Analiza

Paratë kineze, magnet për aleatët e SHBA-së

Në luftën për ndikim në Azi, karta e fortë e Kinës është rritja e fuqisë së saj ekonomike. Nga ana tjetër, kartë e fortë e Amerikës, është forca ushtarake dhe rrjeti i saj i traktateve të sigurisë. Vendet e kapura në mes, përballen me një dilemë. Japonia, Australia, Filipinet dhe Koreja e Jugut, kanë firmosur traktate sigurie me SHBA. Por secila prej tyre, tashmë bën më shumë tregti me Kinën sesa me SHBA-në

Screen Shot 2015-03-19 at 22.19.56Nga Gideon Rachman

Historia e Bankës Aziatike të Infrastrukturës dhe Investimeve (AIIB, akronimi në anglisht), është shndërruar në një përmbysje diplomatike për SHBA-në. Duke fituar dhe pastaj humbur një luftë fuqish me Kinën, Uashingtoni ka dërguar sinjale të paparamenduara rreth domethënies së fuqive dhe ndikimit në shekullin e XX-të.

Ndërsa Kina e bëri të qartë në vitin 2013 synimin për të krijuar bankën, SHBA ushtroi presion ndaj aleatëve për të bojkotuar institucionin e ri. Amerikanët argumentuan se banka e re e mbështetur nga Pekini mund të ndjekë standarde më pak të ndershme, sesa kreditimi i Bankës Botërore, mbi çështje të tilla si qeverisja e pastër dhe standardet mjedisore.

Por ishte gjithashtu shumë e qartë, se kjo ishte një luftë për pushtet. Banka Botërore e ka qendrën në Uashington dhe presidenti i saj ka qenë gjithmonë një amerikan. AIIB, një rivale e mundshme, do ta ketë selinë qëndrore në Shanghai, ndërsa Kina është aksioneri kryesor.

Fillimisht Japonia, Koreja e Jugut dhe Australia, vendosën të qëndrojnë mënjanë kësaj nisme, ashtu si të gjitha kombet e mëdha evropiane. Por lajmi se Britania tashmë ka ndërmend t’i bashkohet bankës së re, në cilësinë e anëtares themeluese, duket si përbën një çarje vendimtare në frontin anti-AIIB.

Kam kaluar javën e kaluar në Korenë e Jugut, dhe shumë analistë besojnë se është vetëm një çështje kohe, para se qeveria e Seulit të bëhet pjesë e kësaj banke. Tanimë edhe Australia është duke rishqyrtuar pozitën e saj, në një kohë që edhe shtetet e tjera të mëdha të BE-së ka të ngjarë të ndjekin shembullin e Britanisë.

Në këtë pikë, të vetmit kundërshtarë të mëdhenj, mbetet të jenë Japonia dhe SHBA. Dhe kjo do të tingëllojë shumë keq për Amerikën. Në vend se të mblidhte miqtë e saj në një opozitë parimore, kjo ngjarje do të bëjë SHBA-në të duket e izoluar dhe zemërake.

Mbi të gjitha, historia do të jetë e ëmbël për Kinën, pasi kjo e fundit ka patur disa vite jo aq fatlume, në luftën e saj me SHBA për pushtet dhe ndikim në Azi. Duke marrë një qëndrim gjithnjë e më agresiv, në raport me mosmarrëveshjet territoriale me fqinjët e saj, Pekini kishte arritur pa dashje të forconte pozitën e Amerikës tek një seri vendesh, duke përfshirë Filipinet, Japoninë, Australinë dhe Indinë, të cilat lëvizën për të forcuar lidhjet diplomatike dhe të sigurisë me SHBA.

Por duket se Kina ka mësuar nga ajo përvojë. Në muajt e fundit, ajo ka qenë më pak konfrontuese me fqinjët e saj, ndërsa në të kundërt ka theksuar dëshirën për të ndërtuar lidhje ekonomike, duke përfshirë ndërtimin e një Rruge të re të Mëndafshit të tregtisë dhe të infrastrukturës, përmes Azisë Qendrore, e cila përputhet me një “rrugë detare mëndafshi” nëpër detet e Azisë Juglindore.

Banka Aziatike e Infrastrukturës dhe Investimeve mund të luajë një rol të madh në financimin e këtyre iniciativave. Shpresa është të binden vendet aziatike, që në vend se të përballen me një kërcënim në rritje nga Kina, të qëndrojnë së bashku, për të përfituar nga pasuria e saj në rritje. Shumica e fqinjëve të Kinës – përfshi këtu edhe britanikët, të cilët kanë shpresat e tyre për tërheqjen e investimeve kineze – duket se kanë arritur në përfundimin, se do të ishte qesharake të humbej të shans i tillë.

Episodi AIIB tregon se, në luftën për ndikim në Azi, karta e fortë e Kinës është rritja e fuqisë së saj ekonomike. Nga ana tjetër, kartë e fortë e Amerikës, është forca ushtarake dhe rrjeti i saj i traktateve të sigurisë. Vendet e kapura në mes, përballen me një dilemë. Japonia, Australia, Filipinet dhe Koreja e Jugut, kanë firmosur traktate sigurie me SHBA. Por secila prej tyre, tashmë bën më shumë tregti me Kinën sesa me SHBA-në.

Për shembull, Koreja e Jugut mbështetet tek fuqia amerikane për të shmangur Korenë e Veriut dhe ndoshta, një ditë, si një mbrojtje kundër vetë Kinës. Por Kina aktualisht blen më shumë se një të katërtën e eksporteve të Koresë së Jugut, në krahasim me rreth 12 përqind të mallrave të saj, që shkojnë në Amerikë.

Për pasojë, koreanojugorët tërhiqen shpesh në të dyja drejtimet. Dhe rasti i bankës AIIB, përbën një tjetër shembull.

Një tjetër është një debat i ashpër në vend, mbi atë nëse duhet të pranojë kërkesën e SHBA, për të instaluar një sistem të mbrojtjes anti-raketore, që mund të jetë i dobishëm për t’u mbrojtur kundër Koresë së Veriut, por që kinezët e shohin si një kërcënim për sigurinë e tyre. Çështja AIIB vetëm sa do të nxisë amerikanët dhe japonezët për të përfunduar bisedimet mbi Partneritetin e Transportit në Paqësor, një marrëveshje tregtare që do të grupojë së bashku 12 vende që lagen nga ky oqean, por që në mënyrë shumë kuptimplotë nuk përfshin Kinën.

Sërish amerikanët argumentojnë se kjo është një çështje e ruajtjes së standardeve të hapjes ekonomike në vend, sesa ndonjë përpjekje për të ndërtuar një bllok anti-kinez. Por edhe disa nga aleatët e tyre, nuk e kapërdijnë tërësisht këtë justifikim, dhe disa përshpërisin se është pak e rrallë të ndërtosh një marrëveshje të re tregtare që përjashton Kinën, fuqinë udhëheqëse tregtare në rajonin e Azi-Paqësorit.

Pyetja e madhe në këtë “mundje” të stilit aziatik, midis Uashingtonit dhe Pekinit, është nëse muskujt ushtarakë të Amerikës, në analizë të fundit do të kenë më shumë rëndësi, sesa fuqia ekonomike e Kinës. Përgjigja do të ndryshojë nga çështja në çështje. Por, në përgjithësi, sa më shumë një vend ndjehet i kërcënuar nga Kina, aq më tepër ka të ngjarë që të forcojë lidhje me Amerikën.

Kjo është arsyeja pse Japonia ka të ngjarë të jetë kundërshtarja e fundit e madhe në Azi, ndaj ngritjes së kësaj banke. Nga ana tjetër, nëse Kina është mjaftueshmërisht e ndjeshme, për të mos treguar shumë shpesh grushtat e saj, ajo ka një shans të mirë të shohë që zhvillimi i saj ekonomik, mund të përkthehet gradualisht në rritjen e peshës politike dhe diplomatike, edhe me aleatët e afërt të Amerikës. Ka qenë një kohë kur bota thuhej se përkulej para të plotfuqishmit dollar. Por historia e AIIB sugjeron se këto ditë, madje edhe për shumë prej aleatëve më të ngushtë të Amerikës, kanë shenja renminbi (monedha kombëtare kineze) në sytë e tyre./FT/

a.g./www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button