Analiza

Pabarazia, imigrimi dhe hipokrizia

Screen Shot 2015-05-11 at 17.42.43nga Kenneth Rogoff

Kriza e migrimit në Europë nxjerr zbuluar një të metë themelore, në mos hipokrizinë e madhe, në debatin mbi pabarazinë ekonomike. A nuk do të mbështeste një progresist i vërtetë shanse të barabartë për njerëzit e planetit, dhe jo vetëm për ata që janë aq fatlumë sa të kenë lindur dhe rritur në vendet e pasur.

Shumë udhëheqës me mend në ekonomitë e përparuara mbrojnë mentalitetin e të drejtës. Por e drejta ndalet në kufi: ndonëse ata e konsiderojnë rishpërndarjen më të madhe brenda shteteve të tyre si një imperativ absolut, njerëzit që jetojnë në tregjet në zhvillim apo në vendet në zhvillim mbeten jashtë.

Nëse shqetësimet aktualë për pabarazinë do të shpreheshin në terma politikë, ky fokusim nga brenda do të ishte i kuptueshëm; në fund të fundit, qytetarët e vendeve të varfër nuk votojnë në vendet e pasur. Por retorika e debatit të pabarazisë në vendet e pasur tradhëton një bindje morale, që injoron me vetëdije, miliarda njerëz në botë që jetojnë më keq.

Nuk duhet të harrojmë që, edhe pas një periudhe stanjacioni, klasa e mesme në vendet e pasur mbetet një klasë e lartë, parë nga një këndvështrim global. Vetëm afro 15% e popullsisë së botës jeton në ekonomitë e zhvilluara. Megjithatë, ekonomitë e përparuara zënë ende 40% të konsumit global si dhe shterimit të burimeve. Megjithatë, taksat më të larta mbi të pasurit kanë kuptim si një mënyrë për zbutjen e pabarazisë brenda një shteti. Por kjo nuk do ta zgjidhë problemin e varfërisë së thellë në botën në zhvillim.

Nuk do të shërbejë as apeli ndaj superioritetit moral për të justifikuar përse dikush i lindur në Perëndim gëzon kaq shumë avantazhe. Po, institucionet e fortë politikë dhe sociale janë guri i themelit për rritjen e qëndrueshme ekonomike; në të vërtetë, ata janë elementi i domosdoshëm për të gjithë rastet e zhvillimit të suksesshëm. Por, historia e gjatë e Europës me kolonializmin shfrytëzues e bën të vështirë të hamendësosh se si institucionet aziatikë dhe afrikanë do rë ishin zhvilluar në një univers paralel, ku europianët do të kishin ardhur vetëm për të bërë tregti, jo për të pushtuar. 

Shumë çështje të gjera politikash shtrembërohen kur shihen përmes një lenteje që fokusohet vetëm në pabarazinë e brendshme dhe injoron pabarazinë globale. Pretendimi marksist i Thomas Pikettyt se kapitalizmi po dështon, për arsye se pabarazia e brendshme po rritet, e sheh së prapthi arsyen e vërtetë. Kur dikush i peshon në mënyrë të barabartë të gjithë qytetarët e botës, gjërat duken shumë ndryshe. Në vecanti, të njëjtat forca të globalizimit që kanë kontribuar për rënien e pagave të klasave të mesme në vendet e pasur, kanë nxjerrë nga varfëria qindra-miliona vetë nëpër botë.

Sipas shumë treguesve, pabarazia globale është reduktuar ndjeshëm gjatë tre dekadave të fundit, gjë që lë të kuptohet se kapitalizmi ia ka dalë në mënyrë spektakolare. Kapitalizmi ndoshta ka ulur të ardhurat që punëtorët në vendet e përpariuar nxjerrin vetëm për shkak të vendit ku kanë lindur. Por ai ka bërë shumë më tepër për të ndihmuar punëtorët e vërtetë me të ardhura të mesme në Azi dhe në tregjet në zhvillim.

Lejimi i lëvizjes më të lirë të njerëzve përgjatë kufijve do të barazonte shanset shumë më shpejt se sa tregtia, por rezistenca është e fortë. Partitë politike anti-imigrim kanë shtuar radhët në vende si Franca dhe Mbretëria e Bashkuar, dhe janë një forcë e madhe edhe në vendet e tjerë.

Sigurisht, miliona njerëz të dëshpëruar që jetojnë në zona lufte dhe shtete të dështuar kanë shumë pak zgjedhje, përvec se të kërkojnë strehim në vendet e pasur, cilido qoftë rreziku. Luftërat në Siri, Eritre, Libi dhe Mali kanë qenë një faktor shumë i madh në nxitjen e valëve të sotme të refugjatëve që duan të mbërrijnë në Europë. Edhe nëse këta vende do të stabilizoheshin, paqëndrueshmëria në rajone të tjerë me siguri do të zinte vendin e tyre.

Problemet ekonomike janë një tjetër forcë shtytëse e migrimit. Punëtorët nga vendet e varfër e mirëpresin shansin për të punuar në vendet e përparuar, edhe me paga të ulëta. Fatkeqësisht, pjesa më e madhe e debatit në vendet e pasur sot, në të majtë e në të djathtë, përqëndrohet në atë se si duhen mbajtur jashtë këta njerëz. Mund të jetë praktike, por me siguri nuk është moralisht e mbrojtshme.

Dhe trysnia e migrimit do të rritet nëse ngrohja globale shpaloset sipas parashikimeve të klimatologëve. Teksa rajonet ekuatorialë bëhen gjithnjë e më të nxehtë, duke dëmtuar bujqësinë, rritja e temperaturave në veri do ta bëjë bujqësinë më produktive. Modelet e ndryshueshëm të motit mund të nxisin më tej migrimin në vendet më të pasur, në nivele të tillë që do të bënin krizën e sotme të imigrantëve të dukej e vockël, sidomos po të kemi parasysh se vendet e varfër dhe tregjet në zhvillim janë më pranë Ekuatorit dhe me klima të ndryshueshme.

Teksa kapaciteti tdhe toleranca e vendeve të pasur ndaj imigrimit janë që sot të kufizuara, është e vështirë të shohësh se si do të mund të mbërrihej paqësisht në një ekuilibër të ri global të shpërndarjes së popullsisë. Pakënaqësia ndaj ekonomive të përparuara, që shkaktojnë një pjesë shumë të madhe të ndotjes globale dhe të konsumit të mallrave, mund të ziejë.

Teksa bota bëhet më e pasur, pabarazia do të bëhet pashmangshmërisht një problem gjithnjë e më i madh në krahasim me varfërinë, një pikë për të cilën kam argumentuar një dekadë më parë. Eshtë për të ardhur keq që debati i pabarazisë është përqëndruar kaq shumë në pabarazinë e brendshme, saqë problemi shumë më i madh i pabarazisë globale është lënë në hije. Për të ardhur keq, sepse në shumë drejtime, vendet e pasur mund të bëjnë diferencën. Ata mund të ofrojnë ndihmë mjekësore dhe arsimore falas online, më shumë ndihmë për zhvillim, eleminim të borxheve, qasje në tregje, si dhe më shumë kontribut në sigurinë globale. Mbërritja e njerëzve të dëshpëruar me varka në brigjet e Europës është një simptomë e dështimit të tyre për të vepruar kështu.

Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2015. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate – Inequality, Immigration, and Hypocrisy

Bota.al

Leave a Reply

Back to top button