Analiza

Nuk është një surprizë

Prej kohësh në Tunizi zien galaksia ekstremiste, e përbërë në pjesën më të madhe nga veteranë të xhihadit. Në veprim degët e Al Kaedës dhe ISIS-, si dhe radikalët e Ansar al Sharia

Guido Olimpio

Screen Shot 2015-03-18 at 17.38.57Zjarri tunizian digjet prej kohësh dhe sulmi në muzeun e Bardos nuk është surprizë. Autoritetet i druheshin surprizave dhe në këta muaj i kanë shtuar operacionet me një duzinë arrestimesh, grumbullimesh në kufi, kontrollesh masivë. Por nuk ka mjaftuar. Shumë e fortë prania e militantëve të dhunshëm, ashtu sikurse është shumë pranë edhe vullkani libian.

Veteranët e xhihadit

Qeveria, prej kohësh ka tërhequr vëmendjen për rrezikun që paraqesin veteranët e xhihadit. Llogaritet se janë nisur për në Irak dhe Siri afro 2400 vullnetarë xhihadistë (vlerësime të tjerë flasin për 3 mijë) dhe shumë prej tyre janë kthyer, duke shtuar radhët e ekstremistëve. Kërcënimi vjen nga disa fronte. Eshtë grupi Okba bin Nafi, i lindur nga një degë e Al Kaedës në tokën e Maghrebit, protagonist i shumë sulmeve kundër ushtarëve dhe policisë. Janë “radikalët” e Ansar al Sharias, mes tyre disa terroristë të njohur edhe në Itali ku janë ndaluar për periudha të gjata kohe në vijim të hetimeve të magjistraturës italiane. Më tej janë celulat në lindje të ISIS, të forcuara me elementë që janë stërvitur në fushëbetejat e Sirisë dhe të tjerë të ardhur nga Libia, ku kanë gjetur mikpritjen e militantëve vendas. Ekstremistët kanë goditur fort në rajonin e Kasserines, por edhe kanë ndërtuar grupe zjarri në qytet.

Precedentët

Terroristët tunizianë vrasin agjentë, dy eksponentë të spikatur të politikës lokale (Mohamed Brahmi dhe Chokri Belaid) si dhe ushtarë. Disa të ekzekutuar në mes të rrugës, të tjerëve u është prerë koka dhe janë varur në rrëzë të një mali. Kufijtë porozë, trafiqet tradicionalë të armëve dhe kontrabanta janë bërë aleatë të vyer të vrasësve. Po kështu, afërsia me krizën libiane ka shërbyer si spondë. Të hënën ishte “festuar” vrasja në Sirte e Ahmed al Ruvaysi, alias Abu Zakarya al Tunisi: ishte i kërkuar për vrasjen e Brahmit dhe Belaidit dhe u vra gjatë një përplasje të armatosur.

Objektiv “i butë”

Në fund një detaj për vetë operacionin. Atentatorët kanë ndjekur mënyrën e veprimit tradicionale duke marrë në shënjestër një objektiv “të butë” – si turistët në muze – por kanë vepruar në qendër të Tunizit. Ndoshta kishin në mendje të godisnin edhe Parlamentin. Marrja e pengjeve u shërbeu për të siguruar një mbulim mediatik të zgjatur. Ekziston frika se ky është vetëm fillimi./CdS/

www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button