Histori

OKB, misteri i fundit i Luftës së Ftohtë: Ja kush e vrau liderin e preferuar

Avioni në të cilën udhëtonte Dag Hammarskjöld, u rrëzua mbi Kongo në vitin 1961. Tashmë janë zbuluar provat se pas këtij aksidenti, pati një atentat të mirë-organizuar

Screen Shot 2015-05-01 at 19.13.45

Ishte nata mes 17 dhe 18 shtatorit 1961. Zhurma e 4 motorrëve të avionit DC-6 ishte mekur: avioni po humbiste lartësi. Moti ishte i mirë, gjysma e Hënës ishte në rënie, në drejtim të një horizonti lehtësisht të dukshëm. Poshtë ishte një errësirë e plotë pus i zi, siç është gjithmonë Afrika në mes të natës, dhe për këtë arsye, ndriçimi i aeroportit ishte edhe më i dallueshëm.

“Shoh dritat tuaja, Ndola, ne po ulemi në pistë” – njoftoi piloti kullën e kontrollit, 10 minuta pas mesnate. Në bord, heshtje, tension. Përveç anëtarëve të ekuipazhit, të gjithë suedezë, në bordin e avionit gjendeshin edhe 10 pasagjerë, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, me një pjesë të vogël të bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë.

Në Ndola, asokohe Rodezia Veriore, dhe sot Zambia, e priste një takim vendimtar me kreun e rajonit separatist të Katangas, zonë e pasur minerare e Kongos. Lufta civile ishte përndezur në Kongo, por Moise Ciombe, i lidhur me fije të dyfishta me kompanitë evropiane dhe amerikane të minierave, kishte dhënë sinjale se ishte i gatshëm për të biseduar.

Sekretari i Përgjithshëm pa një shpresë për paqe. Duke zbarkuar në Leopoldville, kryeqyteti i Kongos (tani Kinshasa), dhe folur me një nga bashkëpunëtorët, kishte përmendur edhe një herë pasionin e tij për mistikët mesjetarë: “Dashuria, për ta – i kishte thënë – ishte ajo tepricë energjie, me të cilën ata ndiheshin të mbushur, kur zgjodhën të jetojnë duke harruar vetveten”.

Avioni DC-6 nuk arriti kurrë në Ndola, as nuk pati komunikime të tjera me kabinën në kullën e kontrollit. Një polic dëshmoi se atë natë kishte parë një shkëlqim në qiell, por drejtori i aeroportit ia mbylli shpejt gojën, duke deklaruar se, “aeroplanët e VIP-ave nuk rrëzohen asnjëherë”. Pjesët e shkatërruara të avionit u zbuluan rreth orës 3 të pasdites së 18 shtatorit, më pak se 15 kilometra larg nga pista.

Kështu vdiq suedezi Dag Hammarskjöld, Sekretari më i famshëm i Përgjithshëm që kanë patur ndonjëherë Kombet e Bashkuara. Një intelektual, besimtar, asket, një hero i vërtetë civil. Ai që gjatë një letre, duke përmendur shpërthimin e një tjetër krize ndërkombëtare, shkroi: “Këtu bëhesh ose cinik, ose serioz”. Dhe shkrimtarit Xhon Shtajnbek, ia pati shpaguar në këtë mënyrë punën e tij: “Të ulesh dhe të flasësh me njerëzit. Kjo është gjëja më e rëndësishme”. Një njeri i aftë, që në botën e ndarë më dysh nga Lufta e Ftohtë, diti të qëndrojë me kokën lart, përballë fuqive të mëdha bërthamore, në emër të idealit të paqes dhe jo vdekjes. Kanë kaluar 54 vjet, dhe ajo që dukej se do të mbetej një ngjarje e errët në faqet e librave të historisë, ka bërë sërish lajm. Duke u konfirmuar si misteri më i madh, ende i pazgjidhur i Luftës së Ftohtë, OKB-ja vendosi të rihapë një hetim zyrtar mbi rrëzimin e avionit.

Me kalimin e viteve, pati të paktën dy hetime të tjera. E para u krye nga autoritetet koloniale britanike, sepse Rodezia në atë kohë ishte pronë e Madhërisë së Saj, të Mbretësisë së Bashkuar, Elisabetës. “Gabimi i pilotit” – ishte ky përfundimi i hetimeve në vitin 1962, por pa paraqitur megjithatë asnjë provë për ta mbështetur këtë tezë. Hetimi tjetër, i ndërmarrë nga vetë Kombet e Bashkuara, përfundoi me një vendim shumë më të hapur.

Nuk mund të përjashtohet asnjë hipotezë, tha komisioni ndërkombëtar, por as nuk konfirmojmë ndonjërën, pasi nuk ka prova. Që nga fillimi kishte patur thashetheme dhe teori, mbi një komplot të mundshëm. Mes tyre nuk mungonte edhe një motiv për të vrarë Dag Hammarskjöldin. Askush më mirë se ai nuk kishte mishëruar, në 70 vitet e ekzistencës së OKB-së, idealin e një pushteti të pavarur dhe mbikombëtar, që përpiqej t’i imponohej si shteteve të vogla, ashtu edhe fuqive të mëdha. Hammarskjöldi nuk ishte njeriu i askujt, as i ndonjë gruaje, dhe as i një qeverie.

E urrenin sovjetikët, që orkestruan një fushatë ndërkombëtare shpifjesh, duke pretenduar se ai ishte homoseksual (në atë kohë, një akuzë e pafalshme për një figurë publike). Por në krizën kongoleze, Dag e kishte vendosur OKB-në në anën e qeverisë legjitime, e cila mbështej nga blloku komunist. Prandaj edhe ishte i urryer, po aq edhe nga sponsorët e shkëputjes së Katangës: CIA dhe shërbimet e tjera sekrete perëndimore, Belgjika, kompanitë minerare, dhe mercenarët evropianë.

Gjatë viteve të fundit, studiuesit e pavarur kanë zbuluar shumë gjëra. Tashmë është e sigurtë se CIA dhe Agjencia e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, por dhe Shërbimi Inteligjent Britanik, zotërojnë ndonjë informacion të klasifikuar. Amerikanët kishin në Qipro një qëndër komunikimi me radio, që mbulonte një pjesë të mirë të hapësirës ajrore afrikane.

Për më tepër, natën e tragjedisë, dy avionë DC-3, ishin të parkuar në pistën e Ndolas, me motorët e ndezur, mesa duket me të vetmin qëllim për të gjeneruar energji elektrike që të mund të dëgjoheshin komunikimet e radios. Amerikanët e dinë. Atë natë, mesa duket, kishte një tjetër avion mbi aeroportin e Ndolas. Dhe sipas dëshmitarëve, shumë lëvizje në terren. Ushtarë, mercenarë, forcat më të errëta të kolonializmit evropian.

Hetimi më i ri do të ketë në dispozicion informacione të papublikuara më parë, për të zbuluar nëse Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara ishte apo jo viktimë e një kurthi. Në çdo rast, ai ishte gati. Në një poezi të shkruar pranverën para ngjarjes kishte shkruar: “Për ata që pyesin, nëse kam guximin / për t’i shkuar deri në fund / përgjigjja ime / është e pakthyeshme”. /Bota.al

Leave a Reply

Back to top button