Histori

NOBEL / Debati, i vjetër sa vetë Çmimi

nobelprizeKur udhëheqësi i Organizatës për çlirimin e Palestinës, Jassir Arafat, në vitin 1994 mori çmimin Nobel për Paqe së bashku me Jitzhak Rabinin, kritika nuk erdhën vetëm nga hebrejtë. Burri me shallin palestinez dhe me këllëfin e pistoletës u nderua për përpjekjet për paqe në Lindjen e Mesme. Vite më vonë, kur dështuan bisedimet për një shtet të pavarur palestinez në Camp David, presidenti i atëhershëm Bill Clinton ia vuri fajin vetëm Arafatit. Udhëheqësi i palestinezëve mbeti gjatë gjithë jetës së tij, një personazh i diskutueshëm. Sipas FMN-së nën udhëheqjen e tij, si shef i autoriteteve autonome palestineze, u zhdukën prej korrupsionit miliona nga fondet e ndihmave dhe madje u shpërdoruan për mbështetjen e aktiviteteve terroriste. Arafati vetë u distancua krejtësisht nga terrorizmi, së paku në vitet e fundit të jetës. Si në këtë intervistë të gushtit 1997. “Ne jemi kundër terrorizmit dhe mbështesim bashkësinë ndërkombëtare në përpjekjet e saj për të mbrojtur procesin e paqes në Lindjen e Afërt.”

Lufta dhe paqja

Henry Kissinger nuk ka qenë si person kaq i diskutueshëm sa Arafati. Por dhënia e çmimit Nobel Kissingerit nuk ka qenë më pak kontroverse se sa rasti i udhëheqësit të palestinezëve. Këshilltari për sigurinë i presidentit Nikson u nderua në vitin 1973 për përfundimin e luftës në Vietnam. Më parë kjo luftë ishte acaruar edhe një herë nën administratën e Niksonit. Me Kissingerin së bashku u nderua vietnamezo-veriori Le Duc Tho. Ai e refuzoi çmimin, me arsyetimin se në vendin e tij nuk ka akoma paqe. Dhe me të vertetë lufta përfundoi vetëm në maj 1975, me pushtimin e Saigonit nga vietnamezoveriorët.

Si diplomat dhe politikan për çështjet e sigurisë Kissinger edhe në vitet e mëvonshme gëzoi autoritet, megjithëse besnikëria e tij ndaj Niksonit dhe përfshirja në skandalin Watergate i mbeti një njollë e përhershme. Kissinger shprehet në lidhje me Niksonin: “Niksoni kuptonte më shumë nga politika e jashtme, se asnjë president amerikan i kohë së pasluftës.” Vangari Maathai në vitin 2004 qe e para grua afrikane, që u nderua me çmimin Nobel. Aktivistja për mbrojtjen e ambjentit kishte luftuar kundër shpyllëzimit të pyjve pranë kryeqytetit kenian Nairobi dhe kundër korrupsionit.

“Po të bëhej fjalë me të vërtetë për dhënien fund të korrupsionit, sepse ai i bën dëm vendit tonë dhe imazhit tonë, përse nuk e bëjmë atëherë? Ne nuk na duhen për këtë para, as ndonjë përgatitje speciale, vetëm përpjekje në nivel kombëtar”, tha ajo.

Kërkesa të tilla në skenën ndërkombëtare i siguruan kenianes simpati të mëdha në mbarë botën. Kritikë të madhe pati nga ana tjetër për thëniet e saj, se virusi i sidës është përgatitur në laboratoret perëndimore për zhdukjen e racës së zezë. Në vendlindjen e saj Kenia Wangari megjithë çmimin e lartë, që mori, mbeti çuditërisht e papëlqyer. Në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në dhjetor 2007 ajo dështoi në zonën e saj elektorale, karriera e saj politike u shua.

Edhe dhënia e çmimit Nobel Barack Obamës, pak muaj pas ardhjes në detyrën e Presidentit të SHBA, shkaktoi në vitin 2009 habi në mbarë botën, edhe tek ai vetë. “Jam i befasuar nga vendimi i komitetit të çmimit Nobel dhe dua të nënvizoj me modesti, se unë çmimin nuk e konsideroj si vlerësim të rezultateve të mia, por si vlerësim të forcës udhëheqëse të Amerikës në realizimin e ambicieve, që ekzistojnë në të gjitha kombet”, tha Obama.

Vëzhguesit mendojnë se çmimi iu dha Obamës duke mbajtur parasysh sukseset, që ai do të arrinte në të ardhmen në çarmatimin dhe kapërcimin e konfliktit në Lindjen e Afërt dhe diku tjetër në botë.

Presidenti Obama mund ta ketë marrë çmimin si nxitje. Laureatë të tjerë, si bashkëatdhetarja e tij Jody Williams, që u nderuan 1997 për angazhimin në favor të ndalimit të minave, e ndjenë nderimin më shumë si ngarkesë. Edhe laureati i vitit 2008, diplomati finlandez Martti Ahtisaari, e di se për çka flet, kur thotë: “Tendenca është, që nuk ka problem në këtë botë, për të cilin laureatit të çmimit Nobel, të mos i kërkohet ta përdorë emrin e tij në çdo fushatë.”

Leave a Reply

Back to top button