Analiza

Pararendësit e shtetit xhihadist

David Motadel

shtet xhihadist

Në vitet e fundit, ka patur një rritje dramatike të një lloji organizimi shtetëror në dukje të ri: Shteti rebel islamik. Boko Haram në Afrikën Perëndimore, Shabab në Afrikën Lindore, Emirati Islamik në Kauzak dhe, sigurisht, Shteti Islamik në Lindjen e Mesme, i njohur si ISIS ose ISIL. Këto lëvizje jo vetëm bëjnë thirrje për luftë të shenjtë kundër Perëndimit, por edhe përdorin burimet e tyre për të ndërtuar teokraci.
Ndonëse të paprecedentë në disa drejtime, këta grupe kanë gjithashtu shumë të përbashkëta me lëvizjet islamike të shekullit 18, si vehabitët në Gadishullin Arabik dhe shtetet e mëdhenj xhihadistë të shekullit 19. Ata zhvillonin luftën e shenjtë kundër fuqive jomyslimane, dhe në të njëjtën kohë përpiqeshin të transformonin radikalisht shoqëritë e tyre.
Një prej grupeve të parë që u përfshi në xhihadin antikolonial dhe shtet-ndërtimin ishin luftëtarët që udhëhiqeshin nga Abd al-Qadir, i cili sfidoi pushtimin imperial francez të Afrikës Veriore në vitet 1830 dhe 1840. Qadiri u vetëshpall “komandant i besimtarëve” – titulli i një kalifi – dhe themeloi një shtet islamik në Algjerinë perëndimore, me kryeqytet në Mascara, një ushtri të rregullt si dhe një administratë që vuri në zbatim ligjin e Sharias dhe ofronte disa shërbime publikë. Shteti nuk ishte asnjëherë i qëndrueshëm, as nuk përfshinte ai një territor të përcaktuar qartë; pak kohë më vonë, ai u shkatërrua nga Franca.
Po kaq jetëshkurtër ishte shteti Mahdist në Sudan, që zgjati nga fillimi i viteve 1880 deri në fundin e viteve 1890. I udhëhequr nga Mahdi i vetëshpallur Muhammad Ahmad, lëvizja bënte thirrje për xhihad kundër sundimtarëve egjiptiano-otomanë dhe dominuesit e tyre britanikë, dhe krijoi një shtet dhe struktura, përfshirë një rrjet telegrafi, fabrika armësh dhe një aparat të propagandës. Rebelët ndaluan duhanin, alkoolin dhe kërcimin dhe persekutuan minoritetet fetarë.
Por shteti nuk ishte në gjendje të ofronte institucione të qëndrueshëm, dhe ekonomia pësoi kolaps.; gjysma e popullsisë vdiq prej urisë, sëmundjeve dhe dhunës, përpara se ushtria britanike e mbështetur nga egjiptianët, të shtypte regjimin në një fushatë të përgjakur, ngjarjet e të cilës janë përshkruar në “Lufta e Lumit” nga Uinston Churchilli, i cili shërbeu si oficer në Sudan.
Shteti islamik rebel më i sofistikuar i shekullit 19 ishte imamati kaukazian. Imanët e tij mblodhën myslimanët e Cecenisë dhe Dagestanit, në një luftë të shenjtë 30-vjecare kundër perandorisë ruse, që kërkonte ta nënshtronte rajonin. Gjatë betejës, rebelët detyruan komunitetet e maleve të bashkoheshin në një imamat militantësh, duke ekzekutuar kundërshtarët e brendshëm dhe imponuar ligjin islamik, segregimin e gjinive, ndalimin e alkoolit dhe duhanit, kufizimin e muzikës si dhe vendosjen e kodeve shumë striktë të veshjes – të gjitha këto, masa shumë jopopullore. Trupat e Carit u ndeshën me imamatin me një brutalitet ekstrem, duke e shkatërruar.
Në të gjithë këta raste, kishte dy konflikte të dallueshëm, ndonëse me një farë ndërthurje mes tyre, njëri kundër perandorive joeuropiane dhe njëri kundër armiqve të brendshëm, dhe të dy betejat kombinoheshin me shtet-ndërtimin. Modeli në fakt nuk është unik, dhe vetëm tipar i shfaqjes së shteteve rebelë islamikë. Sociologu Charles Tilly e ka identifikuar një herë luftën si një prej forcave më të rëndësishme në formimin e shteteve: Themelimi i një qeverie të centralizuar bëhet i domosdoshëm për të organizuar financat dhe forcat e armatosura.
Në të njëjtën kohë, Islami ishte në qendër të këtyre lëvizjeve. Liderët e tyre ishin autoritete fetarë, shumica prej tyre mbanin titullin “komandant i besimtarëve”; shtetet e tyre ishin të organizuar në mënyrë teokratike. Islami ndihmoi për të bashkuar shoqëritë e fragmentuara fisnore dhe shërbeu si një burim autoriteti absolut hyjnor, për të fuqizuar disiplinën sociale dhe rendin politik, dhe për të legjitimuar luftën. Të gjithë këto lëvizje predikonin ringjalljen e islamit militantesk, bënin thirrje për pastrim të fesë së tyre, ndërkohë që denonconin shoqërinë tradicionale islamike, me format e saj më heterodokse të Islamit, duke e quajtur supersticioze, të korruptuar dhe të prapambetur.
Shtetet e sotëm xhihadistë ndajnë shumë prej këtyre tipareve. Ata u shfaqën në një kohë krize, dhe përballen pa mëshirë me armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm. Ato i shtypin gratë. Pavarësisht mizorisë së grupeve, ata ia kanë dalë që ta përdorin Islamin për të ndërtuar koalicione të gjerë me fiset dhe komunitetet lokalë. Ata ofrojnë shërbime socialë dhe kanë ngritur gjykata ku zbatohet në mënyrë të rreptë ligji islamik. Dhe përdorin metoda të përparuara të propagandës.
Ata ndryshojnë prej shteteve të shekullit 19, sepse janë më radikalë dhe të sofistikuar. Shteti Islamik është organizimi politik më i sofistikuar xhihadist në historinë moderne. Ai përdor struktura moderne shtetërore, duke përfshirë një burokraci të organizuar në mënyrë hierarkike, një sistem gjyqësor, medresetë, një aparat të madh propagande si dhe një rrjet financiar që i mundëson të shesë naftë në tregun e zi. Përdor dhunën – ekzekutime në masë, rrëmbime dhe grabitje – në një masë të paprecedentë. Dhe ndryshe nga pararendësit e vet, udhëheqësit e tij kanë aspirata globale, madje fantazojnë të pushtojnë sheshin e Shën Pjetrit në Romë.
E megjithatë, këto ndryshime, janë më shumë një cështje grade, se sa lloji. Shtetet rebelë islamikë janë në tërësi shumë të ngjashëm. Ata duhet të shihen si një fenomen; dhe ky fenomen e ka një histori.
Të krijuar në kohëra lufte, dhe duke vepruar në një atmosferë konstante trysnie të brendshme dhe të jashtme, këta shtete kanë qenë të paqëndrueshëm dhe asnjëherë tërësisht funksionalë. Formimi i një shteti i bën islamikët të cënueshëm: ndërkohë që rrjetet xhihadistë apo grupet guerilas janë të vështirë të luftohen, një shtet, i cili mund të pushtohet, është më i lehtë për t’u konfrontuar. Dhe kur ka një shtet teokratik, shpesh herë bëhet e qartë se udhëheqësit e tij janë të paaftë për të ofruar zgjidhje të mjaftueshme sociale dhe politike, duke i armiqësuar kështu gradualisht ata që kanë nën vete.
Në këtë kuptim, komuniteti ndërkombëtar duhet të vazhdojë të ketë nën kontroll ekspansionin e grupeve si Shteti Islamik, dhe të ndërhyjë për të mos lejuar abuzime të përhapur të të drejtave të njeriut. Por duke parë që SHBA dhe aleatët e vet nuk ka gjasa të angazhohen që të vënë në dispozicion burimet e mëdhenj ushtarakë që nevojiten për të mposhtur Shtetin Islamik, politika më e mirë mund të jetë ajo e frenimit, mbështetjes për kundërshtarët lokalë dhe më pas menaxhimi i kolapsit të mundshëm të këtyre grupeve.
Duhet të pranojmë se cfarë janë me të vërtetë këta grupe. T’i quash “kancer”, sic ka bërë Presidenti Obama, është e kuptueshme nga një këndvështrim emocional, por kjo e thjeshtëzon dhe e fsheh fenomenin. Shtetet xhihadistë janë organizime kompleksë dhe duhet të kuptohen në kontekstin e historisë së Islamit. /NYT/
PERSHTATUR NE SHQIP NGA www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button