Analiza

Obama dhe tabuja e fundit. Rikthehet makthi i Vietnamit

ushtare amerikane

Shtatë ditë kanë mjaftuar për të zhdoganuar fjalën “luftë”. Eshtë me të vërtetë një luftë në kuptimin e plotë të fjalës ajo e Amerikës kundër Shtetit Islamik në Siri dhe Irak: Pentagoni nuk përjashton më përdorimin e trupave nga toka edhe në vijën e parë, në operacionet e luftimit në ata fronte. Lajmërimi është i jashtëzakonshëm. Bie ndesh me atë që Obama kishte premtuar, duke folur solemnisht përpara Kongresit jo më larg se një javë më parë: “Nuk do të ketë çizme amerikane në terren, kjo nuk do të jetë një luftë, do të dërgoj vetëm këshilltarë ushtarakë, stërvitës, si dhe avionë gjuajtës e bombardues”, deklaronte presidenti.
Kanë mjaftuar shtatë ditë për të nxitur logjikën e përshkallëzimit? Shefi i Shtabit, gjenerali Martin Dempsey ishte i pari që lëshoi këtë “bombë” politike, duke iu drejtuar Senatit, në krah të Sekretarit të Mbrojtjes, Chuck Hagel. Shtëpia e Bardhë ka frenuar menjëherë dhe një zëdhënës ka folur për “skenarë hipotetikë”. Por ajo e Dempseyt është një tollumbace e fryrë, me pasoja të rënda. “Sulmet nga ajri – thotë gjenerali – janë strategjia e duhur. Por nëse në një moment do të konsideroja të domosdoshme që ushtarët tanë t’u bashkoheshin trupave të ushtrisë irakene, për të goditur objektiva specifikë të Shtetit Islamik, atëherë do të shkoja tek presidenti për t’i rekomanduar një dërgim të trupave tona në terren me detyra luftimi”. Dempsey ka saktësuar se me shumë gjasa do të bëhej fjalë për trupa të Special Operations Command, repartet elitë të stërvitur për misione me rrezik të lartë prapa vijave të armikut.
Ka shtuar gjithashtu se një detyrë e tyre mund të ishte “udhëheqja nga toka” e sulmeve ajrorë amerikanë në mënyrë që objektivat për t’u goditur të pikasen me saktësi maksimale. Deklarata e tij i shtohet hipotezës së hedhur nga Britania e Madhe për të dërguar forca sulmi, me detyrën për të çliruar pengjet anglezë dhe eleminuar xhihadistët që u kanë prerë kokën të burgosurve.
Përpara Obamës ka një spektër: “mission creep”, termi me të cilin nga Vietnami e këtej quhet rrëshkitja progresive e misioneve ushtarakë, nga dërgimi i këshilltarëve tek përfshirja e trupave gjithnjë e më të shumta. Marrja e pozicionit nga ana e Pentagonit sinjalizon një ofensivë të re të fajkonjve amerikanë. Po këta udhëheqës ushtarakë kishin bindur Obamën në vitin 2010 që të autorizonte një përshkallëzim në Afganistan. Obama ishte më i papërvojë, nuk kish mbërritur ende në gjysmën e mandatit të parë, presioni mbi të nga ana e udhëheqësve ushtarakë kish qenë i madh. E megjithatë, në atë rast presidenti kishte vendosur si kundërpeshë një datë-kufi brenda të cilës do të kish nisur tërheqja. Ndërsa tani, sulmi ndaj xhihadistëve duket “open ended”, një mision që nuk ka një horizont të saktë, një datë skadimi.
Për të rithithur drejt një lufte të vërtetë presidentin që ishte zgjedhur për të risjellë në shtëpi trupat nga Iraku dhe Afganistani, ka kontribuar në mënyrë vendimtare çështja e prerjes së kokave. Në perceptimin e opinionit publik amerikan, të gjithë sondazhet konfirmojnë se filmimet me ekzekutimet e gazetarëve kanë qenë një pikë kthese, një përmbysje e papritur në favor të veprimit ushtarak. Tani ata ritualë mizorë mund të vazhdojnë në mënyrë të rregullt, duke patur parasysh numrin e pengjeve në duart e xhihadistëve, duke ushtruar një presion të padurueshëm mbi Obamën. Nuk pushojnë akuzat e familjes së James Foleyt, prindërit vazhdojnë të thonë se gazetari amerikan “u braktis nga qeveria”. Presidenti i akuzuar se nuk ka një strategji nga ana e kundërshtarëve të tij në të djathtë, nuk dëshiron të japë një imazh pavendosmërie apo dobësie. Dje, fraza e gjeneralit Dempsey u “provokua” nga një akuzë e Senatorit John McCain: “Si mendoni të mposhtni 30 mijë xhihadistë të Shtetit Islamik, me 5000 kundërshtarë sirianë të stërvitur keq?” Shefi i Shtabit ka dashur të saktësojë se ndërhyrja e ushtarëve amerikanë në terren “nuk është pozicioni aktual i Obamës. Presidenti më ka kërkuar që të kthehem tek ai herë pas here, rast pas rasti, nëse situata do të ndryshojë”.
Deklarata tronditëse e gjeneralit Dempsey erdhi në fund të një dite të mbushur me sinjale konvergues. Vetë Pentagoni ka shpallur dje zyrtarisht fillimin së shpejti të bombardimeve të shtrirë edhe në territorin sirian. Edhe sulmet e 48 orëve të fundit nga ana e forcës ajrore në Irak kanë shënuar një rritje në cilësi. Tani është luftë e hapur, në të gjithë frontet, edhe pse mbi fjalën “luftë” vazhdon një balet i habitshëm: herë pas here shfaqet ose zhduket në deklaratat e Obamës, të zëvendësit Joe Biden, apo zëdhënësve respektivë. Në frontin e kundërt, për amerikanët një sinjal alarmi është rrëzimi prej Shtetit Islamik të një avioni gjuajtës të aviacionit sirian, që fluturonte mbi Raqqa. Eshtë një prej mënyrave me të cilën militantët xhihadistë mund të tërheqin Amerikën në luftë: nëse arrijnë të rrëzojnë një avion të SHBA apo të kapin një prej ushtarakëve të forcave speciale. US Air Force ka sigurisht një superioritet teknologjik mbi kundërshtarin, të pakrahasueshëm me aviacionin e Assadit. Por nuk mund të përjashtohet më e keqja.
Përhspejtimi i ngjarjeve ushtarake ka ndodhur pak orë pas konferencës së Parisit, ku Amerika ka mundur të paraqesë një aleancë të gjerë, që shtrihet nga shtetet e mëdhenj të NATO-s, deri tek shtete të ndryshëm arabë. Pjesëmarrja e gjerë e shteteve arabë përbën një sukses diplomatik për Obamën, por edhe vë theksin në faksin që perceptimi për rrezikun e IS-it është rritur dramatikisht në të gjithë Lindjen e Mesme. /Repubblica/
Përgatiti: www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button