Analiza

I pasur si një kinez

Si mundet një vend, që vetëquhet komunist, të menaxhojë rritjen e paprecedentë, të pabarazive dhe të spektaklit gjithnjë e më të zakonshëm të milionerëve që nxjerrin pronat e tyre? Ronald Reagani na ndihmon të kuptojmë

IMG_0013Gjithnjë e më të pabarabartë. Distancat mes të pasurve dhe të varfërve vazhdojnë të zgjerohen. Konstatimi nuk vlen vetëm në perëndim. Kina, vendi me popullsinë më të madhe në botë, është gjithashtu e vetmja superfuqi moderne që vetëquhet komuniste. E megjithatë, ajo është teatri ku shfaqet një plutokraci e paturpshme, vulgare, e një konsumi të pasur. Të pasurit e ri kinezë shfaqen në klasifikimet e pasanikëve botërorë. Bëjnë të rriten cmimet e shtëpive në qiellgërvishtësit e Manhatanit, apartamente me kosto që arrijnë deri 100 milion dollarë. Përbëjnë një prej tregjeve më tërheqës, edhe për luksin Made in Italy. Janë ndër klientët më të mirë të Ferrarit, pavarësisht se rrjeti i autostradave përreth Pekinit dhe Shangait është paralizuar tashmë prej bllokimeve dhe smogut. Blejnë mermerin më të mirë të Carraras për banesat e tyre princërore.
Fillojnë të dallojnë verërat më të mira të Toscanës dhe Piemontes. Nuk janë gjithmonë njohës të sofistikuar, por në konsumin e tyre nuk sprapsen përpara cmimeve të lartë.
Cili është impakti i kësaj shfaqjeje arrogante të pasurisë, mbi pjesën tjetër të popullsisë së Kinës? Që nga fillimi i revolucionit kapitalist kinez, në vitin 1979, është krijuar ideja që pabarazitë nuk kanë rëndësi, nëse rritja ekonomike është e fortë. Ky është një koncept që nuk lind në Kinë, por në Perëndim. E kishte shprehur në Amerikë një frazë e famshme, e dalë nga goja e Ronald Reaganit, presidenti i rikthimit të madh neoliberist: “Kur fryhet deti, i ngre të gjithë varkat, si jahtet e miliarderëve, ashtu edhe varkat e peshkatarëve”. Imazhi është elokuent. Do të thotë që shtresave më pak të kamura, klasave të punëtorëve, nuk u intereson më nëse të pasurit pasurohen edhe më shumë, për sa kohë që ka një shpërndarje të përgjithshme të mirëqenies dhe kushtet e jets të përmirësohen për të gjithë.
Ten Hsiaopini, pasardhësi i Mao Cedunit, i cili e cmontoi në mënyrë graduale komunizmin barazitist, në këtë kuptim ishte një Reaganian i vërtetë: “Pasurimi është i lavdishëm”, ishte një prej sloganeve tronditës, me të cilin sinjalizonte një devijim jo vetëm në politikat ekonomike dhe në pranimin e pronës private, por edhe në një paradigmë vlerash. Që atëherë, për tridhjetë vjet, Kina ka qenë konfirmimi më i vlefshëm i teorisë reaganiane. Nomenklatura ka ndërtuar një bazë të vërtetë konsensusi social, falë rritjes ekonomike më të paprecedentë në historinë e njerëzimit: kurrë më parë cilësia e jetës dhe konsumi nuk ishte rritur me ritme kaq të qëndrueshëm, për një periudhë kaq të gjatë, dhe mbi të gjitha për një popullsi të këtyre dimensioneve.
Praktikisht përgjatë gjithë kësaj periudhe, që riprodhon në një dimension edhe më të gjerë “tridhjetëvjecarin e lavdishëm” të rritjes së pasluftës në Perëndim, është dukur se për kinezët, pak rëndësi kishin pabarazitë. Ferraryt dhe Bentleyt nuk e shqetësonin shumë shtresën e gjerë të klasës së mesme që ndërkohë mundej të blinte Toytota dhe Audi për herë të parë në histori. Fakti që presidenti Xi Jinping – dhe paraardhësi i tij Hu Jintao – munden të dërgojnë bijtë që të studiojnë në një universitet amerikan si Harvardi me pagesa vjetore prej më shumë se 60 mijë dollarë nuk është i padurueshëm, për sa kohë që shumë kinezë munden të diplomohen në vendin e tyre dhe me atë diplomë kanë një siguri të arsyeshme për të gjetur punë në një kohë të shkurtër.
Ky “pakt me djallin Reaganian” ka filluar megjithatë të ketë plasaritje. Zhvillimi ekonomik kinez vazhdon me ritme fantastikë, nëse e krahason me atë që po ndodh në pjesën tjetër të botës (lë pas edhe Brazilin dhe Afrikën e Jugut, fuqi në rritje por që kanë patur ngadalësim). Megjithatë, kjo rritje është duke prodhuar tensione të rinj. Ndotja e të gjithë rajoneve të mëdhenj metropolitanë ka kosto të rënda për shëndetin e qytetarëve. Punëtorët e sektorëve të tërë industrialë kanë nisur sezone grevash dhe kërkesa për rritje pagash. Vetë konkurrenca për punën e kualifikuar, mes të rinjve të sapodiplomuar, bëhet gjithnjë e më selektive dhe e pamëshirshme. Dhe në fund, shfaqet në horizont një metamorfozë vërtetë mbresëlënëse: për t’u përgatitur për goditjen e plakjes demografike, kapitalizmi kinez ka ndryshuar që tani rrugën e automatizimit. Një vend me një miliardë e 300 mijë banorë, që jemi mësuar ta konsiderojmë si basenin më të gjerë të krahut të punës, po bëhet gati të shndërrohet në vendin më të madh blerës të robotëve. PIkërisht sepse shohin larg, kapitalistët kinezë përgatiten për një epokë ku krahu i punës do të jetë disi më pak i bollshëm, më i moshuar, më pak elastik. Prandaj zëvendësimi i krahut të punës me teknologjinë vazhdon me hapa të mëdhenj edhe në Kinë. Eshtë po ky proces që në Amerikë ka kontribuar për të rritur hendekun mes një përqindëshit të popullsisë, pra më të pasurve, dhe gjithë pjesës tjetër, duke përshpejtuar varfërimin e shtresës së mesme.
Një element që rëndon pabarazitë kineze dhe që i bën në një farë mënyre më pak “legjitime”, është korrupsioni. Sigurisht, një pjesë e madhe e pasurisë në Pekin dhe në Shangai fitohet prej sipërmarrësve të vërtetë e me shumë talent: për shembull Jack Ma i Alibabas (një grup tregtie elektronike i barazvlefshëm me Amazon plys eBayn në Kinë), që është kuotuar me sukses në Wall Street, një simbol i kapitalizmit modern në Republikën Popullore. Megjithatë ka një tjetër kategori, më e ngjashme me oligarkët rusë: janë ata kapitalistë kinezë, pasuria e të cilëve është e lidhur me fondet publikë, me spekulimet në industrinë e ndërtimit në bashkëpunim me autoritetet lokalë, me “fluskat” e ndryshme financiare, me projektet e infrastrukturave shtetërore, me sistemin bankar ku transparenca është minimale, e kështu me radhë.
Korrupsioni është një burim pakënaqësie popullore, i pari për nga rëndësia, sipas sondazheve të fshehtë që vetë qeveria i kryen në mënyrë periodike mes popullsisë kineze. Presidenti Xi Jinping, pas ngjitjes së tij në krye e ka kthyer në kalin e betejës. Kalimi i stafetës nga Hu Jintao tek Xi Jinping është shenjuar prej episodesh “moralizimi” të pamëshirshëm. Më i famshmi është procesi ndaj Bo Xilai, kreu i partisë në zonën e Chongqing. Edhe ish kreu i sigurisë nuk është kursyer në një proces publik. Këtyre goditjeve të forta tek krerët e regjimit i është shtuar edhe një xhiro goditjesh zyrtare kundër shpenzimeve të hierarkëve të partisë: janë ndaluar fluturimet në klasin e parë, hotelet me pesë yje, banketet “e punës” me karkalecë dhe shampanjë.
Prapa dukjes së shkurtimeve të kostove të politikës, tema e korrupsionit në të vërtetë është përdorur vetëm për të goditur kundërshtarët e brendshëm, që pengonin Xi JInpingun. Sa për vetë presidentin, klani i familjes së tij kontrollon pasuri që shkojnë pothuajse 2 miliardë euro. Sigurisht që nuk i ka akumuluar duke kursyer nga paga e partisë. Po kaq është edhe pasuria e kryeministrit Jiabao. Arsyeja përse mundemi t’i “caktojmë” një shifër pasurive të tyre? Janë investuar në shoqëri të kuotuara në bursën e Hong Kongut, ishulli dikur britanik që ka ruajtur shtetin e të drejtës, gjykata të pavarura, media të lira nga censura si dhe një nivel transparence të kompanive.
Pikërisht në Hong Kong po mblidhen rrufetë e represionit kinez. Qeveria e Pekinit po bëhet gati të shkelë një angazhim të marrë tashmë, atë të lejimit të zgjedhjeve të lira për vetëqeverisjen në Hong KOng në vitin 2017. Eshtë një sprapsje me pasoja të rënda, edhe në krahasim me status quo-në që ishte vendosur pas 1997-ës, viti kur Hong Kongu u rikthye në juridiksionin kinez.
Që atëherë, ishulli ishte qeverisur sipas parimit “një komb, dy sisteme”, slogani me të cilin qeveritë e Pekinit lejonin Hong Kongun të vazhdonte të ishte një botë më vete, me pothuajse të gjithë liritë që i ishin mohuar pjesës tjetër të vendit. Statusi i Hong Kongut ishte i admiruar në Perëndim, optimistëve u dukej si konfirmimi i evolucionit të pakthyeshëm demokratik të vetë Kinës. Një vizion ekonomicist i historisë, përhapur në Amerikë dhe Europë mes ideologëve të globalizimit, profetizon tranzicionin gradual të Republikës Popullore në demokraci, si pasojë e vetë pasurimit të banorëve të vet. Eshtë një teori që është përkthyer në një lloj “treguesi i lirisë kundrejt GDP-së”: përtej një niveli të caktuar zhvillimi, demokracia do të ishte e destinuar të vinte, si një frut i pjekur mbi një pemë. Pekini po bën të pamundurën për të ndalur këto profeci optimiste.
Liria e shtypit, zgjedhjet e lira, ndërrimi i qeverive – pra të gjithë elementet e domosdoshëm për një luftë të vërtetë kundër korrupsionit – janë të papajtueshëm me pasurimin e shpërpjestuar dhe të pakontrolluar të oligarkive./Il Venerdi/

 

 

 

Leave a Reply

Back to top button