AnalizaMAIN

Palestina imagjinare

Evropianët po njohin një shtet që nuk ekziston dhe që, po të varej prej tyre, s’do të ekzistonte kurrë

«Ishte prekëse ta shihje Sir Starmer-in të shpallte javën e kaluar, nga një korridor i Downing Street, vendimin e qeverisë së tij për të njohur shtetin e Palestinës», shkruan Douglas Murray në The Spectator. «Starmer ndërmori këtë veprim “të guximshëm” njëkohësisht me homologët e tij francez, kanadez dhe australian. Por, si në rastin e Emmanuel Macron-it, Mark Carney-t dhe njëfarë Anthony Albanese, dukej se ishte viktimë e një sërë keqkuptimesh. I pari ishte ideja se kjo do të bënte ndonjë ndryshim. Starmer dhe homologët e tij jashtë vendit duken se besojnë gabimisht se krijimi i shteteve është ende në duart e tyre. Mendoja se gjenerata aktuale e së majtës përçmonte fuqitë imperialiste perëndimore që kryenin ndërhyrjet e tyre koloniale në rajone të huaja. Por me sa duket s’është kështu, nëse “shteti” në fjalë quhet Palestinë.

Arsyeja e dytë pse njoftimi ishte kaq pak i rëndësishëm është se nuk ekziston asnjë nga parakushtet për shtetin palestinez.

Nuk ka një lidership palestinez koherent. As që ekziston një territor palestinez i pandërprerë. Tani ngulin këmbë në mënyrë të paqartë për zgjedhje, por herën e fundit që palestinezët votuan, votuan për Hamasin.

Nuk ka marrëveshje se cilat do të jenë marrëdhëniet mes “Palestinës” dhe fqinjit të saj më të afërt. Dhe as për kryeqytetin e kësaj Palestine nuk ka dakordësi. Kush do ta mbikëqyrë arsimin në këtë shtet të ri? A do të jetë një tjetër organizatë “mrekullibërëse” e Kombeve të Bashkuara, që do t’u lejojë xhihadistëve të indoktrinojnë një brez tjetër palestinezësh me idenë se qëllimi i tyre më i lartë në jetë është çrrënjosja e hebrenjve? A do të ketë një aeroport apo një ushtri?

Ndoshta Starmer, David Lammy dhe Yvette Cooper kanë një plan të qartë — ose një “rrugë” — për t’iu përgjigjur të gjitha këtyre pyetjeve, duke shpjeguar edhe propozimet e tyre të sakta për shkëmbime popullsie për zonat A, B dhe C të Judesë dhe Samarisë. Dhe supozoj se, pasi qeveria jonë të ketë përcaktuar kujt i përket territori dhe t’i ketë njoftuar popullsinë vendase se është gati të dërgojë trupa britanike për ta zgjidhur çështjen, do të ketë një mirëseardhje të madhe pozitive në rajon, nga të gjitha palët, për mbërritjen e këtyre “mbrojtësve” britanikë.

Atëherë, cila është saktësisht logjika e të njohurit diçka që nuk ekziston dhe për të cilën s’do të gjendet marrëveshje?

Hamas iu përgjigj njoftimeve duke falënderuar Starmer-in dhe homologët e tij. Sipas tyre, njohja e shtetit është një shpërblim për masakrat e kryera më 7 tetor 2023 dhe për dy vitet e luftës që pasuan. Është një mësim i jashtëzakonshëm t’u mësosh terroristëve në Gaza, si edhe gjetkë, që gjithçka që duhet të bësh, nëse do një shtet që e ke refuzuar vazhdimisht, është të vërshosh nëpër fshatra dhe të hapësh rrugën duke vrarë e dhunuar, duke marrë pengje përgjatë udhës. Më habit disi që, duke parë “suksesin” e veprimeve të Hamasit, njerëz me arsye shumë më të forta për të kërkuar një shtet — si kurdët për shembull — nuk vendosin të shkojnë të dhunojnë e djegin edhe ata nëpër fshatrat fqinj.

Ç’kuptim ka të njohësh diçka që nuk ekziston dhe për të cilën s’do të gjendet marrëveshje?

Ndërkohë, u desh sekretari amerikan i shtetit Marco Rubio për të vënë në dukje diçka që asnjë prej politikanëve tanë nuk do ta thoshte: arsyeja kryesore pse këto qeveri janë sjellë në këtë mënyrë s’ka të bëjë fare me punët ndërkombëtare. Qeveritë e mëparshme janë përpjekur për më shumë se një shekull t’i bindin palestinezët të pranojnë një shtet që bashkëjeton me fqinjin e tyre hebre. Çdo iteracion i lidershipit palestinez që atëherë e deri tani ka qenë i një mendjeje: një shtet Palestinë duhet të përfshijë të gjitha vendet fqinje — përfshirë Izraelin — dhe ky shtet palestinez duhet të jetë krejtësisht pa hebrenj.

Pra, jo, asgjë nga këto s’ka të bëjë me një kthesë negociuese.

Ka të bëjë — siç tha Rubio — me presionin politik të brendshëm në çdo vend perëndimor.

Përveçse vuri në dukje se këto “njohje” kanë kontribuar në dështimin e negociatave me Hamasin për dorëzimin e 48 pengjeve të mbetura, Rubio theksoi se Britania e Madhe dhe shokët e saj e kanë njohur shtetin e Palestinës vetëm sepse politikat e imigracionit të vendit tonë na kanë përmbytur me të huaj që janë bërë politikisht aktivë dhe këmbëngulin që qeveria e tyre të bëjë gjëra të tilla. Është një gjuhë që asnjë politikan britanik s’do të preferonte ta përdorte. Po ta bënin, do të sillte debate të dhimbshme në divanet e BBC-së.

Megjithatë, Rubio ka të drejtë.

Gjatë dy viteve të fundit kam kaluar kohë në secilin prej vendeve që sapo kanë njohur shtetin palestinez dhe në secilin prej tyre mund të vërehet i njëjti skemë. Nga Kanadaja në Australi, nga Mbretëria e Bashkuar në Francë, secili prej këtyre katër vendeve ka parë protesta të përsëritura nga emigrantë myslimanë që kërkojnë një “Palestinë të lirë”. Sigurisht, nuk bëhet fjalë vetëm për emigrantë. Janë edhe disa shpirtra të humbur që kanë vendosur se qëllimi i jetës së tyre mund të gjendet më së miri duke u lyer flokët blu, duke vënë një shami në stilin e “terroristit palestinez” dhe duke këmbëngulur se askush s’do të jetë i lirë derisa “Palestina” të jetë e lirë. Nëse mendoni se frikësimi prej këtyre turmave nuk ka efekt, mendoni se si një protestë pro-palestineze ndryshoi rrjedhën e procedurave parlamentare në Westminster në fillim të vitit të kaluar. Siç deklaroi në atë kohë ish-kryeministri Rishi Sunak, po formohet një “konsensus në rritje se fuqia e turmës po zëvendëson fuqinë demokratike” — një vëzhgim që u injorua sapo u bë.

Ose shikoni Italinë, ku qeveria e Giorgia Meloni-t nuk iu bashkua garës për krijimin e një shteti. Në përgjigje, një turmë marshoi në qendër të Milanos me kefije të detyrueshme dhe një grup tentoi të sulmonte Stacionin Qendror duke u përplasur me forcat e rendit.

Mund të vijë një ditë kur një shtet palestinez mund të ekzistojë. Por kushtet për ekzistencën e atij shteti aktualisht nuk ekzistojnë. Starmer dhe të tjerët s’kanë bërë asgjë për të kontribuar në paqen në Lindjen e Mesme. Por supozoj se ia dolën ta shtyjnë edhe një ditë përballjen me problemet tona dhe të ruajnë një farë shkalle “paqjeje” brenda vendit, për momentin». / bota.al

Back to top button