Ekonomi

Pagimi i taksave është punë për të varfërit

Nga Kurcio Malteze

Kina dhe arabët blejnë toka të mëdha sa shtete të tërë, në Afrikë, Azi, Oqeani dhe Amerikën Latine. Korporata të mëdha shumëkombëshe si Coca Cola kanë qasje në burimet e ujit, kudo në botë. Revolucioni i robotëve mund të zhdukë pesëqind milionë vende pune, në pak vite. Shkencëtarët rishikojnë parashikimet më të këqia të ngrohjes së planetit. DHe lajmi i verës cili ishte? Cristiano Ronaldo mund të largohej nga Real Madrid pasi u akuzua për evazion fiskal, ashtu si dhe rivali i tij i madh, Lionel Messi. Të paktën ta shpjegonin mirë. Sepse në fund, refuzimi i madh i CR7, i ofenduar nga pretendimi i magjistratëve spanjollë për ta bërë të paguajë taksat si çdo i krishterë, në të vërtetë tregon disa gjëra interesante për botën ku jetojmë.

Një sistem ku njerëzit e pasur po bëhen më të pasur, por (ose sepse) paguajnë më pak taksa se sa të varfërit, dhe shpesh aspak. Historia filloi shumë kohë më parë, me përrallat e gjyshit Ronald Reagan. Presidenti më i dashur i historisë amerikane ishte i pari që propozonte të ulte taksat për të pasurit, me qëllim që të luftonte evazionin dhe “të bënte të fitonin të gjithë”. Do të ishte, thoshte ai, si të hidhje shampanjë nga lart në një grumbull gotash. Pasi të mbusheshin ato në majë, lëngu do të zbriste poshtë. Ky imazh i bukur, ilustrues i një idiotësie pa kuptim, rezultoi fitues dhe i rremë, po aq sa edhe çdo gjë tjetër. Rasti i Ronaldos ilustron mirë se si nuk funksionon.

Kampioni portugez i Realit, i cili mori nënshtetësinë spanjolle në vitin 2010, është ndër ata që fitojnë më shumë se 600,000 euro në vit dhe për këtë arsye paguan një taksë prej 24%. Pavarësisht nga kjo, Ronaldo, Messi dhe shumë të pasur si ata, bëjnë shumë më tepër evazion se sa punëtorët e pastrimit, për të grumbulluar pasuri në parajsat e përhapura në mbarë botën. Sapo zbulohen, reagimi i tyre është ai i viktimës. Por si? Super, super të pasurit, Gates ose Zuckerberg, krahasuar me të cilët Ronaldo është në fakt një “varfanjak”, i shmangen taksave me miliarda në vit, dhe askush nuk bën zë.

Në të vërtetë, ata konsiderohen si filantropë, që herë pas here hedhin një bakshish disamilionësh për qëllime bamirësie, shuma që për ta janë ekuivalenti i qindarkave që ne u japim atyre që na lajnë xhamat në rrugë.

Atëherë, pse duhet t’i turremi dikujt që të paktën ka shpikur Ronaldo Chop, krahasuar me Gates që nuk ka shpikur asgjë? Kështu e mendojnë shumë njerëz të mirë, të cilëve shteti mund edhe t’u ketë bllokuar shtëpitë për shkak të mospagimit të kredive. Super të pasurit që zotëronin të vetëm, sa tre miliarë e gjysmë të varfër të marrë së bashku, ishin 75 pesë vite më parë. Tani janë 8.

Kush e di se pse… / “Venerdi” – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button