. Ky nuk është lajm i mirë.

Sigurisht, pragmatizmi nuk është, në thelb, një gjë e keqe. Në të vërtetë, evropianët si unë i njohin mirë rreziqet e hartimit të politikave pragmatiste të papërshtatshme. Por një sistem i bazuar ekskluzivisht në pragmatizmin – ku qëllimet justifikojnë mjetet dhe vlerat nuk kanë kuptim – nuk mund të jenë as i fortë e as i qëndrueshëm.

Një qasje pragmatiste ndaj marrëdhënieve ndërkombëtare do të ishte tejet transaksionale, me shtetet që ndjekin partneritete bazuar në volin, ku pala më e fortë do të kishte fuqi të konsiderueshme shtrënguese. Kjo nuk është mënyra për të nxitur një lloj stabiliteti afatgjatë që nevojitet për të mbështetur paqen dhe prosperitetin – objektivat që të gjithë, aq më shumë elitat e Davosit, kanë një interes të madh për t’i arritur.

Sa i përket Trumpit, e para, nuk është aspak e qartë që qasja e tij është pragmatiste. Natyrisht, ka nga ata që argumentojnë se shpërthimi i tij në skenën ndërkombëtare është punë e një biznesmeni që përpiqet të forcojë pozicionin e tij negociues, në mënyrë që të vërë në resht anëtarët e pabindur dhe të lirë të bashkësisë ndërkombëtare. Trumpi, argumentojnë ata, thjesht është duke imponuar një rregullim drejt sovranitetit, pas një periudhe të zgjatur të tejkalimi kufijsh ndërkombëtarë. Ata na thonë ta gjykojmë nga veprat, jo nga fjalët.

Pra, le të shohim veprat e tij. Pavarësisht gjithë rritjeve që ka pasur Mesatarja Industriale e Doë Jones gjatë vitit të parë të presidencës së tij (vazhdimi i një rritjeje që filloi me Presidentin Barak Obama), veprimet e Trumpit, deri më tani kanë qenë të përziera.

Shpërthimet e nxehta të Trump kanë lejuar diktatorin e Koresë së Veriut, Kim Jong-un që të paraqitet praktikisht si një paqebërës në krahasim me Trumpin – një zhvillim që mund të hapë rrugën, për atë regjim shumë të rrezikshëm, që të ruajë arsenalin e tij bërthamor në të ardhmen. Trumpi iu nënshtrua qeverisë së Izraelit duke njohur Jeruzalemin si kryeqytetin e vendit dhe duke premtuar se do të transferonte ambasadën amerikane atje vitin e ardhshëm, pa marrë mbrapsht as edhe një lëshim të vetëm.

Të dhënat e Trumpit mbi multilateralizmin ekonomik nuk janë më të mira. Kur Trumpi u tërhoq nga Partneriteti Trans-Paqësor (TPP), të cilin ai e shpalli si një “marrëveshje e keqe” për Amerikën, ai pretendoi se mund të bënte marrëveshje më të mira me secilën palë, individualisht. Në vend të kësaj, palët e tjera kanë ecur përpara pa SHBA. Tani, në vend që të ketë të forcuar pozicionin e saj kundrejt Kinës, Shtetet e Bashkuara po e shohin Kinën të vihet në lëvizje, për të mbushur vakumin që Trumpi ka lënë pas në Azi.

Po kështu, Trumpi u tërhoq me nxitim nga marrëveshja e klimës së Parisit para se të rrokte mundësinë për të formësuar rregullat e saj, duke përfshirë tarifat për panelet diellore, të cilat mund t’u kishin shërbyer interesave amerikane. Si rezultat, industria e energjisë diellore amerikane, e cila punëson mbi 250,000 amerikanë, do të vuajë, ndërsa Trumpi vazhdon të përpiqet të ringjallë një industri qymyrguri që punëson më pak se 55,000 vetë. Në rastin më të mirë, kjo është politikë; sigurisht që nuk është pragmatizëm.

Apologjetë e Trumpit do të argumentonin se po shohim veprat e gabuara. Për shembull, ai përmbushi premtimin e tij për të ulur normën e taksës mbi fitimin në SHBA, një masë që ka shtuar karburant në tregun e aksioneve në Amerikë.

Por, edhe nëse i konsiderojmë këto zhvillime si dëshmi të një pragmatizmi të caktuar, përqafimi i papritur i Trumpizmit mbart rreziqe më të thella. Një sistem i qëndrueshëm kërkon mbështetje dhe besim. Edhe nëse realiteti kurrë nuk duket ideal, ndjekja e këtij ideali shërben si një motivues i fuqishëm, që lidh aktorët e ndryshëm nëpërmjet një qëllimi të përbashkët – një qëllim që do t’u shërbente interesave të të gjithëve.

Duke tradhëtuar kaq kollaj vlerat që kanë qenë prej një kohe kaq të gjatë në themelet e rendit botëror liberal të ngritur mbi rregulla – si multilateralizmi, demokracia dhe sundimi i ligjit – servilët e Davosit kanë përhapur gënjeshtrën në të gjithë sistemin. Ky nuk është korrigjim; ky është shkatërrim. Dhe do të na dëmtojë të gjithëve. Në fund të fundit, ndërkohë që rendi botëror liberal ka nevojë për reforma, me qëllim që të përmbushë më shumë prej atyre që ka premtuar, ai mbetet shpresa jonë më e mirë.

Disa udhëheqës e pranojnë këtë. Presidenti francez, Emmanuel Macron, sa për të përmendur një shembull të spikatur, ia dedikoi fjalimin e tij në Davos, thirrjes për “një kontratë të vërtetë globale”. Por Macroni nuk e bën dot i vetëm. Të gjithë ata që besojnë në ndërtimin e një bote më të mirë përmes bashkëpunimit, duhet të ngrejnë zërin, teksa udhëheqjen duhet ta kenë atë që përfitojnë më shumë nga një rend botëror funksional. E kam fjalën për ty, njeriu i Davosit.

Bota.al. Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2018. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate – Davos Man Kowtows to Trump

Leave a Reply

Back to top button