Analiza

Paqe në një kohë ekstremesh

Michel Rocard
Ish Kryeminister i Frances

Por për fuqitë perëndimore, sidomos SHBA, ruajtja e këtyre ekuilibrave të brishtë ka dalë në plan të dytë, pas interesave strategjikë, sidomos aksesit në naftën e rajonit. Nëse këta vende do të ishin duke u përpjekur të përmirësonin jetën e popullsive arabe, siç pretendojnë qeveritë e tyre, ata do të kishin nxitur bashkëjetesën, laicizmin dhe stabilitetin. Por në vend të këtyre, ata nisën ndërhyrje ushtarake destabilizuese

ISAF-AfghanistanJetojmë në një kohë progresi dhe marrëzie. Nga trenat e shpejtësisë së lartë, tek roboti në Mars, njerëzimi ka një etje të panginjshme për të shtyrë kufijtë dhe thyer rekorde. Por, ndërkohë që ambicia radikale mund të çojë përpara progresin, ajo mund të nxisë edhe mizorinë dhe shkatërrimin në masë të gjerë, siç e shohim sot në Irak, Siri, Gaza, Kinën perëndimore dhe gjetkë. Në një kohë ekstremesh, si mund të arrihet paqja?
Një gjë është e sigurtë: Komuniteti ndërkombëtar e ka humbur toruan. Një numër gjithnjë në rritje vendesh thjeshtë kanë refuzuar të ndihmojnë për të zgjidhur konfliktet e shumtë që kanë pllakosur botën, sidomos në Lindjen e Mesme. Ata që kanë ndërhyrë – qoftë për arsye në thelb strategjike, si në rastin e SHBA, qoftë për shkak të një ndjenje detyrimi për të mbrojtur shoqëritë, si në rastin e Francës – nuk kanë gjetur ende një qasje efektive. Disa kanë kërkuar madje t’i zgjasin konfliktet, duke besuar se kështu u shërbejnë interesave të tyre kombëtarë.
Sigurisht, fokusimi tek interesat kombëtarë është i pamjaftueshëm për të frenuar ekstremizmin fetar, kufizuar vuajtjet njerëzore, dhe parandaluar përkeqësimin e shoqërive. Duke patur parasysh faktorët që nxisin trazirat e sotme – lufta e Islamit me modernitetin, besimi irracional në efikasitetin e forcës për të zgjidhur problemet, dhe frika e përhapur gjerësisht, që shpesh herë buron prej dallimeve fetarë – adresimi i numrit të madh të problemeve në Lindjen e Mesme duhet të fillojë me udhëheqësit fetarë, jo politikë.
Sigurisht, Islami nuk është e vetmja fe që ka luftuar me modernitetin. Në fakt, pothuajse të gjithë fetë e madhe – nga judaizmi, tek kristianizmi dhe konfucianizmi – kanë lindur prej një dëshire për të ruajtur rendin e vendosur socio-politik. (Përjashtim bën Budizmi – më shumë një filozofi se sa një fe – që ka lindur prej refuzimit të strukturës së pabarabartë dhe të dhunshme të shoqërive Brahman).
Por, sado kokëfortësisht i rezistojnë ndryshimit udhëheqësit fetarë, forcat e zhvillimit ekonomik dhe social janë të pandalshme, dhe transformimi i marrëdhënieve mes gjinive, brezave dhe klasave është i pashmangshëm. Grupe të tjerë janë pajtuar me këtë realitet të pandryshueshëm më shpejt se sa Islami.
Hebrenjtë, të cilëve për një kohë të gjatë u mungoi territori i tyre, e gjetën modernitetin gjetkë, më pas e sollën në Izrael. Në Kinë, ndonëse klerikët dhe ushtarët bllokuan zhvillimin për shekuj të tërë, duke mos lejuar kontakte me jashtë, ngjitja e një regjimi antiklerik më në fund i hapi rrugën modernizimit. Dhe pas një lufte të gjatë dhe të vështirë, udhëheqësit e krishterë më në fund e pranuan nevojën për reforma.
Për Islamin, ai hap ka qenë shumë më i vështirë. Sundimtarët politikë dhe ushtarakë ia kanë dalë të mbledhin klerikët islamikë prapa rezistencës ndaj reformave, duke bërë të heshtë këdo që guxonte t’i sfidonte. Kjo gjë frenoi progresin social, politik dhe ekonomik për shumë myslimanë, sidomos gratë.
Si për t’i përkeqësuar gjërat, në shekullin 19 dhe fillimin e shekullit 20, pjesa më e madhe e botës myslimane u nënshtrua prej fuqive imperiale europiane. Ky poshtërim nxiti zemërim brenda shoqërive gjithnjë e më të fragmentuara, teksa disa grupe konkluduan se duhej të nisnin një luftë të shenjtë kundër të pafeve në perëndim.
Megjithëkëtë, në vende si Iraku, Siria dhe Egjipti, fuqitë laike mundësuan bashkëjetesën e besimtarëve, të paktën për pak kohë. Kolonizatorja perëndimore e Libanit, Franca, arriti madje të angazhojë secilin komunitet fetar në një marrëveshje bashkëekzistence – një skemë e cila frymëzoi përpjekje të ngjashme në Algjeri dhe në Iran në kohën e Shahut.
Por për fuqitë perëndimore, sidomos SHBA, ruajtja e këtyre ekuilibrave të brishtë ka dalë në plan të dytë, pas interesave strategjikë, sidomos aksesit në naftën e rajonit. Nëse këta vende do të ishin duke u përpjekur të përmirësonin jetën e popullsive arabe, siç pretendojnë qeveritë e tyre, ata do të kishin nxitur bashkëjetesën, laicizmin dhe stabilitetin. Por në vend të këtyre, ata nisën ndërhyrje ushtarake destabilizuese, nën përparimin fals të përhapjes së demokracisë, duke prishur kështu ekuilibrin e brishtë mes grupeve fetarë dhe etnikë në vende si Iraku dhe Siria.
Si rezultat, qeveri të udhëhequra nga sunitë, të cilat kishin gëzuar mbështetjen e perëndimorëve për marrëveshje bujare nafte – sidomos Arabia Saudite dhe Egjipti – u shndërruan në armiq të shiitëve, të cilët të mbështetur nga Irani, tashmë po përpiqeshin të rikthenin dinjitetin dhe identitetin e tyre. Rusia, me 9.4 milionë myslimanët e saj, mbështeti gjithashtu shiitët duke shpresuar se ngjitja e tyre do të zbehte ndikimin e Perëndimit në botën arabe.
Ndërkohë që lufta islamike ndaj modernitetit ka sjellë konflikt, përqafimi që Izraeli i ka bërë progresit ekonomik, teknologjik dhe social, i ka mundësuar atij të fitojë pesë luftëra, pa iu dashur asnjëherë të negociojë një marrëveshje paqeje. Për Izraelin, frika është thelbësore si burim motivimi, për shkak të pozicionit të tij mes vendeve arabë, por edhe si burim mbrojtjeje, përmes statusit të tij si një fuqi bërthamore klandestine.
Por, siç e tregon shpërthimi më i fundit i dhunës në Gaza, ka një limit në kapacitetin e frikës për të ndalur konfliktin. Nëshumë raste, ajo shkakton më shumë dhunë.
Po kështu, siç e tregojnë betejat e vazhdueshme në vende si Siria dhe Iraku, përdorimi i forcës nuk është një strategji efektive për të zgjidhur problemet. Ndonëse forca e kalibruar me kujdes, ndonjëherë arrin të reduktojë kostot njerëzore të një konflikti, ai që nevojitet realisht është kompromisi, i bazuar në mirëkuptimin që një mjedis i qëndrueshëm dhe pa konflikte është në interesin e të gjithëve.
Megjithatë, përpara se të kemi një kompromis politik, nevojitet një masë pajtimi fetar. Ndërkohë që udhëheqësit duken gjithnjë e më të gatshëm të komunikojnë me njëri-tjetrin, shumë pak është folur për paqen. Eshtë koha që besimtarët t’u kërkojnë klerikëve të tyre të ofrojnë atë që asnjë politikan nuk mundet: një urdhër për të respektuar të gjithë njerëzit, pavarësisht nga besimi i tyre. /Project Syndicate/
Titulli origjinal: “Peace at a time of extremes”
PERSHTATUR NE SHQIP NGA BOTA.AL (Per bashkepunim me bota.al na shkruani ne adresen [email protected])

Leave a Reply

Back to top button