
Fama ka ekzistuar që në fillimet e qytetërimit. Shkrimtarët e lashtë, poetët dhe filozofët e dinin që ajo ishte një forcë e rrezikshme – joshëse, por edhe e frikshme.
Romakët e quanin Fama dhe e përfytyronin si një grua me krahë që përhapej me shpejtësinë e erës, mbartëse e lajmeve, thashethemeve dhe legjendave.
Në mitologjinë greke, Hesiodi e përshkruante si një krijesë të keqe, e kollajtë për t’u ngjallur, por e pamundur për t’u ndalur. Një herë që ajo ngrihej në ajër, askush nuk mund ta kthente më mbrapsht.
Duket sikur njerëzimi gjithmonë ka pasur një marrëdhënie dashuri–urrejtje me famën. Ne e admirojmë, e dëshirojmë, e lakmojmë – por sapo e arrijmë, kuptojmë se çmimi që paguajmë është shumë më i lartë nga sa kishim menduar.
Kur fama është si patate të skuqura me salcë djegëse e djathë
Një metaforë e mrekullueshme e përshkruan famën si “chili cheese fries” – ajo pjatë që në menu duket mahnitëse: djathë, salcë, patate krokante, gjithçka që mund të të bëjë të lumtur për disa minuta.
Por sapo e provon, kupton që është shumë e rëndë, shumë e ngarkuar, shumë për t’u përballuar.
Në fund do të doje të kishe qëndruar tek patatet e thjeshta.
Fama është njësoj. Në fillim është e mrekullueshme – çdo vështrim drejtuar teje, çdo duartrokitje, çdo artikull që të përmend. Por pastaj fillon ngopja. Rrëketë e vëmendjes shndërrohen në përmbytje, dhe ajo që dikur të jepte adrenalinë, tani të shkakton ankth.
Fama si kupë me helm
Në shumë kultura, fama është përshkruar si një “kupë me helm”. Në fillim të deh, të ngroh, të bën të ndihesh i pavdekshëm. Por çdo gllënjkë më shumë që pi, të çon më afër helmit që ajo fsheh brenda.
Në një moment, vëmendja e botës bëhet si një dritë e fortë që djeg kudo ku ndriçon.
Në epokën e mediave sociale, ky helm është bërë më i kollajtë për t’u pirë. Kushdo mund të ketë “pesë minuta famë”, siç e parashikonte Andy Warhol, por ajo famë vjen shpesh pa përgatitje, pa filtra, pa masë.
Një video, një postim, një citim, mund të të kthejë në “të famshëm për një ditë” – dhe pastaj, në të harruar për gjithë jetën. Rrjeti nuk fal: ai të ngre shpejt, por të rrëzon edhe më shpejt.
Pse e duam famën?
Ndoshta sepse fama na jep ndjesinë më të thellë njerëzore: atë të të qenit i parë, i dëgjuar, i rëndësishëm. Në thelb, ajo është pasojë e dëshirës për dashuri dhe pranim. Por si çdo gjë që ushqehet nga mungesa, ajo rritet derisa të na gllabërojë.
Një aktor dikur tha: “Në fillim doja famën që njerëzit të më donin. Pastaj kuptova se më donin jo për atë që isha, por për atë që mendonin se isha.” Kjo është tragjedia e shumë njerëzve të famshëm: humbja e vetvetes në imazhin publik. Pak para se të kthente armën nga vetja dhe t’i jepte fund jetës në moshën 27 vjeçare, Kurt Cobain, lideri i grupit Nirvana shkruante: “Më mirë të më urrejnë për atë që jam, se sa të më duan për atë që nuk jam”.
Në momentin që bëhesh i njohur, ndoshta nuk të përket më jeta jote. Ajo bëhet pronë e publikut, e komenteve, e gjykimeve, e thashethemeve. Në vend që të jesh njeri, bëhesh “figurë”.
Epoka e famës për të gjithë
Sot, fama nuk është më privilegj i artistëve, politikanëve apo sportistëve. Eshtë bërë një formë valute sociale. Numri i ndjekësve, i pëlqimeve, i ndarjeve – këto janë monedhat e reja të epokës digjitale. Por edhe këtu, kur “vlera” rritet shumë shpejt, ajo bëhet e paqëndrueshme. Fama online është si një valë – të ngre për pak, dhe më pas të lë të përplasesh në breg.
Dhe një nga ironitë më të mëdha të kohës sonë është se askush nuk është më anonim, por të gjithë ndihen më të vetmuar se kurrë.
Rikthimi tek “patatet e thjeshta”
Në fund të ditës, shumë nga ata që kanë shijuar majat e famës, flasin për dëshirën për t’u kthyer në normalitet. Për të ecur në rrugë pa u ndjekur nga kamera. Për të ngrënë mëngjes pa menduar si dukemi në Instagram. Për të bërë gabime pa u gjykuar publikisht. Për të jetuar pa skenë.
Kjo është kthesa më e bukur e paradoksit: kur kupton se nuk është fama ajo që të bën të ndihesh gjallë, por liria për të qenë vetvetja.
Në fund, ndoshta mësimi i lashtë i Hesiodit mbetet po aq i vlefshëm sot: mos e zgjo Faman, sepse nuk do ta ndalësh dot më. / bota.al





