Analiza

I pakorrigjueshmi Kissinger

Kur ishte bashkëautor i politikës së jashtme amerikane, në rolin e Këshilltarit për Sigurinë Kombëtare të Richard Nixonit dhe më pas Sekretar Shteti në fillimin e viteve shtatëdhjetë, Kissingeri arrinte të manipulonte levat e këtij sistemi me një mjeshtëri që do ta kishte magjepsur Metternichun. Duke lënë mënjanë dallimet ideologjike dhe të vlerave me Amerikën, ai i dha shtysë një politike çtensionimi me Bashkimin Sovjetik dhe ka favorizuar një politikë hapjeje kundrejt Kinës, për t’i vënë më pas njëri kundër tjetrit me qëllim krijimin e një ekuilibri trekëndor forcash në avantazh të Shteteve të Bashkuara, që arritën kështu të ruajnë ndikimin e tyre pas tërheqjes nga Vietnami

C2403-4AKur Henry Kissingeri flet për rend botëror, dikush mund të krijojë përshtypjen që ai po jeton në një shekull paraardhës. Ndoshta i XVII-i. Nuk është rastësi që, duke filluar nga teza e tij e doktoraturës, e arritur në Harvard gjashtëdhjetë vjet më parë, ai ka përforcuar gjithmonë këtë ide, e lindur në vitin 1648 pas Paqes së Vestfalisë, e cila i dha fund luftës tridhjetë vjeçare. Që atëherë, sistemi ndërkombëtar europian nuk ishte produkt i luftërave fetare dhe i spazmave të fundit të Perandorisë së Shenjtë Romake, por bazohej mbi shtete-kombe të pavarur, secili sovran në fushën fetare dhe në sfera të tjera, mbi territorin e vet. Asnjë shtet nuk do të ndërhynte në punët e brendshme të të tjerëve dhe rendi do të ruhej, në teori, prej statistëve të zotë, të ndjeshëm ndaj interesave kombëtarë dhe ruajtjes së një ekuilibri të fuqive.
Kissingeri, siç e ka kujtuar edhe ai vetë më vonë, kishte filluar të vlerësonte rendin pasi familja e tij ishte larguar nga Gjermania e Hitlerit në vitin 1938 dhe kishte shkuar në Nju Jork, ku ai u vetëdijësua se nuk kishte më nevojë për të kaluar rrugën, me qëllim që të keqtrajtohej prej të rinjve jo hebrenj. Dhe u bë një ndjekës i shkollës realiste, e cila i kundërvihej asaj idealiste, në fushën diplomatike, i bindur se një politikë e jashtme shumë e kushtëzuar prej parimeve moralë dhe prej një fryme kryqëzate mund të ishte e rrezikshme. “Problemi më i rëndësishëm për politikën”, shkruante Kissingeri në tezën e tij të doktoraturës, “nuk është ai i shtypjes së impulseve të këqinj, por i mbajtjes nën fre të etjes për drejtësi”.
Shokët e tij të shkollës në fakultetin e shkencave politike të Harvardit e dëshironin zgjedhjen e tij të argumentave. Bomba atomike, sipas tyre, e kishte ndryshuar thellësisht politikën ndërkombëtare. Dhe njëri prej tyre i sugjeroi, me “keqdashje”, që të rregjistrohej në fakultetin e historisë.
Edhe ne mbetemi të habitur përballë lajmit që Kissingeri, në moshën 91 vjeç, është rikthyer të “filtrojë” sistemi vestfalian, në librin e tij më të fundit, i gjashtëmbëdhjeti në 60 vite, me titullin e thjeshtë: “Rendi botëror. Respekt për sovranitetin?” Sa e çuditshme! Nuk ka dëgjuar asnjëherë që rreziqet e shfaqur tashmë nga të gjitha anët përshkojnë çfarëdolloj kufiri, që ne kemi detyrën humanitare të mbrojmë popullsitë e vendeve të dominuar prej regjimeve shtypës?
Pikërisht për këtë arsye kemi hequr dorë nga Realpolitika, në favor të një “Agjende të Lirisë” që përfshinte pushtimin e Irakut për përhapjen e demokracisë në Lindjen e Mesme, përmbysjen e qeverisë së Muamar Gedafit në Libi me motivacione humanitare dhe jemi përpjekur (të paktën deri kur u shfaq Shteti Islamik) të bëjmë të njëjtën gjë me Bashar Asadin në Siri.
Ndoshta… por po të reflektosh me kujdes, likuidimi i sistemit vestfalian, braktisja e parimit të respektimit të sovranitetit dhe lejimi që idealizmi të mbyste realizmin, mbase nuk ka qenë një ide e mirë, në fund të fundit. Dhe nëse është kështu, atëherë libri i ri i Kissingerit nuk duket aspakt i kohës. SHBA do të bënin mirë të dëgjonin këshillën e tij për të korrigjuar idealizmin e tyre me një dozë të re realizmi. “Parimet vestfalianë janë sot e vetmja bazë përgjithësisht e pranuar e atij që mund ta konsiderojmë një rend botëror”.
Libri i tij na udhëheq në një udhëtim të dobishëm dhe shumë interesant në historinë e botës, duke ndjekur linjën e kërkimit të rendit, nga Kardinali Richelieu dhe Metternich dhe Bismarck, nga ministri indian Kautilya i shekullit IV pas Krishtit, deri tek Sulltani otoman Sulejmani si dhe një seri presidentësh amerikanë, që fillon me Teddy Rooseveltin dhe Woodrow Wilsonin. Një histori që e ka kulmin në vendosjen e një rendi botëror të bazuar në shtetet-kombe sovranë në fundin e Luftës së Dytë Botërore. “Në mesin e shekullit XX”, shkruan Kissingeri, “ky sistem ndërkombëtar ishte në fuqi në të gjithë kontinentet”.
Kur ishte bashkëautor i politikës së jashtme amerikane, në rolin e Këshilltarit për Sigurinë Kombëtare të Richard Nixonit dhe më pas Sekretar Shteti në fillimin e viteve shtatëdhjetë, Kissingeri arrinte të manipulonte levat e këtij sistemi me një mjeshtëri që do ta kishte magjepsur Metternichun. Duke lënë mënjanë dallimet ideologjike dhe të vlerave me Amerikën, ai i dha shtysë një politike çtensionimi me Bashkimin Sovjetik dhe ka favorizuar një politikë hapjeje kundrejt Kinës, për t’i vënë më pas njëri kundër tjetrit me qëllim krijimin e një ekuilibri trekëndor forcash në avantazh të Shteteve të Bashkuara, që arritën kështu të ruajnë ndikimin e tyre pas tërheqjes nga Vietnami.
Por kjo politikë realiste e bazuar mbi mbrojtjen e interesave strategjikë kombëtarë është e vështirë të mbështetet në një demokraci e cila lartëson jashtëzakonshmërinë e saj morale. “SHBA kanë alternuar mbrojtjen e sistemit vestfalian, duke refuzuar kushtet e tij, të bazuar në parimet e ekuilibrit të forcave dhe mosndërhyrjes në punët e brendshme të vendeve të tjerë, të konsideruar si imoralë dhe të vjetëruar”, thotë Kissingeri. Dhe fakti që ai dhe Nixoni nuk arritën as të gërvishtin dhe aq shumë idealizmin e rrënjosur në ADN-në e Amerikës, e ka bërë të pasigurtë mbështetjen popullore për politikën e tyre realiste. Kissingeri është sulmuar nga idealistët dhe mbi të gjitha nga neokonservatorët, si dhe antikomunistët e palëkundur të të djathtës. Dhe reagimi ndaj realizmit të tij kontribuoi në fitoret elektorale si të Jimmy Carterit, edhe të Ronald Reaganit.
Ndonëse Kissingeri vë rregullisht theksin në rëndësinë e idealizmit në traditën amerikane, pothuajse gjithmonë ky konstatim pasohet nga një “por”. “Amerika nuk do të ishte besnike ndaj vetvetes nëse do ta braktiste këtë idealizëm të thellë”, pranon ai. “Por për të qenë efikasë, këto aspirata duhet të kundërbilancohen nga një analizë e ftohtë e aktorëve në lojë”. Ky alternim “po… por”, ku theksi vihet gjithmonë tek “por”-i përshkon gjithë analizën e tij dhe gjallëron çdo kapitull të librit të tij.
Nevoja për një realizëm të rinovuar, thotë Kissingeri në mënyrë bindëse, vlen mbi të gjitha për Lindjen e Mesme, ku xhihadistët kanë shkatërruar sistemin e shtetit-komb me aspiratën e tyre për një revolucion global të bazuar mbi vlerat fetare ekstremiste. Kjo kryengritje e rrezikshme është lehtësuar pjesërisht prej vendimeve të motivuar moralisht, por të dyshimtë strategjikisht të SHBA, në mbështetjen e një ndryshimi regjimi dhe vendosjen e një demokracie të llojit perëndimor në Irak, Libi, Egjipt, Afganistan dhe Siri.
Në rastin e Afganistanit, Kissingeri ka mbrojtur sulmin fillestar kundër al Kaedës dhe mbrojtësve të saj talebanë, por hedh një vështrim skeptik në retrospektivë, ndaj misionit më të gjerë që e pati fillimin në vitin 2003. “Objektivi parësor i amerikanëve dhe aleatëve të tyre u bë ai i “rindërtimit të Afganistanit” nëpërmjet një qeverie demokratike, pluraliste, transparente, autoriteti i të cilës duhej të pranohej në të gjithë vendin”. Por kjo “ribërje radikale e historisë afgane” nuk ishte e mundur: “Asnjë institucion në historinë e Afganistanit apo cilësdo pjesë të këtij vendi nuk kishte ofruar një bazë mbi të cilën të ngrihej një projekt kaq i madh”.
Edhe në rastin e Irakut, Kissingeri kishte mbështetur fillimisht ndërhyrjen për të përmbysur regjimin e Sadam Huseinit, por me një farë rezerve. “Kisha dyshime, që i kisha shprehur publikisht dhe në institucione zyrtarë, në lidhje me idenë e shtrirjes së këtij misioni drejt rindërtimit të plotë të vendit dhe për t’i ngarkuar një detyrë kaq të madhe”.
George W. Bushit dhe administratës së tij i vë fajin për nisjen e kryqëzatave idealiste që injoronin realitetin në terren. Siç thoshte Bushi në një fjalim të vitit 2003, “demokracia irakene do të ketë sukses dhe kjo gjë do të përhapë lajmin e mirë, nga Damasku në Teheran, se demokracia mund të jetë e ardhmja e çdo kombi”. Por ky ideal nuk kishte baza realiste. “Tentativa e realizimit të vlerave amerikane përmes një pushtimi ushtarak të një pjese të botës, ku nuk kishte kurfarë rrënjësh historike e bëri përpjekjen amerikane në Irak të duket si mundimi i Sizifit”.
Pavarësisht ndërhyrjeve kardiokirurgjikale të cilave iu nënshtrua këtë vit, Kissingeri, sot 91-vjeçar, është si një luan në një dimër të gjatë. 40 vjet pas postit të fundit qeveritar, është në mënyrë konstante i pranishëm në trenat e shpejtësisë së lartë që lidhin Nju Jorkun me Uashingtonin, si dhe kryen udhëtime të rregullt në Rusi dhe Kinë, ku pritet nga autoritetet më të lartë. Analizat e tij mbeten largpamëse. Pikërisht kur ishte mbërritur në “larjen e hesapeve” në lidhje me armët kimike të Sirisë vitin që kaloi, Kissingeri ishte për darkë në Nju Jork me disa ekspertë ushtarakë dhe të shërbimeve të fshehtë, që diskutonin mbi atë që mund të ndodhte. Parashikimi i tij ishte që Rusia do të ndërhynte menjëherë për të ofruar një zgjidhje të mundshme të problemit të këtyre armëve, që nga momenti kur Moska dhe Uashingtoni kishin një interes të përbashkët strategjik për të mos lejuar që të binin në duart e terroristëve. Dy javë më vonë, pikërisht kjo ndodhi. Ai thotë gjithashtu se ishte gabim që të shpallej përmbysja e regjimit të Asadit një objektiv politik, pa ditur se nga çfarë do të zëvendësohej, sepse ndoshta kjo do të shkaktonte një luftë civile kaotike të dominuar nga forcat xhihadiste më radikale.
Për tezën e diplomës në vitin 1950, Kissingeri kishte zgjedhur si temë “Domethënia e historisë”: 383 faqe kushtuar përpjekjes për të gjetur një lidhje mes filozofive të Immanuel Kantit, Osvald Spenglerit dhe Arnold Toynbees, duke përmendur edhe idetë e Kartezit, Dostojevskit, Hegelit, Humes, Sokratit dhe Spinozës. E gjitha shoqërohej edhe nga një kapitull me titullin: “Një shtytje nga poezia”, ku i referohej Dantes, Homerit, Virgjilit dhe Miltonit. Dhe në një pikë të caktuar deklaronte se “Cogito ego sum” i Kartezit nuk ishte në të vërtetë i domosdoshëm”.
Libri i tij i fundit përmbyllet me një shënim të ndryshëm, përulësie: një tipar që në pjesën më të madhe të karrierës së tij ka bërë gjoja sikur e ka patur. “Shumë kohë më parë, në rininë time, isha shumë mendjemadh, aq sa të mendoja që mund të shpjegoja “Domethënien e historisë”. Sot e di që kjo duhet kërkuar, jo shpallur”.
Celësi i realizmit të Kissingerit në politikën e jashtme është tema në qendër të librit të ri dhe kjo përulësi është e rëndësishme jo vetëm për njerëzit, por edhe për shtetet, përfshirë SHBA. Sipas gjykimit të tij, progresi drejt një rendi botëror të bazuar mbi “dinjitetin e shteteve dhe mbi një sistem koordinimi me pjesëmarrje” është një ideal fisnik. “Por ky objektiv final mund të arrihet vetëm nëpërmjet një serie etapash ndërmjetëse”. /
* Walter Isaacson është president i Aspen Institute dhe ish Drejtor i “Time”. Eshtë autor i biografive të Henry Kissinger, Beniamin Franklin, Albert Einstein, Steve Jobs etj.

SHQIPERUAR NGA www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button