Analiza

PARALELE ME 1914-ën / Çfarë na mëson historia për krizën e Ukrainës

Christopher Clark*

Armed men, believed to be Russian servicemen, march outside an Ukrainian military base in the village of PerevalnoyeNë 100 vjetorin e Luftës së Parë Botërore, është tunduese të krahasosh ngjarjet në Ukrainë me 1914-ën. Por kriza aktuale ka pak ngjashmëri me situatën gjeopolitike të asaj kohe. Përgjigjet që fron historoia nuk janë aspak unike dhe absolute.

Emergjenca aktuale në Ukrainë – për këtë duket se të gjithë bien dakord – është e pasur me jehona historike. Po cilat histori, në vecanti, janë të lidhura me ngjarjet aktuale? Kompleksiteti i situatës në Ukrainë buron pikërisht prej shumësisë së narrativave të ndryshme historike që e kokolepsin. Një gjë është e qartë: kriza as mund të kuptohet, as mund të zgjidhet duke përdorur një logjikë historike të vetme.

100 vjet pas shpërthimit të Luftës së Parë Botërore, krahasimi me 1914-ën të vjen pashmangshmërisht në mendje në këtë përvjetor. Në kompleksitetin e vet, si dhe shpejtësinë e shkallëzimit, “Kriza e korrikut” të vitit 1914 nuk ka të ngjashme  në histori. Në 28 qershor të atij viti, trashëgimtari austriak i fronit dhe bashkëshortja e tij u vranë në Sarajevë prej studentëve serbo-boshnjakë, që vepronin për një rrjet ultranacionalist me qendër në Beograd. Qeveria austriake në Vienë ofroi mbështetjen e saj dhe vendosi t’i japë një ultimatum fqinjit serb. Berlini premtoi mbështetje për Austrinë në 5 korrik. E nxitur prej Parisit, Rusia zgjodhi të mbrojë klientin e saj serb duke u mobilizuar kundër Austrisë dhe Gjermanisë. E pakënaqur nga përgjigja e Serbisë ndaj ultimatumit të saj, Austria i shpalli luftë Serbisë. Rusia mobilizoi trupat kundër Austrisë dhe Gjermanisë. Gjermania i shpalli fillimisiht luftë Rusisë dhe pastaj Francës. Kjo e fundit i kërkoi ndihmë Londrës. Dhe në 4 gusht 1914, pas shkeljes që Gjermania i bëri neutralitetit të Bullgarisë, Britania hyri në luftë.

Konstelacione të ndryshëm gjeopolitikë

Hija e luftës është e dobishme, për të kujtuar se sa të tmerrshme mund të jenë kostot kur dështon politika, ndalet bashkëbisedimi dhe kompromisi bëhet i pamundur. Por në fakt, reshtimet në emergjencën e Ukrainës kanë shumë pak ngjashmëri me konstelacionet gjeopolitikë të vitit 1914. Në atë kohë, dy fuqi të mëdha u përballën me një trio të perandorive botërore në periferitë lindore dhe perëndimore të Europës. Sot, një koalicion i gjerë shtetesh të Europës perëndimore dhe qendrore është i bashkuar në protestën ndaj ndërhyrjes së Rusisë në Ukrainë. Dhe Kaiserreichu i pandalshëm dhe ambicioz gjerman i vitit 1914 nuk i ngjan aspak Bashkimit Europian, një kuadër shumëhstetëror paqeje që e ka të vështirë të projektojë fuqinë e tij apo të formulojë politika të jashtme.

Lufta e Krimesë e viteve 1853-1856 mund të ofrojë një krahasim më të mirë. Këtu, të paktën mund të flasim për një koalicion shtetesh “perëndimorë” të bashkuar kundër Rusisë imperiale. Kjo luftë, që në fund shkaktoi humbjen e mbi gjysmë milion jetëve, nisi kur Rusia dërgoi 800 mijë trupa në principatat danubiane të kontrolluara nga otomanët, në Moldavi dhe Vllahi. Rusia argumentoi se kishte të drejtën dhe detyrimin që të vepronte si mbrojtëse e të krishterëve ortodoksë brenda Perandorisë Otomane, pak a shumë sic pretendon sot se ka të drejtën të mbrojë interesat e rusëve etnikë në Ukrainë.

Por edhe këtu, do të ishte gabim të shkonim shumë larg me analogjinë. Në vitet 1850, fuqitë perëndimore druheshin se këto sulme të Rusisë ndaj otomanëve do të destabilizonin të gjithë zonën, nga Lindja e Mesme në Azinë Qendrore, duke dëmtuar sigurinë e perandorive botërore britanike dhe franceze. Përderisa perandoria otomane nuk ekziston më, mekanizmat e destabilizimit trans-imperial mungojnë në krizën e sotme, e cila ka të bëjë me marëdhënien mes Rusisë dhe një ish klienti të saj relativisht të izoluar në periferi.

Një dinamikë e padisiplinuar e revolucionit

Duke shkuar më tej pas në kohë, mund të dallojmë precedentë më të largët: aneksimi i pjesës lindore të Ukrainës nga Rusia pas vitit 1654 dhe evolucioni i saj në Kozakdom gjatë 150 viteve që pasuan, duke vazhduar me shtytjen poshtë drejt Krimesë, që nga koha e Pjetrit të Madh. Kjo është historia e gjatë dhe e ngadaltë e ekspansionit territorial të Rusisë, një proces që ka zgjatur me shekuj, në të cilin Moska fitonte cdo vit mesatarisht një hapësirë me sipërfaqe sa Hollanda e sotme.

Ajo cfarë nuk rrokin asnjë prej këtyre analogjive historike, është dinamika e padisiplinuar e revolucionit dhe protestës civile në Ukrainë sot, një fenomen që kujton precedentë shumë të ndryshëm. Pas lajmeve të javëve të fundit, ka qenë e vështirë, për historianët sidomos, që të injorojnë ngjashmëritë e shumta me Luftën Civile në Angli në vitet 1640. Atëherë ashtu si sot, një parlament me vetëbesim gjithnjë e më të madh, u konfrontua me një kryetar shtet gjithmonë e më kontrovers. Nuk ishte në dyshim zyra e mbretit apo presidentit si e tillë, por sjellja e personit që e kishte atë zyrë. Dhe ashtu si presidenti Janukovic u largua në një drejtim të paditur pas prishjes së rendit në Kiev, edhe Karli I, pasi u përpoq dhe nuk arriti të arrestojë krerët e opozitës parlamentare, u largua nga Londra për në Uindsor në vitin 1642. U kthye shtatë vite më vonë për t’u gjykuar dhe ekzekutuar. Në të dy rastet, lajmet për një trazirë provinciale në mbështetje të sovranit të rrëzuar (katolikët irlandezë në rastin anglez, rusët e Ukrainës në rastin ukrainas) shkaktuan një përshkallëzim të situatës.

Psikodrama finale

Kryengritja në Ukrainë natyrshëm ka monopolizuar vëmendjen e medias europiane. Për demokracitë e maturuara perëndimore, spektakli i dhjetëra mijëra qytetarëve të armatosur vetëm me qirinj dhe postera që shpallnin të drejtat e tyre kundër një regjimi të korruptuar dhe të pamëshirshëm, është psikodrama finale. Asgjë nuk e shfaq më mirë karizmën e demokracisë, se sa të shohësh konvulsionet e lindjes së saj.

Vështirësia e kësaj krize qëndron pikërisht në bashkërendimin e këtyre narrativave shumë të vecanta: protestë civile, tension gjeopolitik dhe ekspansion imperial. Ndodhitë e pas shembjes së Bashkimit Sovjetik i shtojnë edhe një shtresë kompleksiteti.

Ndërkohë, BE ka investuar shumë në prpocesin e demokratizimit në Ukrainë. Marrëveshja e Partneritetit dhe Bashkëpunimit e firmosur në 1998 ekziston për të mbështetur transformimin politik dhe ekonomik brenda shtetit partner. Ratifikimi i një marrëveshje të re asociimi, negociuar në 2007-2011 dhe që përfshinte një “zonë tregtare gjithëpërfshirëse” u kushtëzua me zbatimin e reformave kyce.

Në kontrast me këtë, NATO, si aleanca e krijuar për të mbrojtur interesat e perëndimit në Luftën e Ftohtë, është e fokusuar në ekuilibrin global të fuqive, ashtu si koalicioni i Krimesë në vitin 1850. NATO dhe BE nuk janë identikë në interesat e tyre. Kur amerikanët, polakët dhe shtetet balltike propozuan zgjerimin e anëtarësisë së NATO-s drejt Gjeorgjisë dhe Ukrainës në 2008, Franca dhe Gjermania kundërshtuan, ashtu si Prusia refuzoi të futet në koalicionin antirus në 1854-ën. Së fundi, ka një demografi politike komplekse në Ukrainë, që është në vetvete trashëgimi e shekujsh të tërë penetrimi rus. Ndarjet e thella etnike në vend, copëzat e “republikave” autonome rajonale dhe statusi i vecantë kushtetues dhe ushtarak i gadishullit të Krimesë nuk kanë kuptim pa historinë.

Cdo zgjidhje duhet të marrë parasysh imperativat shumë të ndryshëm që ofrojnë këto narrativa. Përdorimi i Ukrainës si një “përfaqësues” për të zënë në kurth rusët do të ishte e pandjeshme ndaj historisë së rajonit dhe thjeshtë do shkaktojë më shumë paqëndrueshmëri. Të lësh rusët të bëjnë cfarë të duan, thjeshtë do të jetë një ftesë për Moskën që të përdorë Ukrainën si “përfaqësues” për të sprapsur Perëndimin – lufta në Oshetinë e Jugut që shpërtheu pak pas vendimit për të mos i dhënë Gjeorgjisë anëtarësimin në NATO – tregoi se sa shpejt do të shfrytëzonte Moska pavendosmërinë e partnerëve perëndimorë të Ukrainës. Të vësh bast për revolucionin e Ukrainës është me risk, duke ditur paparashikueshmërinë e trazirave të tilla.

Jo “skenar Ballkani”

Nevojitet një zgjidhje që merr parasysh të gjithë interesat, ku secili ka sfondin e vet të thellë historik. A ka rrezik të shkojmë symbyllur drejt një zjarri të madh?

Sot nuk ka një të ngjashëm me “skenarin e fillimit në Ballkan” që shkaktoi përshkallëzimin në 1914. Gjatë një deklarate të kohëve të fundit, Ministri i Jashtëm gjerman, Steinmeier pranoi se ministrat e jashtëm të bE ishin treguar të shpejtë gjatë ditëve të para të krizës që të bisedonin me opozitën ukrainase dhe shumë të ngadaltë në marrjen parasysh të problemeve të mëdhenj gjeopolitikë që kanë të bëjnë me krizën. Kjo deklaratë shfaqte një nivel reflektimi autokritik dhe gatishmërie për t’u përshtatur me zhvillimet e rinj që do të kishin qenë tërësisht të huaj për homologët e tij të fillimshekullit të kaluar.

Emergjenca ukrainase të kujton se sa shpejt ngjarjet mund të zhbëjnë edhe planet më të mirëmenduar si dhe të prodhojë konstelacione të paparashikuar. Por të gjithë aktorët kycë në këtë dramë duket se kanë rrokur një gjë: që përgjigjet e historisë për ngjarjet e të tashmes janë të shumta dhe kushtëzuese, dhe aspak unike dhe absolute.

  • Christopher Clark, 54 vjec, është profesor i Historisë Moderne Europiane në Universitetin e Kembrixhit. Libri i tij “Somnambulët: Si shkoi Europa në luftë në vitin 1914” është një bestseller

Leave a Reply

Back to top button