Analiza

Pakti franko-gjerman që shtyn Kameronin jashtë BE-së

Merkel dhe Holond do të paraqesin një plan për reformimin e BE-së, që nuk përfshin ndryshimin e traktateve të BE-së, një premtim ky i kryeministrit britanik Kameron, para mbajtjes së referendumit

Screen Shot 2015-05-28 at 16.22.43

Marrëveshja që kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Fransua Holond nënshkruan disa ditë më parë, mund të përmblidhet me pak fjalë: reformimi i Evropës duhet të “zhvillohet në kuadër të traktateve ekzistuese”. Një goditje kjo ndaj fushatës së kryeministrit britanik Dejvid Kameron, dhe një shtytje drejt largimit të Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian.

Në fakt, shprehja e përdorur nga të dy udhëheqësit evropianë, do të thotë se nuk është në qëllimin e dy vendeve, marrja parasysh e rihapjes së traktateve dhe modifikimin e tyre të mundshëm. Pakti i Integrimit, që Franca dhe Gjermania do të paraqesin në datën 25 qershor në samitin e BE-së në Bruksel, është një reagim i ashpër ndaj deklaratave, që kryeministri britanik po bën prej ditësh. Referendumi i parashikuar për në vitin 2017, është bërë në fakt çështja kryesore e debatit në Britani të Madhe, si dhe ndërmjet anëtarëve të unionit.

BKT Reklama

Gjatë fushatës zgjedhore, Kameron u kishte premtuar zgjedhësve të tij, jo vetëm të votonin në një referendum për qëndrimin ose daljen nga BE, por edhe se në muajt para tij, do të ndërmarrë konsultime dhe bëjë gjithçka, që të propozojë reforma radikale të Evropës, për t’i mundësuar kësisoj popullit britanik të zgjedhë lirisht, nëse do të qëndrojnë apo jo i lidhur me Brukselin.

Një mënyrë për të thënë, se nëse do të shkohej të votohej sot, ndoshta shumica do të shpreheshin pro largimit. Shumë britanikë në fakt, e shohin BE-në si një frenues në garën ekonomike të Londrës, dhe për këtë arsye, Kameroni takoi pardje presidentin e BE Zhan Klod Junker, duke ritheksuar se nënshtetasit e kurorës “nuk janë aspak të kënaqur me statuskuonë”.

Pra, qëllimi i Kameron është që të rrisë aksionet me partnerët e tij, dhe për pasojë të kërkojë për një ndryshim thelbësor të Traktatit të Lisbonës. Udhëheqësi konservator dëshiron të gjenerojë një integrim fiskal dhe politik midis vendeve evropiane që të jetë pozitiv, një veprim për të cilin janë pjesërisht dakord kolegët e tij evropianë, që megjithatë kanë jo pak frikë nga rihapja e Traktateve, për shkak se ata e cilësojnë një hap në boshllëk, që do të çonte në negociata të gjata mes vendeve anëtare.

Dhe për të diskutuar këtë, këto ditë Kameroni do të takohet në Kopenhagë me kryeministrin danez Hele Torning-Shmid, në Hagë me homologun hollandez, Mark Rute dhe me presidentin francez Holond në Paris. Pastaj në ditët në vijim, ai do të shkojë në Varshavë për tu takuar me kryeministrin polak Eva Kopac, para se të shkojë në Berlin, për të biseduar me kancelaren Merkel. Dhe nuk përjashtohet mundësia, që pjesë e bisedimeve të jetë dokumenti i nënshkruar nga Franca dhe Gjermania.

Propozimet, e publikuara paraprakisht nga “Le Monde”, paraqisin një projekt të reformës, të ndarë në 4 fusha:ekonomike, fiskale, politike dhe të konvergjencës sociale. Një ide, që do përputhte vullnetin e Gjermanisë për të riafirmuar parimin e stabilitetit ekonomik, dhe kërkesën franceze për investim më të madh.

Partneriteti franko-gjerman, të kujton vitet e para të ndërtimit të Bashkimin Evropian, por këtë herë mund të vërë në rrezik stabilitetin e gjithë unionit. Kameron ishte i qartë:Një gjë në gjithë këtë histori do të jetë e qëndrueshme, dhe kjo është vendosmëria ime, për t’i garantuar popullit britanik një reformë të Bashkimit Evropian, në mënyrë që të bëjë një zgjedhje të saktë në referendum”.

Megjithatë, nëse do të miratohet linja e reformave vetëm periferike, të planifikuara nga Merkel dhe Hollond, atëherë kryeministri britanik mund të gjendet në një pozicion disi të vështirë. Në fakt, në qoftë se ndryshimet e BE-së, do të duken të shumë të dobëta, mbështetja e “jo”-së në referendum do të ishte shumë e rrezikshme.

Përkundrazi, në rast se arrihet të ndryshohet Taktati i Lisbonës, Kameron do të jetë pastaj në gjendje për t’i thënë elektoratit se ajo që ai arriti, është e mjaftueshme për ta cilësuar anëtarësimin e Britanisë së Madhe në projektin evropian, si ekonomikisht të favorshëm. Përndryshe, ka të ngjarë që britanikët të votojnë në favor të braktisjes së Evropës. Dhe ky do të ishte “faji” i Merkel dhe Holond.

CDS – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button