Analiza

Orbán, Soros dhe konflikti i pakalueshëm mbi sovranitetin hungarez

Në lojë janë jo më pak se vlerat më të dashura të Hungarisë

Nga Skomantas Pocius

Fitorja e Viktor Orbán dhe e partisë së tij Fidesz në zgjedhjet hungareze e muajit të kaluar e rriti breshërinë e parashikueshme të ankesave rreth rritjes së iliberalizimit. Një mbulim i tillë ka tentuar që të theksojë antipatinë e qeverisë Orbán ndaj financierit hungarezo – amerikan George Soros, një kontribues pjellor për kauza progresive në Hungari dhe anembanë botës. Soros është i njohur mirë për Open Society Foundation e tij të cilit i dhuroi 18 miliard dollarë vitin e kaluar, miqësinë e tij me çiftin Clintons dhe si spekulatori financiar që “falimentoi Bank of England” në vitin 1992. Por konsiderohet gjithashtu edhe si një lider i rezistencës demokratike liberale dhe si një “viktimë” e tendencave iliberale në Hungari.

Lëvizjet ligjore dhe politike të Orbán ndaj Open Society Foundation dhe retorika në vazhdimësi kundër vetë George Soros sigurisht që çojnë ujë në narrativën dominuese të viktimizimit të njëanshëm. Fama edhe deklaratat e Soros kanë kontribur gjithashtu në këtë pikë – për shembull, pretendimi i tij se qeveria e Orbán është “një regjim mafioz antidemokratik” më shtypës sesa pushtimi sovjetik. Por një narrativë e tillë e pabalancuar nuk arrin që të zbulojë atë se për çfarë është realisht konflikti Orbán – Soros dhe me perspektivën e tij të ngushtë, nuk është shumë më tepër i mprehtë sesa kukuvajkat antiSoros të së djathtës së zemëruar. Një analizë më realiste nxjerr në pah tri gjëra.

E para, situata në Hungari kuptohet mirë jo si një armiqësi e njëanshme, por, për të përdorur vetë fjalët e George Soros, si “një konflikt i pakalueshëm parimesh”. Orbán dhe Soros qëndrojnë për dy vizione thellësisht të ndryshme të Hungarisë dhe konflikti i tyre është për çështje themelore politike: natyrën e kombit hungarez dhe rolin e shtetit hungarez në të. Kjo është një luftë midis nacionalistëve dhe antinacionalistëve, atyre që e shikojnë kombin si sovran në Hungari dhe duan të drejtën e tij për vetëvendosje dhe atyre që inkurajojnë një lëvizje përtej shteteve kombëtare të organizuar sipas linjave të identitetit kombëtar. Narrativa standarde nuk arrin që ta rrëfejë këtë dinamikë.

E dyta, shumica e hungarezëve mbështesin ideale dhe vlera nacionaliste, të cilat kanë rrënjë të thella në historinë dhe traditën intelektuale hungareze. Mbështetja e tyre demonstron vitalitetin e vazhdueshëm të ideve që tri dekada më parë i ngritën vendet europiane të çliroheshin nga dominimi sovjetik dhe vendosjen e qeverive demokratike, përfshi presupozimin, sot nën presion, se nacionalizmi dhe demokracia mund të ecin përkrah njëra tjetrës.

E treta, George Soros ka për vizionin e tij mbështetje në nivelet më të larta të Bashkimit Europian. Kjo ndihmon që të qartësohet popullariteti i qëndrueshëm i politikanëve nacionalistë në Hungari: Nacionalizmi hungarez ka një pozicion mbrojtës, që padyshim e konsolidon mbështetjen e tij.

Sigurisht që Orbán meriton kritika. Retorika e tij është shpesh e tepruar, politika të caktuara që kanë të bëjnë më median dhe gjykatat të dëmshme dhe korrupsioni alarmues. Maturia është oportune kur tregon për “Singaporin, Kinën, Indinë, Turqinë, Rusinë” si modele potenciale për një “shtet iliberal” – edhe pse premton që t’u përmbahet vlerave të “kristianizmit, lirisë dhe të drejtave të njeriut”, teksa fuqizon komunitetin kombëtar të Hungarisë që të jetë më shumë se “një shumatore e thjeshtë individësh”.

E megjithatë, cilado qofshin difektet e Orbán dhe Fidesz, nuk duhet të biem pre e narrativave të lehta që na verbojnë ndaj asaj çka është zemra e konfliktit në Hungari dhe idealet thelbësisht të ndryshme që ofrohen.

Antinacionalizmi i George Soros është i qartë nga deklarimet publike të tij, më e fundit ajo e janarit në World Economic Forum e Davos ku foli rreth frenimit të nacionalizmit. Gjatë krizës së emigrantëve të vitit 2015, ai shkruante se i sheh “kufijtë kombëtarë si pengesë” dhe për “mbrojtjen e refugjatëve si objektivin”, ndërkohë që qëndrimi i Orbán është e kundërta dhe, për pasojë, minon vlerat europiane. Qasja e Soros ndaj sovranitetit dhe kufijve kombëtarë është i hershëm: në vitin 1998 ai bëri thirrje për krijimin e “një autoriteti të ri ndërkombëtar që e tejkalon sovranitetin e shteteve për të promovuar një shoqëri të hapur”.

Këto ide janë integrale në vizionin e George Soros për një “Open Society” dhe udhëhequr kontributet e tij ndaj OJQ-ve (gjatë viteve në Hungari shkojnë në 400 milion dollarë). Megjithatë, vizioni i tij bie ndesh me idealet nacionaliste që Orbán ka mbështetur dhe mbrojtur. Kushtetuta e Hungarisë, e kaluar nën Fidesz në vitin 2011, e bën të qartë. Preambula e saj e lidh Hungarinë modern me të kaluarën, paraardhësit, besimin kristian dhe karakterin kombëtar të saj. Ajo proklamon kontinuitetin kushtetues të shtetit hungarez dhe i lidh fatet e tij me historinë e kombit hungarez, teksa afirmon gjithashtu atë si një demokraci.

Me pak fjalë, Preambula shpreh idenë se Hungaria është atdheu i të gjithë hungarezëve, një shtet që është i themeluar prej tyre dhe për kombin hungarez. Në fakt, kjo është mënyra me të cilën të qënit komb është menduar rëndom në Europën Qendrore dhe Lindore. Siç e kam argumentuar për sa i pëkret Lituanisë dhe tjetërkund, lloji i nacionalizmit që bën thirrje për sovranitet (jo superioritet) dhe vetëvendosje në tokat stërgjyshore të një kombi ka qenë një forcë kyçe në çlirimin nga dominimi sovjetik.

Kjo është arësyeja se pse idealet nacionaliste e mbështetura nga Orbán janë kaq popullore në Hungari. Është e vërtetë se kushtetuta u miratua vetëm 7 vite më parë në vija partia dhe me një farë kundërshtie, por është gjithashtu e rëndësishme të nënvizohet se, ndryshe nga vendet e tjera europianolindore, Hungaria nuk adoptoi kushtetutë të re pas pavarësisë së saj; ajo thjesht modifikoi atë të vjetrën socialiste si një masë të përkohshme. Një kartë e re duhet të ishte bërë prej kohësh.

Ideve të shprehura në kushtetutë sigurisht që nuk u mungon mbështetja popullore. Në kohën e miratimit të saj, qeveria e Orbán përfaqësonte 53% të elektoratit dhe mbështetja për idetë nacionaliste më gjerë qe akoma edhe më e madhe, siç e tregon mbështetja prej17% e votave për partinë opozitare fuqimisht nacionaliste Jobbik. Pas miratimit të kushtetutës, partitë nacionaliste morën 65% të votave në zgjedhjet e 2014 dhe në zgjedhjet e fundit mbështetja e tyre u rrit në 68%, teksa Fidesz merrte pak më poshtë se 50% (me pjesëmarrjen më të lartë qysh nga viti 2002). Partitë dhe idetë nacionaliste mbështeten nga pjesa më e madhe e qytetarisë aktive dhe mbështetja e tyre ka qenë jashtëzakonisht konsistente në kohë.

Ky nacionalizëm e ka manifestuar veten menjëherë pas pavarësisë. Zgjedhjet e para passovjetike në vitin 1990 u fituan nga Fronti Demokratik Hungarez (MDF), një parti nacionalisto – konservatore me element populistë e formuar nga një traditë intelektuale hungareze që u mëshon vlerave dhe traditave kombëtare, kristianizmit dhe një “rruge të tretë” midis kapitalizmit e komunizmit. Koalicioni qeverisës përfshinte dy parti të tjera që mendonin njëlloj me rrënjë në epokën e paraLuftës së Dytë Botërore, Partinë populisto – agrare e Pronarëve të Vegjël të Pavarur (fituese e zgjedhjeve të mëparshme të lira në 1945) dhe Partinë Popullore Kristian – Demokrate Katolike (tani një parti satellite e Fidesz të Orbán). Partia urbane liberale Aleanca e Demokratëve të Lirë dhe partia Socialiste Hungareze ishin në opozitë. Pas humbjes së qeverisë në zgjedhjet e vitit 1994, Fidesz i Orbán, deri në atë kohë një parti e vogël liberal – centrist, kaloi në pozicione më konservatore e nacionaliste dhe pa t’i rritej popullariteti deri kur u shpall fitues në zgjedhjet e vitit 1998. Ne mund të heqim një vijë të pandërprerë nga idealet nacionaliste e përqafuara sot me ato të fillimviteve ’90 dhe më herët akoma në periudhën e pasLuftës së Dytë Botërore.

E gjitha kjo nënvizon atë që është e mirëdokumentuar: rëndësinë e identitetit kombëtar në Europën Qendrore e Lindore dhe lidhjen e saj me kulturën dhe etnicitetin. Për shembull, të dhënat e Pew Research Center tregojnë se 94% e hungarezëve mendojnë se doket dhe zakonet janë të rëndësishme në të qënin hungarez i vërtetë (68% i gjykojnë ato si shumë të rëndësishme), ndërsa 81% e hungarezëve pohojnë rëndësinë e të lindurit në Hungari (52% thonë se është shumë e rëndësishme). Për krahasim, shifrat korresponduese në Suedi janë 66% dhe 26% për doket e zakonet dhe vetëm 20% e 8% për vendlindjen.

Prandaj mund të ketë pak dyshim rreth dëshirës për ta ruajtur Hungarinë si një atdhe hungarez dhe megjithatë nacionalistët janë akoma në pozita mbrojëse. Open Society Foundation ka lidhje të ngushta me Bashkimin Europian dhe liderë të këtij të fundit rregullisht shprehin kundërshtimin e tyre ndaj nacionalizmit. Jean-Claude Juncker, Presidenti i Komisionit Europian, ka thënë se kufijtë janë “shpikja më e keqe e bërë ndonjëherë nga politikanët” dhe u ka bërë thirrje europianëve që “të luftojnë kundër nacionalizmit”, ndërsa parlamentari Guy Verhofstadt e ka quajtur nacionalizmin “kancer” dhe e ka shpallur fajtor për mizoritë e dy shekujve të fundit. Presidenti francez fuqimisht por Bashkimit Europian Emmanuel Macron ka folur për “humnerën, nacionalizmin, heqjen dorë nga liria”.

Kështu që nuk ishte për t’u habitur që në 2015 Bashkimi Europian miratoi një plan për t’i shpërndarë emigrantët nëpër Europë, eventualisht duke propozuar edhe ndëshkime ndaj vendeve për çdo emigrant që refuzonin. Bashkë me vende të tjera europianoqendrore dhe europianolindore, Hungaria rezistoi, por Bashkimi Europain ia hodhi poshtë objeksionet nëpërmjet braktisjes së kushtit të unanimitetit – procedura e saj normale për zgjidhjen e çështjeve të sovranitetit kombëtar – në favor të një vote shumice.

Hungaria e ka ruajtur kundërshtimin e saj ndaj vendimit dhe eventualisht ju bashkua Sllovakisë për ta kundërshtuar atë në Gjykatën Europiane të Drejtësisë. Pozicioni i qeverisë Orbán ndaj çështjes ka qenë jashtëzakonisht popullor në Hungari: thuajse 70% e hungarezëve shprehën kundërshtim ndaj planit të Bashkimit Europian dhe në një referendum lidhur me të 98% votoi kundra (pjesëmarrja qe 44%, vetëm pak më e ulët se në referendumin e 2003 për anëtarësimin në Bashkimin Europian dhe më shumë njerëz i kundërshtuan kuotat e emigrantëve sesa patën mbështetur hyrjen në Bashkimin Europian).

Në këtë kontekst, duke pasur parasysh qëndrimet dhe veprimet e elitave të Bashkimit Europian, nuk është për t’u habitur që hungarezët votojnë për politikanë të cilët premtojnë të luftojnë për sovranitet dhe identitet kombëtar. Gjithashtu nuk është as për t’u habitur që gjithçka e perceptuar si influencë e huaj – qofshin ata politikanë të Bashkimit Europian apo një miliarder nga New York – të ndeshet me armiqësi. Fakti është që Viktor Orbán qëndron për ide të cilat shumë hungarezë i gjykojnë se janë me një rëndësi të jashtëzakonshme dhe, për aq kohë sa e bën, mbështetja për do të vazhdojë.

Shumë hungarezë perceptojnë qartë se mënyra e jetesës dhe vendi i tyre ndodhen nën kërcënim dhe ndjejnë se individë me influencë do t’i donin thelbësisht të transformuar. Duke pasur parasysh këtë, ia vlen barra qiranë të mendohet sesi këto preokupime mund të shprehen sa më mirë dhe sesi sovraniteti e identiteti i vendit mund të ruhen pa rënë për diçka më të errët. Por një reflektim i tillë do të kërkonte njohjen e aspiratave nacionaliste si legjitime, ndoshta një hap shumë i madh për shumicën e kritikëve të Viktor Orbán.

(Skomantas Pocius është doktorant në Committee on Social Thought e University of Chicago me një interes për nacionalizmin. Shkruan për The American Conservative dhe The Daily Signal)

Përgatiti:

ARMIN TIRANA / Bota.al

Leave a Reply

Back to top button