Analiza

Pararoja Skoci

Robert Skidelsky

Sido që të shkojë votimi, rritja spektakolare e nacionalizmit, në Skoci dhe në vende të tjerë në Europë, është simptomë e sëmundjes së politikës

ScotlandDuke qenë se mendoj që skocezët janë njerëz të arsyeshëm, besoj se ata do të votojnë “JO” sot për pavarësinë. Por sido që të shkojë votimi, rritja spektakolare e nacionalizmit, në Skoci dhe në vende të tjerë në Europë, është simptomë e sëmundjes së politikës.
Shumëkush është tashmë i bindur se mënyra aktuale e organizimit të punëve tona nuk meriton një besnikëri të tillë të padyshimtë; që sistemi politik ka mbyllur debatin serioz për alternativat ekonomike dhe sociale; që sundojnë bankat dhe oligarkët; dhe që demokracia është një shtirje. Nacionalizmi premton një arrati nga disiplina e alternativave “të arsyeshme” që në fund rezultojnë të mos ofrojnë asnjë alternativë.
Nacionalistët mund të ndahen në dy grupe kryesorë: ata që besojnë sinqerisht se pavarësia u ofron një rrugëdalje nga një sistem politik i bllokuar, dhe ata që e përdorin rrezikun e tij për të marrë lëshime nga establishmenti politik. Në secilin rast, politikanët nacionalistë gëzojnë avantazhin e madh që nuk u kërkohet një program praktik: gjithë gjërat e mira vijnë vetë, prej sovranitetit.
Ndonëse politika nacionaliste u shtyp për një kohë të gjatë pas Luftës së Dytë Botërore përmes prosperitetit ekonomik dhe kujtimeve të tmerreve të paraluftës, Europa ofron një terren pjellor për ringjalljen e saj. Kjo vjen jo vetëm prej sëmundjes së gjatë ekonomike të Europës. Kjo vjen sepse praktikisht të gjithë shtetet-kombe ekzistues të Europës përmbajnë pakica etnike, fetare apo gjuhësore, të përqëndruara gjeografikisht. Për më tepër, përfshirja e shteteve në Bashkimin Europian – një lloj perandorie e vullnetshme – sfidon besnikërinë e qytetarëve të tyre. Kështu që, nacionalistët mund të shohin ose nga Europa që të mbrojë shtetet e tyre, ose nga shtetet e tyre, që të mbrohen prej perandorisë Europiane.
Prandaj në Britani janë shfaqur njëkohësisht dy nacionalizma. Partia për Pavarësinë e Mbretërisë së Bashkuar (UKIP) e udhëhequr nga populisti Nigel Farage sheh nga Londra për të mbrojtur pavarësinë britanike, kundër burokracisë së BE. Partia Kombëtare Skoceze (SNP), e udhëhequr nga finoku Alex Salmond, sheh nga Brukseli për të mbrojtur Skocinë kundër parlamentit “imperial” në Londër. Në kushtet e përshtatshme, nacionalizmi do të zbulojë gjithmonë një “tjetër”, kundër të cilit të vetëpërcaktohet.
Nacionalizmi skocez nuk u krijua prej krizës ekonomike të kohëve të fundit, por referendumi skocez po. Skocia e mblodhi parlamentin e saj të parë në 1999, duke i dhënë SNP-së një platformë politike në Edinburg, prej të cilës të mund të bënte fushatë për pavarësinë. largimi i qeverisë laburiste në Londër në vitin 2010 ishte mënyra e votuesve për të ndëshkuar Partinë Laburiste, për kolapsin ekonomik të 2008-2009-ës. Por ndërkohë që ndëshkimi i laburistëve solli një qeveri konservatore në Londër, ajo prodhoi një fitore për SNP-në në Edinburg, në vitin 2011. Për të ruajtur qeverisshmërinë në Skoci, Kryeministri britanik, David Cameron u detyruar të pranojë një referendum për pavarësinë.
Një qeveri e pavarur skoceze do të kishte kosto të mëdha ekonomike. Ajo do të trashëgonte pjesën e saj të borxhit publik të Mbretërisë së Bashkuar, si dhe përgjegjësi në të ardhmen, ndërkohë që nuk do të përftojë subvencionet e mëdha që aktualisht i merr prej Thesarit britanik. SNP pretendon se të ardhurat shtesë nga nafta në Detin e Veriut do të kompensojnë subvencionin. Por këto të ardhura janë të limituara në kohë, dhe SNP nuk ka arritur të përmendë kostot e mëdha të çmontimit, kur nafta të ketë shteruar. Kështu që, natyrshëm taksat skoceze do të duhej të ishin më të larta se taksat britanike. Po kështu, bankat e mëdha me qendër në Skoci dhe shumë biznese të mëdhenj kanë thënë se do të zhvendosin operacionet e tyre në Londër. Skocia do të rrezikohej edhe me humbjen e kontratave britanike për mbrojtjen.
Sipas SNP, një Skoci e pavarur nuk do të shkaktonte fragmentimin e tregut të brendshëm britanik, sepse do të ruante unionin monetar me Britaninë. Por tre partitë kryesore britanike dhe Banka Qendrore e kanë kundërshtuar këtë. Nëse skocezët duan sovranitet, ata do të kenë nevojë për monedhën e tyre – dhe bankën e tyre qendrore: as edhe një huadhënës britanik nuk do të ishte në dispozicion të bankave skoceze.
Skocia mund të përpiqet të ruajë monedhën e saj të barabartë me stërlinën, por kjo do të kërkonte më shumë rezerva nga sa mund të përballojë një bankë qendrore skoceze, të paktën në krye të herës. Dhe një monedhë skoceze që kapet pas paundit britanik do të kishte kosto të mëdha të transaksioneve si dhe reduktim të tregtisë mes dy vendeve.
Po kështu, edhe anëtarësimi në BE nuk ofron një rrugëdalje të shpejtë, pasi ndoshta një Skocie të pavarur do i duhej të aplikonte për anëtarësim.
Shkurt, ëndrra e SNP për demokraci sociale në një vend do të binte ndesh me ndërvarësitë më të mëdha që mbajnë të bashkuar komponentët e Mbretërisë së Bashkuar, si dhe lidhin Mbretërinë e Bashkuar me Europën dhe Europën me pjesën tjetër të botës. Asnjë prej këtyre argumentave nuk i brengos nacionalistët skocezë.
Në përparimin e nacionalizmit në Europën e pas krizës, mbartësit standartë të tij shpesh herë përmendin imigrimin për të shfrytëzuar ndjenjat e parakrizës kundër globalizimit, sidomos gërryerjen e kulturave dhe identiteteve, zbehjen e ndjenjës së komunitetit, stanjacionin e pagave, rritjen e pabarazisë, bankat e pakontrolluara dhe papunësinë e lartë. Ata vënë në dyshim që njerëzit mund të gëzojnë dobitë e globalizmit, ndërkohë që mbrohen prej kostove të tij – dhe çfarë alternativash ka për “fondamentalizmin e tregut”, që ka përcaktuar kapitalizmin qysh prej fundit të shekullit 20.
Në këtë gjendje shpirtërore, njerëzit janë më të gatshëm që të mos llogarisin kostot e nacionalizmit, sepse ata kanë mbërritur në pikën ku vënë në dyshim dobinë e rivalit të tij liberal kapitalist. Rusët e zakonshëm, për shembull, refuzojnë të përballen me kostot e politikës së qeverisë së tyre në Ukrainë, jo sepse i nënvlerësojnë, por sepse në një farë mënyre u duken të parëndësishme në krahasim me shtytjen e madhe psikologjike që sjell kjo politikë.
Nacionalizmi sot nuk është aq i përhapur sa ishte në vitet 1930, sepse ankthi prej ekonomisë është më pak i dukshëm. Por rigjallërimi i tij është një paralajmërim i asaj që ndodh kur një formë e politikës pretendon të kënaqë çdo nevojë njerëzore, përveç rehatisë së përkatësisë së përbashkët – dhe më pas, i zhgënjen njerëzit. /Project Syndicate/
Robert Skidelsky, Professor Emeritus i Ekonomisë Politike dhe anëtar i Akademisë Britanike të Historisë dhe Ekonomisë, si dhe anëtar i Dhomës së Lordëve në Britani
PERSHTATUR NE SHQIP NGA www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button