Histori

Orakulli politik i Aleksandrit të Maqedonisë

Për të pushtuar botën, luftëtari i madh kishte nevojë për një legjitimim hyjnor. E gjeti në një oaz të humbur në shkretëtirën egjiptiane

Screen Shot 2015-07-07 at 09.59.19

Carlos Garcia Gual

Në vitin 332 p.e.s. gjatë marshimit të tij fitimtar kundër Perandorisë së Mbretit të madh Pers Dari III, Aleksandri i Madh arriti deri në kufijtë e Egjiptit. Pushtuesit maqedonas iu desh që të angazhonte të gjithë mjetet e tij ushtarake për të nënshtruar qytetet e mëdhenj fenikas, mbi të gjitha Tiron dhe Gazën, e megjithatë në pushtimin e vendit mbi Nil nuk hasi në asnjë rezistencë. Në kështjellën e Pelusios që ndodhet në kufi, satrapi pers që qeveriste Egjiptin në fakt i doli përpara duke i dorëzuar pushtetin dhe të gjithë pasuritë. Aleksandri vazhdoi kështu përparimin e tij deri në Menfi, kryeqyteti i Egjiptit të Poshtëm, ku bëri dhe hyrjen triumfuese, i brohoritur nga populli.

Për pjesën më të madhe të egjiptianëve, Aleksandri ishte një clirimtar. Që nga pushtimi i Egjiptit nga ana e mbretit Kambis në 526 p.e.s., dominimi pers kishte shkaktuar një pakënaqësi të madhe në popullsinë lokale, mbi të gjitha për shkak të rritjes së presionit fiskal si dhe përcmimit për kultet egjiptianë. Revoltat ishin dicka konstante dhe që nga viti 404 p.e.s. dominuan tre dinasti të ndryshme egjiptiane, në luftë të vazhdueshme kundër persëve. Në vitin 343 p.e.s. vetëm dhjetë vite para mbërritjes së Aleksandrit, faraoni i fundit i pavarur i Egjiptit, Nektanebi II, u dëbua nga mbreti pers Artasersi.

Në Menfi, Aleksandri u përpoq që të shfaqë nderimin e tij për perënditë egjiptiane, duke i bërë të gjithë nderimet Apit, demit të artë. Në këmbim, ai u njoh si faraon legjitim si dhe u ngjit në fron sipas riteve tradicionalë, me mbështetjen e popullit dhe të priftërinjve. Por faraoni i ri nuk qëndroi gjatë në Menfi. Që nga kryeqyteti ai u nis drejt veriut, duke ndjekur degën perëndimore të Nilit deri në portin e Kanopit dhe prej aty vazhdoi përgjatë brigjeve të Mesdheut deri në fshatin Rakotis, një vend kufitar mes Egjiptit dhe Libisë. Bëhej fjalë për një vendbanim të vogël në një gjuhë toke mes lagunës Mareotide dhe bregut, përballë të cilit ndodhej ishulli i Faros. Një vend ku, sipas disa versioneve të legjendës, ishin ndalur Menelau dhe Helena pas kthimit nga Lufta e Trojës.

Në atë rrip toke Aleksandri vendosi që të ngrejë një qytet që do të merrte emrin e tij dhe që shumë shpejt do të bëhej porti i madh mesdhetar i Egjiptit si dhe metropoli më i madh helenistik: Aleksandria. Thuhet se ai vetë vendosi gurin e themelit të qytetit dhe urdhëroi ndërtimin e tij. Megjithatë, pikërisht kur punëtorët po ngrinin ndërtesat e para, Aleksandri vendosi që të nisë një marshim drejt perëndimit me qëllim që të vizitonte tempullin e perëndisë Amon, në oazin e Sivës si dhe të këshillohej me orakullin.

Bëhej fjalë për një nismë në shumë drejtime alarmuese, që nga momenti kur oazi i Sivës nuk kishte asnjë lloj interesi ushtarak dhe vizita do të shkaktonte një vonesë në përballjen vendimtare me mbretin pers Dari III, i cili në Azi ishte duke rekrutuar një ushtri të madhe për t’u hakmarrë për humbjen e tij në betejën e Isit në Turqi, e cila kish ndodhur në nëntor të një viti më parë. Ishte një ekspeditë e rrezikshme, duke qenë se për të shkuar tek oazi, që ndodhej pothuajse pesëqind kilometra larg nga lugina e Nilit, duhej të përshkoje një hapësirë të madhe shkretëtire. Herodoti rrëfen se në përpjekjen për të arritur në Sivë, edhe ushtria e mbretit pers Kambisi II kishte humbur dhe ndoshta kish përfunduar e varrosur nën rërë. Shumë mbretër maqedonas që shoqëronin Aleksandrin pyesnin se cfarë dobie do të kishte vizita tek një orakull i huaj dhe kaq larg nga fushëbetejat.

Aleksandri i patrembur dhe kokëfortë nuk ishte mësuar të tërhiqej para vështirësive dhe pa hezituar nisi ekspeditën e rrezikshme. Në marshimin e tij drejt perëndimit përgjatë brigjeve i erdhi një dërgatë e qytetarëve Kireneas me një propozim për aleancë si dhe dhurata të mrekullueshme: pothuajse 300 kuaj dhe 5 karroca të mëdha. Kirenea ishte një qytet i prosperuar i lindur si koloni greke në brigjet libiane, që i shtrinte kështu dorën e bashkëpunimit pushtuesit të Egjiptit dhe i garantonte mbështetjen e vet. Që atëherë, flota greke dominonte ujërat e Mesdheut.

Që nga zona bregdetare e Paretonit – 265 kilometra nga perëndimi i Aleksandrisë – Aleksandri mori rrugën drejt jugut, i shoqëruar vetëm nga disa miq besnikë, një trupë e përzgjedhur mirë dhe disa udhërrëfyes vendas. Pas largimit nga deti, rruga drejt Sivës përshkonte zona të thata me shkëmbinj dhe rëra të shkretëtirës. Gjatë marshimit të mundimshëm, maqedonasit, të zënë në befasi nga një stuhi e fuqishme rëre, humbën rrugën dhe u detyruan që të endeshin pa asnjë drejtim për katër ditë, të mbërthyer nga etja dhe dëshpërimi.

Përparonin gjatë natës, nën dritën e hënës dhe yjeve, për të shmangur diellin përvëlues të ditës. Për fatin e tyre nisën disa shira të lehtë, që menjëherë u konsideruan një mrekulli hyjnore. Burimet tregojnë edhe ngjarje të tjera që mund të konsiderohen si akte të tjerë shpëtues të perëndive. Sipas gjeografit Ptolomeu, dy gjarpërinj që flisnin u treguan rrugën maqedonëve; sipas historianit pseudo-Kalisten, autor i Romani i Aleksandrit, ishte në fakt një cift korbash që, duke thirrur krrak-krrak i sinjalizonin se po gabonin rrugë. Të inkurajuar nga këto shenja të mbështetjes së perëndive, Aleksandri dhe të tijtë e gjetën oazin e shumëdëshiruar. Shumë i madh ishte gëzimi i maqedonëve kur, pas shumë etjeje dhe aq shumë rëre, si dhe ditëve e ditëve të tëra të kaluara mes dunave gjithmonë të njëjta, arritën të shohin drurët frutorë dhe jeshillëkun e oazit të Sivës, me livadhet e tij, me palmat, shegët dhe ullinjtë, burimet e ujit, muret e lartë dhe shtëpitë. E gjithë kjo në qendër të një rrafshnalte shumë pak mikpritëse, e mbushur me këneta. Në fund, Aleksandri u gjend përballë tempullit të famshëm egjiptian, ku e priste zëri profetik i perëndisë Amon.

Motivimi i Aleksandrit

Prej më shumë se njëqind vitesh, kulti i perëndisë Amon, i identifikuar me Zeusin, gëzonte një prestigj të madh në botën greke. Në fillim, oazi i Sivës kish qenë tempulli i një perëndie vendas libiane, i njohur si Amun, një hyjni që me kalimin e kohës u asimilua në perëndinë egjiptiane Amon, kur egjiptianët pushtuan zonën. Amoni, me brirët e tij të mëdhenj të dashit, ishte për besimtarët ai që kishte krijuar universin si dhe zoti i cdo krijese. I vendosur nënjë tempull që ishte ndërtuar dyqind vjet më herët nga faraoni Amasis, konsiderohej nga kolonët grekë në Kirenea dhe të përzierë me fiset berbere të zonës, si një figurë e ngjashme me Zeusin e Olimpit. Ishin pikërisht ata që kontribuan në përhapjen e famës së tij. Në fakt ata kishin ngritur një tempull të Zeusit Amon dhe në monedhat e qytetit u vendos imazhi i hyut me brirët tipikë të dashit. Edhe në Spartë, në Olimpia, në Athinë dhe në portin e kësaj të fundit, në Pire, u përhap kulti i Sivës. Vec të tjerash, poeti grek Pindari i dedikoi një poemë. Pa asnjë dyshim, fama dhe kulti i Amonit kishin mbërritur pra edhe në Maqedoni.

Sipas historianëve të lashtësisë, kanë qenë të shumtë motivet që shtynë Aleksandrin e Madh që të konsultohej me orakullin Amon. Sipas disave, ishte një “ambicie për lavdi e Aleksandrit që të bënte një vizitë në tempullin e Amonit, sepse kishte dëgjuar që Perseu dhe Herakliu kishin qenë aty para tij”.

Dëshira e tij për të përsëritur bëmat e heronjve të mëdhenj e stimulonte që të konkuronte me Herkulin dhe Perseun, të dy bij të Zeusit dhe të famshëm për bëmat e tyre në toka të largëta. Herkuli ishte një prej paraardhësve mitikë të Aleksandrit dhe një model për të; Perseu (që për nga emri mund të lidhej me origjinën mitike të persëve) i dukej si një hero në gjendje të simbolizonte një lidhje mes Perëndimit dhe Lindjes. Sipas historianit Arriani, i cili përmend dëshminë e Ptolomeut, shok i Aleksandrit dhe mbas vdekjes së tij mbret i Egjiptit, Aleksandri donte në fakt të mësonte sa më shumë gjëra për vetveten, për origjinën e tij dhe për të ardhmen e tij si sovran. Ndoshta dy motivet, rivaliteti dhe dëshira për të njohur më mirë fatin e tij, përmblidheshin në tipin impulsiv të mbretit maqedon, gjithnjë i tërhequr nga mundësia për të shkuar më tej dhe i karakterizuar nga ajo dëshirë për të eksploruar të panjohurën, që në lashtësi e shihnin si një prej tipareve të tij më të spikatur.

Nuk dimë me saktësi atë që Aleksandri pyeti dhe dëgjoi në brendësi të tempullit. Hyri i vetëm, si mbret dhe faraon i Egjiptit. Në dalje u shfaq shumë i kënaqur nga vizita, por ruajti një heshtje absolute mbi atë që i ishte zbuluar. Nuk vonoi që të përhapeshin versione të ndryshëm në lidhje me këtë episod. Thuhej se Aleksandri kishte pyetur nëse do të mbretëronte mbi të gjithë tokën dhe nëse vrasësit e babait të tij, viktimë e një komploti në pallat, kishin marrë ndëshkimin e merituar. Prifti ishte përgjigjur në mënyrë pohuese ndaj të dyja pyetjeve.

Por elementi më i rëndësishëm ishte deklarata e orakullit sipas të cilës Aleksandri nuk ishte bir i Filipit, por i hyut të madh Amon, që grekët e identifikonin me Zeusin. Sipas disave, që në hyrje të tempullit orakulli e kish thirrur si “Biri i Zeusit” (edhe pse historiani grek Plutark flet për një pasaktësi gjuhësore: duke dashur të thotë paidion, “djalë në greqisht”, prifti kishte thënë pai Dios, apo “bir i Zeusit”). Duhet kujtuar gjithashtu që në Egjipt faraoni konsiderohej me origjinë hyjnore dhe nderohej si “Biri i Amon-Ra”.

Që atëherë, mbreti maqedon prezantohej si biri i hyut të madh dhe vazhdoi të ushqejë një nderim të madh për perëndinë Amon. Në shumë monedha të qyteteve të ndryshëm – dhe në monedhat e para në Egjipt në kohën e mbretit Ptolome – koka e Aleksandrit shoqërohet me brirët e kthyer të dashit, tamam si Amoni. Në fundin e jetës, në Babiloni, sipas shumë burimeve, Aleksandri shprehu madje dëshirën që të varrosej në tempullin e Amonit në Sivë.

Përpjekja e Aleksandrit për t’u paraqitur si biri i një perëndie i dha një tjetër shtysë propagandës perandorake por shkaktoi një pakënaqësi të madhe mes maqedonëve në ushtrinë e tij. Sipas tyre, duke vepruar kështu, Aleksandri zbulonte se e përcmonte figurën e Filipit si prind i tij. Veteranët maqedonë, të lodhur dhe të pakënaqur, ankoheshin hapur për një sjellje të tillë, duke ia thënë në sy në shumë raste. Në fushatën e Indisë, për shembull, gjatë një mosbindjeve të tyre në brigjet elumit Hifasis, ata refuzuan që të përparojnë duke i thirrur me sarkazmë mbretit të tyre: “Shko në luftë i vetëm, me ndihmën e babait tënd!” I referoheshin Amonit. Deklarimi i tij si bir i Amonit bëri që të lindë një legjendë sipas të cilës hyu i kish bërë një vizitë nënës së luftëtarit, mbretëreshës Olimpia, në oborrin e Maqedonisë, i maskuar si një gjarpër.

Kjo histori u përmend në Romanin e Aleksandrit, sipas të cilit Faraoni Nektanebi II, pas pushtimit pers të Egjiptit në 343 p.e.s., u strehua në Pella, kryeqyteti maqedon. Këtu kish gjetur mënyrën që të mashtronte Olimpian i maskuar si Amoni. Nëntë muaj më vonë lindi Aleksandri.

Pas vizitës në Sivë, Aleksandri u kthye në Menfi, duke përshkuar një shteg karvanësh. Qëndroi aty disa javë përpara se të drejtohej, pasi kish riorganizuar ushtrinë, për në betejën vendimtare kundër Darit III që do të zhvillohej në Gaugemalë, në qendër te perandorisë perse. Në pranverën e vitit 331 p.e.s., mbreti maqedon linte Egjiptin në cilësinë e themeluesit të qytetit dhe birit të perëndisë më të lartë, i vetëdijshëm për madhështinë e tij dhe i legjitimuar në misionin e tij si pushtues i botës.

Storica – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button