Analiza

Njëzet vjet kaos para nesh

Putini do të mbajë këtë gjëndje, as luftë, as paqe, për një kohë sa më gjatë të jetë e mundur

Nga Alain Frachon

Screen Shot 2015-02-25 at 2.38.58 PMNë marrëdhëniet midis shteteve njihet sprapsja, frenimi, lufta parandaluese, qëndrimet mbrojtëse apo ofensive. Por ndër të tjera, Barack Obama ka shpikur një koncept të ri: “Sfidat aktuale kërkojnë durim strategjik”, shprehet ai.

Kjo është një mënyrë elegante për të shpjeguar që konfliktet e sotme nuk do të rregullohen menjëherë. Qoftë kur flitet për me Rusinë në Ukrainë, apo për trazirën e madhe në Lindjen e Mesme, duhen numëruar vitet – pa dyshim një gjeneratë e vogël.

Presidenti amerikan dëshiron të përhapë iluzionin e problemeve të zgjidhshme. Obama paraqet mendimin e tij në dokumentin e orientimit strategjik, i botuar javën e kaluar nga Shtëpia e Bardhë. Vini re: “Një numër çështjesh të sigurisë që ne ndeshim në këtë botë komplekse nuk janë të përshtatshme, as për zgjidhje të shpejta, as për zgjidhje mrekulli”. Vërejtja vlen si për teatrin e lindjes së mesme, ashtu dhe për çështjen ukrainase. Trazira që ka përfshirë botën arabe nuk zvogëlohet as në përplasjen e madhe midis dy degëve të islamit – sunitët kundër shiitëve – as me luftën kundër kësaj forme më të arrirë të xhihadizmit që është “Shteti Islamik”. Ka më shumë se kaq në lojë. Në lojë janë kufijtë e rajonit.

Eshtë një rrëmujë në ndarjen territoriale që bënë evropianët të nesërmen e luftës së parë botërore. Asnjeri nuk e di se si do të ngjasë rikompozimi – as dhe kur do të ndodhë. Por tashmë, dy nga shtetet më të forta të rajonit, Iraku dhe Siria, janë në rrugën e ndarjes. Asgjë nuk garanton që ato do të rindërtohen në mënyrë identike, shpjegon politologu Hamit Bozarslan, i Shkollës së studimeve të Larta për shkencat sociale (EHESS) në Francë.

Në “fragmentimin e jashtëzakonshëm” në vazhdim, jo vetëm shtetet janë në rrugën e zhdukjes, por edhe shoqëritë plurietnike dhe plurifetare gjithashtu, konstatonte Bozarslan gjatë një seminari të shkencave politike. Po në këtë seminar, Pierre-Jean Luizard, i Qendrës kombëtare të shkencave sociale në Francë, përshkruante një Irak të ndarë në tre entitete: Bagdadi dhe jugu i vendit i Arabëve shiitë; perëndimi i arabëve sunitë dhe i kontrolluar nga Shteti Islamik; më në fund Kurdistani në veri-lindje, entitet çdo ditë pak më autonom. Edhe Siria copa-copa, sipas linjave etniko-fetare.

“Këto shtete nuk janë të reformueshme si të tilla”, gjykon Luizard. Rregullimi i ri, ai që do të dalë nga luftërat e shumta do të marrë kohë – pa dyshim do të jetë një çështje brezash. A do të ketë akoma “Siri” dhe “Irak”, secili në një formë unitare dhe të centralizuar? Ka pak gjasa.

Tragjedia që paraqitet në fushat ukrainase është më e lehtë për t’u zbërthyer. Edhe aty, një shtet është në ndarje. Rusia aneksoi Krimenë në vitin 2014. Ajo është gati, nëprmjet vendosjes së milicëve, të ndërtojë një shtet marionetë në lindje të vendit. Ajo përpiqet nëpërmjet luftës, t’i caktojë atij mundësisht sa më tepër territor. Edhe me lëvrime armësh amerikane dhe evropiane, ushtria ukrainase nuk është në gjëndje të ndalë makinën ushtarake ruse. Kievi e di, nuk ka zgjidhje ushtarake.

Paranoja e presidentit rus, Vladimir Putin, ka një veçori që është e shpeshtë tek autokratët: ai bën atë që thotë. Ai mendon se historia, kultura dhe gjeografia e kanë vendosur përgjithmonë Ukrainën në orbitën ruse – kuptohet: nën tutelën e Kremlinit. Bashkimi Evropian, më shumë se Shtetet e Bashkuara, dha prova të një marrëzie strategjike duke i propozuar Ukrainës një partneritet, pa asociuar në një mënyrë apo në një tjetër Rusinë.
Por cilido qoftë interpretimi që i jepet ngjarjeve të sheshit Maidan, Kiev, në vitet 2013 dhe ­2014, rezultati përfundimtar është i qartë. Një shumicë e Ukrainasve, me rastin të paktën të tre zgjedhjeve të lira, ka konfirmuar dëshirën e tij të kthehet drejt BE-së.

Vladimir Putini nuk e pranon. Në marrëveshjen tregtare që Kievi përfundoi me Brukselin, ai sheh fillimin e një procesi anëtarësimi të Ukrainës në BE. Kjo parafytyronte hyrjen e Ukrainës në NATO – që në të gjitha dokumentat strategjike të Kremlinit, ajo paraqitet si kundërshtari numër një i rusëve. Pak rëndësi ka që një evolucion i tillë të jetë në rendin e ditës. Presidenti rus sheh aty një përpjekje të përbuzshme rrethimi, që synon ta pengojë Rusinë e shenjtë të ribëhet fuqia e madhe që ajo ka prirjen të jetë, qysh prej fillimeve të kohërave. Ai do të mbajë këtë gjëndje, as luftë, as paqe, mundësisht sa më gjatë. Ai do të nënshkruajë armëpushime për t’i shkelur ato pak më vonë.

Një mur i ri është ngritur në Evropë: vija e demarkacionit që ndan territoret e prorusëve me ata që kontrollon Kievi. Mënyra më e sigurt për ta fshirë atë vijë atë është të garantohet ajo që mbetet nga Ukraina: një sukses ekonomik që bën të zbehen nga zilia ata që janë në “anën tjetër”. Kjo na kujton diçka. Kjo kërkon kohë dhe vendosmëri – “durim strategjik”, siç thoshte Obama. /Le Monde/

Leave a Reply

Back to top button