Joseph Downing
Prej disa ditësh kanë shpërthyer trazira në Nanterre, një periferi e Parisit, pas vrasjes nga policia të një djali 17-vjeçar, të quajtur Nahel M. Një hetim për vdekjen e tij është në vazhdim, por situata tashmë ka shkaktuar protesta dhe shumë zemërim. Sido që të përfundojë hetimi, incidenti është pjesë e një problemi kompleks dhe me rrënjë të thella.
Ajo risjell kujtesën e dhunës që u përhap me shpejtësi në periferi të qytetit në vitin 2005, që zgjati më shumë se tre javë dhe e futi vendin në një gjendje të jashtëzakonshme. Shumë nga problemet pas trazirave të atëhershme mbeten të pazgjidhura edhe sot e kësaj dite dhe madje janë përkeqësuar nga përkeqësimi i marrëdhënieve midis policisë dhe publikut.
Gjatë punës sime të gjerë në terren në pronat periferike të Parisit, Lionit dhe Marsejës, kam parë dhe dëgjuar vetë ankesat që tani po bërtiten në rrugët e Nanterres.
Periferitë dhe varfëria
Disa periferi të qyteteve të mëdha franceze kanë vuajtur për dekada nga ai që është cilësuar si “hipermargjinalizimi” më i keq në Evropë. Strehimi dhe shkollimi me cilësi të dobët kombinohen me izolimin gjeografik dhe racizmin për ta bërë praktikisht të pamundur që njerëzit të kenë një shans për të përmirësuar rrethanat e tyre.
Provat kanë treguar prej kohësh se njerëzit që jetojnë në periferi të varfra mund të presin që të përballen me diskriminim bazuar në vetë faktin që jetojnë në ato periferi, kur aplikojnë për një punë. Edhe vetëm të kesh një emër të caktuar në CV-në tënde, mund të të përjashtojë nga puna për shkak të diskriminimit të përhapur racor.
Si rezultat, pakënaqësia mes të rinjve në këto periferi ka dekada të tëra që zien. Trazirat e para, si këto që po ndodhin aktualisht në Paris, u zhvilluan në Lyon qysh në vitet 1990.
E megjithatë, përtej momenteve të krizës, duket se nuk ka praktikisht asnjë diskutim nga lidershipi francez se si të trajtohen problemet që nxisin kaq shumë zemërim në periferi.
Presidenti Emmanuel Macron paraqitet si i përkushtuar për ri-industrializimin e Francës dhe rigjallërimin e ekonomisë. Por vizioni i tij nuk përfshin ndonjë plan për përdorimin e rritjes ekonomike, për të sjellë mundësi në periferi ose, e parë anasjelltas, për të shfrytëzuar potencialin e periferisë për të nxitur rritjen ekonomike.
Në dy mandate presidenciale, ai nuk ka arritur të prodhojë një politikë koherente për zgjidhjen e disa prej problemeve kyçe të periferisë.
Brutaliteti i policisë
Brutaliteti i policisë është një temë e madhe shqetësuese në Francë për momentin, përtej incidentit të Nanterre. Në fillim të këtij viti, organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Këshilli i Evropës, ndërmori hapin e jashtëzakonshëm, kur kritikoi drejtpërdrejt policinë franceze për “përdorim të tepruar të forcës” gjatë protestave kundër reformave të pensioneve të Macronit.
Policia duket se ka ngecur në një qasje të tipit, “gjithçka ose asgjë”. Në një intervistë të fundit ku ndihmova në realizimin e një dokumentari në periferi të Marsejës, banorët vunë në dukje shkurtimet e njëpasnjëshme të oficerëve të policisë me bazë në komunitet, si arsye kryesore për rritjen e tensionit midis popullsisë dhe policisë. Ndërkohë protestat janë pritur me gaz lotsjellës dhe shkopinj gome.
Qeveritë e njëpasnjëshme kanë përdorur policimin për të kontrolluar popullsinë për të parandaluar trazirat politike, duke gërryer legjitimitetin e zbatimit të ligjit.
E megjithatë, policia është jashtëzakonisht armiqësore ndaj reformave, një qëndrim që ndihmohet dhe nxitet nga sindikatat e tyre të fuqishme dhe vetë Macroni, i cili ka nevojë që policia të shtypë opozitën ndaj reformave të tij.
Macron i krahasuar me Sarkozy
Ish-presidenti Nicolas Sarkozy është famëkeq për ndezjen e tensioneve gjatë trazirave të vitit 2005, duke i quajtur njerëzit e përfshirë “llum”, të cilët duhej të laheshin me ujë me presion nga periferitë. Edhe Macroni është kritikuar vazhdimisht për një ton arrogant gjatë karrierës së tij politike, duke bërë gafa të shumta, përfshirë sugjerimin që një punëtori të papunë i mjafton të “kalojë rrugën”, për të gjetur punë.
Megjithatë, përgjigja e tij për vdekjen e Nahelit ka qenë shumë larg asaj të Sarkozy-t. Ai e ka quajtur vrasjen “të pafalshme” dhe ka mbajtur një takim emergjence për të kërkuar një zgjidhje për krizën.
Një udhëtim për të parë performancën e Elton John-it ndërsa ndodhnin trazirat ndoshta nuk ishte i këshillueshëm dhe komentet për të rinjtë që ishin “të dehur” nga videolojërat, ishin disi të gabuara, por Macroni të paktën është përpjekur të qetësojë tensionet dhe të mos i ndezë ato.
Megjithatë, një problem kyç për të është natyra e përhapur dhe e decentralizuar e protestuesve. Nuk ka lidership për t’u takuar dhe negociuar, dhe nuk ka kërkesa specifike që duhet të plotësohen për të ulur tensionin. Ashtu si në vitin 2005, trazirat po ndodhin në mënyrë spontane.
Kjo e bën shumë të vështirë ndalimin e përshkallëzimit nga ana e qeverisë. Dhe thekson nevojën për një përgjigje shumë më të gjerë dhe të menduar për të trajtuar problemet e rrënjosura, disa dekadëshe, të perspektivës së dobët sociale dhe brutalitetit policor në periferi të qyteteve franceze. / The Conversation – Bota.al