Analiza

“Pajtimi” me idenë e Perandorisë Amerikane

Screen Shot 2015-04-20 at 1.24.42 PM

SHBA dolën në vitin 1992 si e vetmja fuqi globale e ekuilibruar. Pra, ishte i vetmi vend që mund të ushtronte fuqi ekonomike, politike dhe ushtarake në nivel global. SHBA ishte dhe mbetet shumë e fuqishme. Megjithatë, kjo është shumë ndryshe nga gjithëpushtetshmëria. Po të dëgjosh politikanët që debatojnë për Rusinë, Iranin apo Jemenin, të krijohet përshtypja se ata ndiejnë që fuqia e SHBA nuk ka limite. Gjithmonë ka limite, dhe perandoritë mbijetojnë kur i pranojnë dhe i respektojnë ata

George Friedman

“Perandori” është një fjalë e pisët. Duke parë sjelljen e shumë perandorive, kjo nuk është e paarsyeshme. Por perandoria është gjithashtu thjeshtë përshkrimi i një gjendjeje, shpeshherë e paplanifikuar dhe rrallëherë e qëllimshme. Eshtë një gjendje e cila buron nga një mungesë e madhe e ekuilibrit të fuqive. Në të vërtetë, perandoritë e krijuara qëllimisht, si Franca e Napoleonit apo Gjermania naziste, rrallëherë kanë patur jetëgjatësi. Shumica e perandorive nuk planifikojnë të bëhen të tilla. Ato fillimisht bëhen, dhe më pas e kuptojnë se çfarë janë. Ndonjëherë nuk e kuptojnë se çfarë janë për një kohë të gjatë, dhe ky dështim në të parit e realitetit mund të ketë pasoja të mëdha.
Lufta e Dytë Botërore dhe lindja e një Perandorie Shtetet e Bashkuara u bënë perandori në vitin 1945. Eshtë e vërtetë se në luftën amerikano- spanjolle, SHBA morën qëllimisht kontrollin e Filipineve dhe Kubës. Eshtë gjithashtu e vërtetë se nisi ta shohë veten si perandori, por në të vërtetë nuk ishte. Kuba dhe Filipinet ishin fantazia e perandorisë, dhe ky iluzion u shpërbë gjatë Luftës së Parë Botërore, në periudhën e mëpasshme të kolonializmit dhe Depresionin e Madh.

Perandoroia amerikane që u shfaq më pas ishte një nënprodukt i ngjarjeve të tjera. Nuk ka patur ndonjë komplot të madh. Në disa drejtime, rrethanat e krijimit e bënë atë më të fuqishme.

Dinamika e Luftës së Dytë Botërore çoi në kolapsin e Gadishullit Europian dhe pushtimin e tij prej sovjetikëve dhe amerikanëve. Po e njëjta dinamikë çoi në pushtimin e Japonisë dhe qeverisjen e saj të drejtpërdrejtë nga SHBA, si një koloni de facto, me Gjeneralin Douglas McArthur si mëkëmbës.

SHBA u gjend me një perandori të jashtëzakonshme, të cilën kishte gjithashtu ndërmend ta braktiste. Kjo ishte një dëshirë e sinqertë dhe jo thjeshtë propagandë. Së pari, SHBA ishte projekti i parë anti-imperial në historinë moderne. SHBA e kundërshtonte perandorinë në parim. Më e rëndësishmja, kjo perandori shkaktonte një thithje të burimeve amerikane dhe nuk ishte një burim pasurimi. Lufta e Dytë Botërore kishte rrënuar si Japoninë, ashtu edhe Europën PErëndimore. SHBA përfituan shumë pak, në mos aspak, ekonomikisht nga përfshirja me këta vende. Në fund, SHBA e përfundoi Luftën e Dytë Botërore pothuajse e paprekur nga lufta, dhe ndoshta si një prej të paktëve shtete që përfituan prej saj. Paratë do të fitoheshin në Shtetet e Bashkuara, jo nëpër perandori. Trupat dhe gjeneralët donin të ktheheshin në shtëpi.

Por ndryshe nga sa ndodhi pas Luftës së Parë, amerikanët nuk mund të hiqnin dorë. Lufta e Parë kishte rrënuar pothuajse të gjithë pjesëmarrësit. Askush nuk e kishte energjinë për të bërë një përpjekje për hegjemoni. SHBA ishte e kënaqur ta linte Europën në dinamikën e saj. Lufta e Dytë Botërore përfundoi ndryshe. Bashkimi Sovjetik ishte rrënuar, por mbetej gjithësesi i fuqishëm. Ai ishte një hegjemon në lindje, dhe po të mos ishin Shtetet e Bashkuara, ai do të mund të dominonte të gjithë Europën. Ky ishte një problem për Uashingtonin, duke qenë se një Europë e bashkuar – qoftë një federatë e vullnetshme dhe e efektshme, qoftë në rast dominimi nga një shtet i vetëm – kishte burime të mjaftueshme për të sfiduar pushtetin e SHBA.

SHBA nuk mund të largoheshin. SHBA nuk e shihte veten si mbikëqyrëse të një perandorie, dhe sigurisht që i lejonin vetes më shumë autonomi të brendshme politike, se sa sovjetikët në rajonin e tyre. Megjithatë, përveç ruajtjes së një pranie ushtarake, SHBA organizuan ekonominë europiane dhe krijuan si dhe morën pjesë në sistemin europian të mbrojtjes. Nëse thelbi i sovranitetit është aftësia për të vendosur nëse do të hysh apo jo në luftë, kjo vendim-marrje nuk ishte në Londër,

Paris apo Varshavë. Ishte në Moskë dhe në Uashington.
Parimi organizues i strategjisë amerikane ishte ideja e angazhimit. Duke mos qenë në gjendje të pushtonte Bashkimin Sovjetik, strategjia parësore e Uashingtonit ishte kontrolli i tij. Ndikimi i SHBA u përhap nëpër Europë, deri në Iran. Strategjia e sovjetikëve ishte që “t’i merrnin krahët” sistemit të frenimit duke mbështetur lëvizjet kryengritëse dhe ato aleate, sa më pranë vijës së SHBA që të ishte e mundur. Perandoritë europiane po shembeshin dhe po fragmentoheshin. Sovjetikët u përpoqën të ngrejnë një strukturë aleancash nga mbetjet e tyre, ndërsa amerikanët u përpoqën t’u kundërvihen.

Ekonomia e Perandorisë

Një prej avantazheve të aleancës me sovjetikët, sidomos për grupet kryengritës, ishte një furnizim

shumë bujar me armatime. Avantazhi i reshtimit në krah të SHBA ishte përkatësia në një zonë dinamike të tregtisë si dhe qasja në kapitalet e investimeve dhe teknologji. Disa shtete, si Korea e Jugut, përfituan jashtëzakonisht shumë prej kësaj. Të tjerë nuk e bënë. Udhëheqësit në vende si Nikaragua menduan se mund të përfitonin më shumë prej mbështetjes politike dhe ushtarake sovjetike, se sa prej tregtisë me Amerikën.

SHBA ishte fuqia më e madhe ekonomike, me kontroll të plotë mbi bazat detare përreth botës, si dhe mbi një sistem dinamik të tregtisë dhe investimeve që u sillte dobi shteteve shumë të rëndësishëm për SHBA. Pikërisht në këtë moment, në fillimet e Luftës së Ftohtë, SHBA nisi të sillet si perandori, qoftë edhe në mënyrë të pavetëdijshme.

Gjeografia e perandorisë amerikane ishte ndërtuar pjesërisht mbi marrëdhëniet ushtarake, por mbi të gjitha në marrëdhëniet ekonomike. Në fillim, këto marrëdhënie ekonomike ishin thuajse të papërfillshme për biznesin amerikan. Por teksa sistemi u maturua, vlera e investimeve u rrit, bashkë me rëndësinë e importeve, eksporteve e madje edhe tregjeve të punës. Ashtu si në çdo perandori të suksesshme, nuk nisi me një projekt të madh, apo me një ëndërr të madhe. Nevoja strategjike krijoi një realitet ekonomik, shtet pas shteti, deri kur disa industri të mëdha u bënë të varura nga të paktën disa prej shteteve. Shembujt më të qartë ishin Arabia Saudite apo Venezuela, nafta e të cilave furnizoi kompanitë amerikane të naftës dhe që, si pasojë, u bënë të rëndësishme

ekonomikisht. Kjo i bëri të rëndësishme edhe strategjikisht.
Teksa një perandori maturohet, vlera ekonomike e saj rritet, sidomos kur nuk është duke iu imponuar të tjerëve. Imponimi është i kushtueshëm dhe ai e dëmton vlerën e një perandorie. Kolonia ideale është ajo që nuk është aspak një koloni, por një komb që përfiton nga marrëdhëniet ekonomike me fuqinë perandorake, dhe me pjesën tjetër të perandorisë. Marrëdhënia parësore ushtarake duhet të jetë ose varësia e ndërsjelltë, ose në pamundësi të saj, varësia e shteti më të dobët klient nga fuqia perandorake.

Kështu ndodhi që SHBA “rrëshqiti” e u bë perandori. Së pari, ishte shumë e pasur dhe e fuqishme. Së dyti, përballej me një kundërshtar të fortë, në gjendje ta sfidonte globalisht, në një numër të madh shtetesh. Së treti, e përdori avantazhin ekonomik për të nxitur të paktën disa prej këtyre shteteve për të lidhur marrëdhënie ekonomike, e si pasojë edhe politike e ushtarake. Së katërti, këta shtete u bënë shumë të rëndësishëm për sektorë të ndryshëm të ekonomisë amerikane.

Limitet e perandorisë amerikane
Problemi i perandorisë amerikane është dalja nga Lufta e Ftohtë. Gjatë kësaj kohe, kishte pritshmëri të shkonte në luftë me një koalicion përreth vetes, por edhe të mbante barrën kryesore të luftës. Kur nisi Operacioni “Desert Storm” në vitin 1991, mbizotëronin ende parimet bazë të Luftës së Ftohtë. Kishte një koalicion me SHBA në qendër. Pas 11 shtatorit, vendimet për të shkuar në luftë në Afganistan dhe Irak u morën duke patur në mendje këtë model. Pati një koalicion, por forca qendrore ushtarake ishte amerikane, dhe supozohej se dobia ekonomike e marrëdhënieve me SHBA do të ishte e vetëkuptueshme. Në shumë drejtime, luftërat pas 11 shtatorit e morën kuadrin e tyre bazë prej Luftës së Dytë. Madje ata që planifikonin luftërat e Irakut kanë përmendur në mënyrë eksplicite pushtimet e Gjermanisë dhe Japonisë.

Asnjë perandori nuk mund të ketë jetëgjatësi përmes një sundimi të drejtpërdrejtë. Nazistët ishin ndoshta shembulli më i mirë. Ata u përpoqën të qeverisin Poloninë në mënyrë të drejtpërdrejtë, pushtuan territore sovjetikë, mënjanuan Vichy-në me qëllim që të qeverisnin jo gjysmën, por të gjithë Francën, e kështu me radhë. Britanikët, nga ana tjetër, qeverisën Indinië me një shtresë të hollë zyrtarësh dhe oficerësh si dhe një strukturë më të madhe biznesmenësh që përpiqeshin të nxirrnin fitimet e tyre. Eshtë e qartë që britanikët bënë më mirë. Gjermanët u rraskapitën jo vetëm duke u tendosur tej mase, por edhe duke “devijuar” trupa dhe administratorë, me qëllim që të mbikëqyrnin në mënyrë të drejtpërdrejtë disa vende. Britanikët mundën ta kthejnë perandorinë e tyre në diçka jashtëzakonisht shumë të rëndësishme për sistemin global. Gjermanët dëmtuan vetveten.

SHBA dolën në vitin 1992 si e vetmja fuqi globale e ekuilibruar. Pra, ishte i vetmi vend që mund të ushtronte fuqi ekonomike, politike dhe ushtarake në nivel global. SHBA ishte dhe mbetet shumë e fuqishme. Megjithatë, kjo është shumë ndryshe nga gjithëpushtetshmëria. Po të dëgjosh politikanët që debatojnë për Rusinë, Iranin apo Jemenin, të krijohet përshtypja se ata ndiejnë që fuqia e SHBA nuk ka limite. Gjithmonë ka limite, dhe perandoritë mbijetojnë kur i pranojnë dhe i respektojnë ata. Limiiti parësor i perandorisë amerikane është i njëjti me ata të perandorive britanike dhe romake: demografia. Në Eurazi – Azia dhe Europa të marra së bashku – amerikanët janë më të paktë në numër, që në çastin që vënë këmbë në tokë. Ushtria e SHBA është e ndërtuar përreth shumëfishuesve të forcës, armëve që mund të shkatërrojnë armikun, përpara se armiku të shkatërrojë forcën relativisht të vogël që dërgohet. Ndonjëherë kjo strategji funksionon. Por në terma kohëgjatë, nuk mundet. Armiku mundet ta përthithë fërkimin shumë më shpejt se sa forca amerikane. Ky mësim u mor në Vietnam dhe u përsërit në Irak dhe Afganistan. Iraku është një vend me 25 milion banorë. Amerikanët dërguan afro 130 mijë trupa.

Dërgimi i një force të madhe në Eurazi është i papërballueshëm, përveç rasteve të veçantë kur forca e madhe nevojitet patjetër në një vend ku është e rëndësishme të fitosh. Këta raste janë zakonisht shumë të paktë. Përndryshe, e vetmja strategji është lufta indirekte: zhvendosja e barrës së luftës tek ata që duan ta mbajnë, ose nuk mund ta shmangin. Gjatë viteve të parë të Luftës së Dytë Botërore, lufta indirekte u përdor për të mbështetur Mbretërinë e Bashkuar dhe Bashkimin Sovjetik kundër Gjermanisë.

Ka dy lloje të luftës indirekte. I pari është mbështetja e forcave vendase, interesat e të cilave janë paralele. Kjo gjë u bë në fazat e hershme në Afganistan. E dyta është ruajtja e një ekuilibri fuqish mes shteteve. Këtë formë po e shohim në Lindjen e Mesme dhe në lëvizjet e SHBA ndërmjet

katër fuqive kryesore të rajonit – Iranit, Arabisë Saudite, Izraelit dhe Turqisë – duke mbështetur herë njërën, e herë tjetrën, në një lëvizje ekuilibruese të vazhdueshme. Në Irak, gjuajtësit amerikanë kryejnë sulme paralelisht me forcat iraniane në terren. Në Jemen, SHBA mbështet sulmet ajrore saudite kundër hutitëve, të cilët janë stërvitur nga Irani.

Ky është thelbi i perandorisë. Britanikët thonë se nuk ka miq të përhershëm apo armiq të përhershëm, por ka vetëm interesa të përjetshme. Kjo klishe e vjetër është, ashtu si shumica e klisheve, e vërtetë. SHBA po e nxjerrin këtë mësim. Në shumë drejtime, SHBA ishte shumë më joshëse atëherë kur i kishte të përcaktuar qartë armiqtë dhe miqtë e vet. Por ky është një luks që perandoritë nuk e përballojnë dot.

Ndërtimi i një sistemi ekuilibri
Ne tani po shohim SHBA që riekuilibron strategjinë e saj duke mësuar të ekuilibrojë. Një fuqi globale nuk mund të përballojë përfshirjen e drejtpërdrejtë në një numër konfliktesh, me të cilat do të ndeshet përreth botës. Kështu do të rraskapitej me shpejtësi. Duke përdorur mjete të ndryshëm, ajo duhet të krijojë ekuilibra rajonalë dhe globalë, pa e uzurpuar sovranitetin e brendshëm. Hileja qëndron në krijimin e situatave ku shtetet e tjerë duan të bëjnë atë që është në interes të SHBA.
Kjo është një sipërmarrje e vështirë. Hapi i parë është përdorimi i stimujve ekonomikë për të ndikuar në sjelljen e shteteve të tjerë. Këtë nuk e bën Departamenti i Tregtisë i SHBA, por e bëjnë bizneset. Hapi i dytë është të ofrohet ndihmë ekonomike për vendet në vështirësi. Hapi i tretë është ofrimi i ndihmës ushtarake. I katërti është dërgimi i këshilltarëve. I pesti është dërgimi i trupave. Kapërcimi nga niveli i katërt në të pestin është më i vështiri. Forca që dërgohet nuk duhet të përdoret pothuajse asnjëherë. Por kur këshilltarët dhe ndihma nuk e zgjidhin një problem që duhet zgjidhur urgjentisht, atëherë e vetmja forcë që mund të përdoret është ajo e trupave. Legjionet romakë përdoreshin me kursim, por kur përdoreshin, ata ishin të pandalshëm.

Përgjegjësitë e perandorisë
Kam folur qëllimisht për SHBA si perandori, duke e ditur që ky term është i interpretueshëm. Ata që e quajnë SHBA një perandori zakonisht e bëjnë duke nënkuptuar, që është në një farë mënyre e keqe. Të tjerë do të preferonin ta quanin ndryshe, nëse do të mundeshin. Por duhet patjetër të përballojmë realitetin ku ndodhet SHBA. Eshtë gjithmonë mirë të jesh i ndershëm, sidomos me veten. Por më e rëndësishmja, nëse SHBA e mendon veten si perandori, atëherë do të fillojë të mësojë mësimet e fuqisë imperiale. Asgjë nuk është më e dëmshme se sa një perandori që e përdor shkujdesur fuqinë e saj.

Eshtë e vërtetë që SHBA nuk donin qëllimisht të bëheshin perandori. Eshtë gjithashtu e vërtetë se qëllimet e saj, në një mënyrë apo një tjetër, nuk kanë rëndësi. Rrethanat, historia dhe gjeopolitika kanë krijuar një entitet që, edhe nëse nuk është perandori, të paktën duket si e tillë. Perandoritë mund të mos jenë aspak shtypëse. Persët ishin liberalë në tërësi. Ideologjia amerikane dhe realiteti amerikan nuk janë të papajtueshëm. Por dy gjëra duhet të thuhen: Së pari, SHBA nuk mund të heqë dorë nga fuqia që ka. Nuk ka mënyrë praktike për ta bërë. Së dyti, duke parë madhësinë e kësaj fuqie, SHBA do të përfshihet në konflikte, do apo nuk do. Perandoritë shpesh shkaktojnë frikë, ndonjëherë respektohen, por asnjëherë nuk duhen nga pjesa tjetër e botës. Dhe nuk mund t’ia hedhësh askujt, duke pretenduar se nuk je perandori.

Ekuilibrimi aktual në Lindjen e Mesme përbënnjë riekuilibrim themelor të strategjisë amerikane. Eshtë end ei paqartë dhe jo i mirëmenduar, por po ndodh. Dhe për pjesën tjetër të botës, ideja se po vijnë amerikanët do të bëhet gjithnjë e më e rrallë. SHBA nuk do të ndërhyjnë. Do të kontrollojnë situatën, ndonjëherë në dobi të një vendi, e ndonjëherë në dobi të një tjetri. Geopolitical Weekly / Bota.al

Leave a Reply

Back to top button