Analiza

Partneri i domosdoshëm amerikan

Ana Palacio

Partneriteti i domosdoshëm kërkon që të ndihmosh vendet e tjerë që të ndihmojnë vetveten. Ai kërkon vizion, përkushtim dhe më e rëndësishmja, lidership. Një diskutim i sinqertë mbi politikën e jashtme të Amerikës mund të jetë jetik për të garantuar që ai “qytet mbi kodër” mbetet një rreze shprese – dhe një katalizator për progresin

Screen Shot 2015-03-10 at 11.19.24 AM

Shtetet e Bashkuara po fillojnë të përgatiten për atë që është ngjarja politike më intoksikuese (dhe rraskapitëse): një garë për presidencën. Teksa 8 viteve në Shtëpinë e Bardhë të presidentit Barak Obama po u vjen fundi, dhe ndërkohë që e dimë se zëvendës presidenti Joe Biden nuk ka gjasa të kandidojë, gara do të jetë pa një kandidat aktualisht në detyrë. Si rezultat, zgjedhjet mund të jenë më pak një referendum për tetë vitet e fundit, dhe më shumë një garë idesh, me politikën e jashtme që do të shfaqet si tema kryesore.

Kandidatët potencialë janë përpjekur tashmë të parashtrojnë pozicionet e tyre për temat më të nxehta të politikës së jashtme, si për shembull kandidati republikan Jeb Bush, i cili ka mbajtur një fjalim tërësisht dedikuar kësaj teme. Sa për demokratët, kandidimi i mundshëm i ish Sekretares së Shtetit, Hillary Clinton, përforcon rëndësinë që politika e jashtme do të ketë në këto zgjedhje.

Duke pranuar këtë tendencë, Këshilli i Axhendës Globale i Forumit Ekonomik Botëror ka bërë bashkë një grup ekspertësh, me qëllimin për të ndihmuar me injektimin e “substancës” në diskutimet për poilitikën e jashtme, duke përfshirë edhe përgatitjen e një dokumenti diskutimi publik. Nga këndvështrimi im, si anëtarja e vetme europiane e grupit, mesazhi që duhet të përshkojë këtë dokument duhet të jetë jo që SHBA ta shohë veten si “fuqia e domosdoshme”, ashtu si e sheh sot, por si “partneri i domosdoshëm”.

Kjo nuk është thjeshtë cështje semantike; një ndryshim i tillë do të kërkojë që SHBA të rikonceptojë rolin e vet në botë. Por përfitimi, për SHBA dhe për rendin botëror liberal që Amerika ndihmoi të krijohet do të jetë thelbësor. Celësi drejt suksesit do të jetë që Amerika të ruajë më të mirën – dhe të braktisë më të keqen – e asaj ideje, e cila është më “Amerikane” se sa cdo ide tjetër: jashtëzakonshmërinë.

Ndjesia në SHBA se vendi është unik, me një mision special për të nxitur begatinë, sigurinë dhe lirinë në të gjithë botën, ka formësuar prej kohësh politikën e jashtme të Amerikës. Ideja i ka rrënjët që në vitet 1630, kur John ëinthrop, guvernatori i parë i Kolonisë së Gjirit të Massachusettsit, shpalli se komuniteti i tij duhet të veprojë si një “qytet mbi kodër”, duke krijuar një shembull për gjithë botën. Duke bërë këtë, ai mbolli farën e qasjes së bazuar mbi vlerat, e cila u adoptua prej SHBA teksa nxiste zhvillimin e rregullave dhe strukturave të rendit të botës së sotme.

Ato rregulla dhe struktura kanë sjellë një rritje ekonomike të paprecedentë, në dobi të të gjithëve (ndonëse vetë SHBA ka patur përfitimet më të mëdha). Por, ironikisht, ideja e jashtëzakonshmërisë amerikane, shpesh herë e ka shtyrë Amerikën që të dëmtojë sistemin ndërkombëtar që vetë e ka ushqyer. Në të vërtetë, historia e SHBA zbulon një prirje të vazhdueshme izolacioniste, në të cilën “qyteti mbi kodër” nuk është një fanar, por një fortesë.

Ndonjëherë, ashtu si ka ndodhur gjatë gjashtë viteve të fundit, besimi se SHBA është më mirë të ecë e vetme ka shaktuar një tërheqje nga bota. Kjo tendencë nuk përbënte problem serioz përpara Luftës së Dytë Botërore (ndonëse populli i Abisinisë dhe Mancurisë mund të ketë tjetër mendim). Por sot, tërheqja e SHBA nga sistemi ndërkombëtar që vetë e ndërtoi ka pasoja të rënda – domethënë, atë lloj kaosi dhe mungese ligji, që mishërohet tek pushtimi i Ukrainës nga Rusia.

Megjithatë, izolacionizmi nuk është impulsi më shkatërrimtar i Amerikës. Më keq është “përjashtimi” i saj nga zbatimi i rregullave që po vetë Amerika, diku i ka nxitur e diku i ka imponuar me forcë. Lista e gjatë e konventave ndërkombëtare të paratifikuara nga SHBA përfshin Statutin e Romës të Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve, Konventa e Eleminimit të të gjithë Formave të Diskriminimit ndaj Grave, Konventa e Ndalimit të Minave, Konventa për të Drejtat e Fëmijëve dhe Konventa për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara.

Përtej zemërimit që shkakton një sjellje e tillë, “përjashtimi” amerikan dëmton në mënyrë të drejtpërdrejtë institucionet shumëpalëshe dhe aftësinë e tyre për të përballuar sfidat që SHBA nuk është e gatshme apo nuk e ka të mundur t’i zgjidhë e vetme. Si mund të presë SHBA që Kina të ndjekë rregullat e caktimit të kufijve detarë në lindje të Detit Kinez, kur ajo refuzon të ratifikojë Konventën e OKB për Ligjin e Detit?

Administrata e presidentit të SHBA, Barak Obama, është përpjekur të krijojë iluzionin e një ndryshimi të kursit në këtë drejtim, duke nxitur marrëveshje “të buta” që i lejojnë SHBA të marrë pjesë, por pa iu nënshtruar rregullave detyrues. Kjo ndodhi për shembull me të famshmen “marrëveshje të shtrëngimit të duarve” mes Obamës dhe presidentit kinez, Xi Jinping, në lidhje me lëshimet e dioksidit të karbonit. 

Por ndonëse marrëveshje të tilla shpallen në titujt e mëdhenj të mediave, ato nuk ofrojnë stabilitetin dhe parashikueshmërinë e nevojshme për një sukses afatgjatë. Për këtë nevojiten rregulla të fortë dhe institucione po kaq të fortë.

Nëse SHBA duhet të shërbejë si “partneri i domosdoshëm” i botës, ajo duhet të riangazhohet dhe ripërkushtohet në rendin e bazuar mbi rregullat, i cili i ka shërbyer Amerikës dhe gjithë botës, kaq mirë gjatë 7 dekadave të fundit. Duhet të fillojë me forcimin e institucioneve që kanë shërbyer si shtyllë kurrizore e rendit ndërkombëtar liberal. Më sepcifikisht, SHBA duhet të miratojë më në fund paketën e reformave të Fondit Monetar Ndërkombëtar, për të cilën u ra dakord në vitin 2010; të nxisë progresin real në Konferencën për Traktatin e Mospërhapjes Bërthamore në maj; dhe të garantojë që do të ketë angazhim real ndaj Konventës Kuadër të miratuar në Konferencën për Ndryshimet Klimatike në Paris.

Partneriteti i domosdoshëm kërkon që të ndihmosh vendet e tjerë që të ndihmojnë vetveten. Ai kërkon vizion, përkushtim dhe më e rëndësishmja, lidership. Një diskutim i sinqertë mbi politikën e jashtme të Amerikës mund të jetë jetik për të garantuar që ai “qytet mbi kodër” mbetet një rreze shprese – dhe një katalizator për progresin.

Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2015. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate – The Indispensable American Partner

www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button