Letersi

NOBELI I LETERSISE / Kufij të papërcaktuar

Njëzet e tetë vjet pas Jozef Brodskit, çmimi Nobel për letërsi, rikthehet tek një shkrimtar i gjuhës ruse. Por në Rusi ky lajm nuk shkaktoi reagime unanime. Menjëherë filloi të diskutohet, nëse Svetllana Aleksieviç është apo nuk është një shkrimtare ruse. Para Jozef Brodskit, një tjetër “i yni” i nderuar me këtë çmim, ishte Aleksandër Solzhenicin.

Screen Shot 2015-10-18 at 13.35.48

Pas marrjes së Çmimit Nobel ai u dëbua nga vendi, ndërsa Brodski e fitoi çmimin kur tashmë kishte emigruar në Shtetet e Bashkuara. Svetllana Aleksieviç, edhe pse ka punuar për një kohë të gjatë në Evropë, aktualisht jeton në Bjellorusi dhe shkon shpesh në Rusi. Ndërsa i kundërvihet haptazi pushtetit, qoftë bjellorus apo rus, ajo është një shkrimtare e hapësirës post-sovjetike.

Përparësia e dokumentimit

Aleksieviç nuk shkruan romane, ajo është një “shkrimtare dokumentaresh”. Që Çmimi Nobel ka shkuar tek ajo, kjo është diçka e rëndësishme jo vetëm për botën rusisht-folëse, por edhe për historinë e letërsisë botërore, për shkak se është e rrallë që autorët dhe shkrimtarët si ajo të marrin një mirënjohje të ngjashme.

Librat e saj janë dëshmi e një strukture komplekse, flasin me zërin e njerëzve të zakonshëm, të mbetur në periferi të historisë zyrtare, janë plot me data, fakte dhe emra politikanësh. “Unë kompozoj botën e librave të mi, duke filluar me mijëra zëra, opinione dhe pjesë të jetës sonë të përditshme. Për të shkruar një libër më duhen nga 4-7 vjet. Takohem me qindra njerëz, bisedoj me ata dhe i përshkruaj.

Kronika ime përfshin dhjetëra breza. Ajo fillon me tregimet e atyre që kujtojnë revolucionin, të shkuarën nëpër kampet e luftës dhe ato të përqendrimit staliniste, duke mbërritur deri në ditët e sotme. Gati një shekull. Kjo është historia e shpirtit rus, ose për të qenë më të saktë e shpirt post-sovjetik”- shkroi Aleksieviç, duke folur për metodën e saj krijuese.

Librat e saj më të rëndësishëm, kanë të bëjnë me luftën. Me Luftën e Dytë Botërore, luftën në Afganistan. Ajo shkroi ndërkaq një libër në lidhje me tragjedinë e Çernobilit, që në mënyrë metaforike e cilëson si një luftë:atë të njeriut kundër të panjohurës. “Kemi luftuar përherë, dhe gjithmonë jemi të gatshëm për luftë. Nuk kemi jetuar kurrë në ndonjë mënyrë tjetër, dhe nuk e kuptuam kurrë sesa të zhytur ishim në këtë punë. Heronjtë tanë, idealet, vizioni ynë mbi jetën, të gjitha janë të shenjuara nga lufta”.

Aleksieviç është akuzuar për falsifikim të historisë dhe përdhosje të miteve, ndërsa kritikët sovjetikë e hodhën  poshtë si pacifiste. Në vitin 1989, pas publikimit të librit “Fëmijët prej zinku”, nënat e ushtarëve të vrarë në Afganistan e hodhën në gjyq për shpifje.

Reagimet fillestare ndaj çmimit Nobel, tregojnë se qëndrimet ndaj shkrimtares janë të kundërta. Shumë vetë pohojnë se çmimi shkoi tek ajo për arsye politike, dhe se në fakt ajo nuk të shkruajë. Në të vërtetë Aleksieviç kufizohet të bisedojë me njerëzit dhe të mbledhë historitë e tyre.

Por disa dekada më pare, të interesoheshe për njerëzit e zakonshëm, cilësohej si një punë e vlefshme. Komentatorë të tjerë, të cilët pranojnë se nuk i kanë lexuar librat e tij, e denoncojnë pse ajo “e urren Rusisë”, e njëjta akuzë që iu drejtua dikur edhe Boris Pastërnakut.

Screen Shot 2015-10-18 at 13.35.57

Në vitet e Perestrojkës, librat e Aleksieviç, kishin një tirazh prej miliona kopjesh. Sot pesë romanet e saj janë botuar me një tirazh prej rreth 20 mijë kopjesh. Në këtë kohë, patriotizmi vulgar shet më shumë, se sesa përpjekja për të kuptuar se si jetojnë në fakt njerëzit. Libri i saj i fundit “Koha e dorës së dytë” (2013), është përkthyer në bjellorusisht -por me një tirazh prej vetëm 500 kopjesh.

Çmimi Nobel, që në Rusi akuzohet se është shumë i politizuar, (kryesisht Çmimin Nobel për Paqe dhe ai për letërsinë), do të thotë të bëhesh akoma më i rëndësishëm në sytë e shoqërisë dhe pushtetit. Bëhet fjalë për një faktor të rëndësishëm, sidomos kur ai që e fiton çmimin prestigjioz, është një person si Aleksieviç, që rreshtohet hapur kundër retorikës zyrtare.

Zëri i shkrimtares nuk është kundërshtues, për shkak se gjatë takimeve me lexuesit, lëshon akuza të ashpra në drejtim të Putinit dhe Llukashenkos:janë romanet-rrëfimtare të saj, ato që kundërshtojnë mesazhin kryesor të shtetit sovran, sipas të cilit vuajtjet e përjetuara nga popullsia, do ta forcojnë kombin.

Në fakt e dobësojnë, deri sa e zhdukin atë krejtësisht. Svetllana Aleksieviç, thotë se duke mbledhur dëshmitë e qindra njerëzve të zakonshëm “filloi të mendojë se vuajtja e çimenton aq shumë shpirtin e njeriut, deri në pikën e moszhvillimit të tij. Për zhvillimin e njerëzimit, janë kushte të domosdoshme të jetës së lumtur, normale”.

Kundër gjumit të arsyes

Kemi sigurisht të bëjmë me një pacifiste, një term që sot në vendin tonë është thuajse i ngjashëm me atë të tradhtarit. Në botën e sotme, ekziston një nevojë e fortë për një këndështrim femëror kundër luftës, për të shërbyer si një kundërpeshë ndaj retorikës brutale ushtarake, e cila i drejtohet jo “interesave kombëtare”, por problemeve dhe ndjenjave të njerëzve të thjeshtë, që janë viktima e parë e mbrojtjes së këtyre “interesave”.

Ende pa marrë në dorë çmimin, në rrjete sociale filluan diskutime të zjarrta, në të cilat kërkohej shpjegime se çfarë lidhje ka Aleksieviç me Rusinë. Shkrimtarja ka lindur në Ivano-Frankivskun e sotëm në Ukrainë. Ajo ka studiuar dhe jetuar në Bjellorusi. Gjatë viteve të fundit, ka punuar nëpër Evropë. Bëhet fjalë për një reagim indikativ.

Nga njëra anë, këtu tek ne nuk bëhet gjë tjetër veçse flitet për “botën ruse”, e kuptuar si bashkësia e të gjithë rusish-folësve, të cilët historia i ka dënuar të jetojnë në territore të ndryshme. Por sapo një person, që e mishëron këtë botë merr një çmim mirënjohjeje që i kapërcen kufijtë kombëtarë, ne bëjmë çdo gjë që është e mundur për t’i vendosur një etiketë:shkrimtare bjelloruse, e lindur në Ukrainën Perëndimore, dhe kështu me radhë.

Në fakt Svetllana Aleksieviç, ka lindur dhe jeton në territorin e ish-Bashkimit Sovjetik, dhe gjatë gjithë jetës së saj ka biseduar me bashkëatdhetarët e saj, duke shkruar për ta në gjuhën ruse. Në një kuptim, si shumë të tjerë të lindur në Bashkimin Sovjetik, ajo nuk e vuri kurrë re faktin se kishte ndryshuar vend.

Që në rreshtin e saj të parë, ajo nuk e tradhëtoi kurrë llojin e romanit-rrëfimtar, dhe as heronjtë e saj: “Prej më shumë se 40 vjet unë shkruaj të njëjtin libër. Në fakt rishkruaj një kronikë ruso-sovjetike: revulocionin, gulagët, luftën, Çernobili, shembja e perandorisë së kuqe. Nuk kam bërë gjë tjetër, veçse kam ndjekur gjurmët e lëna nga epoka sovjetike. Kundër sfondit të një deti me gjak, dhe një varri masiv gjigand”.

Sikurse e përsërit shpesh edhe shkrimtarja “populli ynë i ka rezistuar kampeve të përqëndrimit me shumë më tepër dinjitet, sesa i kam rezistoi dollarit amerikan”. Mesa duket, shoqëria ruse është gjithnjë e më pak e gatshme për të njohur provat, që dokumentojnë faqet më të vështira dhe më të pista në historinë e saj, duke preferuar në vend të saj mitet dhe gjumin ngushëllues të arsyes.

“Gazeta” (Rusi) – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button