Ekonomi

Nuk ka të ndalur rënia, Euro vendos rekord të ri. Panik në treg

Nuk ka të ndalur rënia, Euro vendos rekord të ri. Panik në treg

Rënia e euros nuk ka të ndalur. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye sot me 129.05 lekë, me një rënie ditore prej 0.88 lekësh. Sëbashku me nënçmimin e djeshëm prej 0.93 lekë, kjo është rënia më e madhe dy ditore të paktën vitet e fundit. Ky është niveli më i ulët që nga 21 korriku i vitit 2009.

Një vit më parë, në të njëjtën datë, një euro këmbehej me 135.88 lekë.

Në rënie ka qenë dhe gjithë shporta e monedhave të tjera, ku sërish përjashtim ka bërë forinta hungareze. Dollari ka zbritur në 105.5 lekë, nivel i ulët krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur ishte 127.5. Rënia e dollarit është më e fortë. Monedha e gjelbër ka zbritur në nivelin më të ulët që nga gushti 2014.

Aktorët e tregut pohojnë se arsyet mbeten të njëjta, oferta e lartë në valutë dhe kërkesa e dobët për monedhën vendase. Rritja e shitjeve të banesave, që bëhen kryesisht me euro ka rritur ofertën në treg, pasi ndërtuesit këto euro i konvertojnë më pas në lekë për të bërë pagesa të ndryshme.

Nga ana tjetër, rënia e vazhdueshme e euros ka krijuar panik në treg dhe po nxit ata që kanë euro që t’i nxitojnë t’i kthejnë ne lekë.

Ekspertët pohojnë se me këtë që po ndodh është e vështirë që të bëhen parashikime për të ardhmen.

Edhe bankierët kanë pohuar ditën e djeshme se arsyeja kryesore e kësaj situate lidhet me ofertën e lartë të euros në tregun vendas. Edhe pse Banka e Shqipërisë ka blerë euro së fundmi për nevojat e saj të rezervave valutore, kjo nuk ka ndikuar në frenimin e euros. Ata kanë pohuar se nuk ka tendencë të dukshme të konvertimit të depozitave nga euro në lekë. Sipas tyre, leku pritet vetëm të vlerësohet, përveçse ndodh ndonjë gjë e jashtëzakonshme. Disa transaksione të mëdha këmbimi nga euro në lekë pritet të ndikojnë kursin në vijim.

Nga ana tjetër, me afrimin e verës oferta për valutë pritet të rritet, nga prurjet e emigrantëve dhe turistëve, që këtë vit pritet të jenë më të shumtë në numër./Monitor

Leave a Reply

Back to top button