Analiza

PASOJAT/Kriza ekonomike rriti numrin e vetëvrasjeve

suicideNumri i vetëvrasjeve është rritur ndjeshëm, pas krizës ekonomike në Evropë dhe në Amerikën Veriore. Sipas shifrave të publikuara nga studimi “British Journal of Psychiatry”, kjo krizë ka shkaktuar mbi 10 mijë vetëvrasje shtesë. Studimi i kryer nga Universiteti i Oksfordit dhe Shkollës londineze për Higjienën dhe Mjekësinë Tropikale, ka analizuar të dhënat e 24 vendeve të BE-së, SHBA-së dhe Kanadasë dhe thuhet se vetëvrasjet në Evropë kishin qenë në rënie deri në vitin 2007, ndërsa në vitin 2009 ka pasur një rritje prej 6,5%. Ky nivel mbeti i qëndrueshëm deri në vitin 2011.

Austria, Suedia dhe Finlanda ishin shembujt e vendeve ku norma e shkallës së vetëvrasjeve nuk u shtua, pavarësisht rritjes së numrit të papunësisë, gjatë recesionit nga viti 2008 dhe viti 2010. Në Suedi dhe në Finlandë kjo mbeti e qëndrueshme, ndërsa në Austri filloi të ulej. Numri i vetëvrasjeve ishte në rënie edhe në Kanada, por u vu re një rritje e ndjeshme që kur vendi u prek nga recesioni në vitin 2008, e cila shkaktoi 240 vetëvrasje më tepër. Grupi i studiuesve ka bërë të ditur se disa prej vdekjeve mund të ishin shmangur, pasi disa vende nuk kanë treguar rritje të mesatares së vetëvrasjeve. Grupet e aktivistëve thonë se gjetjet e këtij studimi tregojnë se sa të rëndësishme ishin shërbimet e shëndetit mendor. Pjesa më e madhe e vetëvrasjeve ndodhin për shkak të depresionit klinik, dhe hulumtimet e fundit zbuluan një rritje të dukshme në përdorimin e ilaçeve antidepresive gjatë rënies ekonomike./shekulli online/

Leave a Reply

Back to top button