Ekonomi

Pasuria “nuk banon më” këtu. Fundi i klasës së mesme në SHBA

PasuriaNga ekspozita universale e vitit 1964 në Nju Jork (këto ditë festohet përvjetori i 50-të), kanë mbetur vetëm harta e botës e derdhur në çelik në Corona Park, disa mbetje të pavijonit të SHBA si dhe nostalgjia për një epokë të mbushur me optimizëm dhe rritje ekonomike premtuese, të një shoqërie të bindur që, duke fluturuar me krahët e teknologjive të reja (ishin vitet kur Amerika përgatitej të dërgonte njeriun në Hënë), asnjë objektiv nuk konsiderohej si tepër ambicioz.

Gjysmë shekulli më vonë, SHBA janë ende një vend shumë i pasur dhe pararojë në teknikë, por nuk ka mbetur më gjurmë e atyre iluzioneve. Në dekadat e fundit, klasa e mesme ka humbur terren: një fenomen që si në Amerikë, ka ndodhur edhe pothuajse në gjithë pjesën tjetër të Perëndimit të industrializuar, ndërkohë që transferimi i pasurisë drejt Azisë ka sjellë lindjen e një tjetër klase të mesme, me qindra miliona qytetarë në vende si Kina dhe India. Faj i “recesionit të madh” që nisi në vitin 2008, kanë menduar amerikanët. Por disa studime të kohëve të fundit, duke filluar nga një investigim shumë i dokumentuar i Nju Jork Tajms në bashkëpunim me Lis, një institut kërkimesh me qendër në Luksemburg, nxjerrin në dritë faktin që në SHBA, përkeqësimi i shtresës së mesme dhe varfërimi i atyre më pak të kamurve janë më të spikatur se sa gjetkë, pavarësisht se Amerika e filloi e para rimëkëmbjen ekonomike dhe ka dimensione më të qëndrueshëm se sa një Europë, e cila ishte në recesion deri dje, dhe një Japoni ku stanjacioni nuk ka fund.

Përse? Pasoja të globalizimit dhe të politikave fiskale që, të konceptuara për të stimuluar prodhimin me më shumë pasuri, kanë përfunduar duke shpërblyer mbi të gjitha më të pasurit: për shumë vite, rritja e pabarazive është shpjeguar kështu, si një e keqe e domosdoshme. Një situatë e pranueshme, sa kohë që funksiononte “ashensori social”, i cili u jepte edhe atyre në shtresat e poshtme mundësinë që të thyenin zinxhirët e varfërisë, duke studiuar dhe punuar fort. Por, prej kohësh, demokratët në SHBA janë vetëdijësuar se modeli i vjetër kenedian – të synohet gjithmonë rritja ekonomike, si kura për të gjithë të këqiat sepse deti që fryhet i përmbyt të gjithë varkat, si ato me rrema të të varfërve, ashtu edhe jahtet e të pasurve – nuk funksionon më. Dhe në fakt tani, Obama dëshiron të përqëndrojë fazën finale të presidencës së tij pikërisht tek lufta ndaj pabarazive të tepruara: është tema që do të jetë në qendër të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016, prej ku do të dalë pasardhësi ose pasardhësja e tij.

Shifrat e botuara nga Nju Jork Tajms mbi bazën e një pune të The Upshot, ekipi i ri i kërkimeve gazetareskë bazuar mbi të dhënat, shpjegojnë përsenë: familjet më të varfëra në SHBA – ato të shtresës më të ulët të të ardhurave, 20 përqindëshi i poshtëm – tashmë fitojnë shumë më pak se sa në Kanada dhe në Europën Veriore, nga Holanda në vendet skandinavë. Të varfërit në Amerikë janë ende më mirë, krahasuar me vendet në krizë të thellë, si Portugalia, Greqia dhe Spanja, por me një diferencë të reduktuar ndjeshëm, në krahasim me të kaluarën. Një fakt edhe më shqetësues, sepse mund të ketë një efekt negativ mbi strukturën demokratike të shoqërisë, është humbja e terrenit të klasës së mesme amerikane kundrejt atyre të vendeve të industrializuar. Nga një pikëpamje statistikore, fenomeni ishte maskuar deri më sot nga fakti që shifrat tërësore të të ardhurave për frymë vendosin SHBA në majë të klasifikimit të vendeve më të pasur. Por të dhënat kombëtare shtrembërohen prej rritja shumë e shpejtë e pasurisë dhe të ardhurave të 5 përqindëshit më të pasur të popullsisë. E vërteta është që në vitin 2010, të ardhurat mesatare të një qytetari amerikan ishin 18700 dollarë në vit, domethënë afro 75 mijë për një familje me katër persona: 20 përqind më shumë krahasuar me vitin 1980, por në një nivel të pandryshuar në krahasim me vitin 2000, ndërkohë që në dekadën e fundit të ardhurat e anglezëve dhe kanadezëve janë rritur me 20 përqind dhe ato të holandezëve me 14 përqind (dhe tani, sipas studimit, të ardhurat mesatare të kanadezëve, për herë të parë në histori janë më të larta se sa ato të amerikanëve).

Njerëzit e kishin prej kohësh këtë perceptim: që në një sondazh të vitit 2012, i kryer nga Pew Research Center, dilte qartë se hendeku në shpërndarjen e mirëqenies ishte problemi më i ndjeshëm për amerikanët, me 76% të të intervistuarve që denonconin: “Të pasurit pasurohen edhe më shumë, të varfërit varfërohen edhe më shumë”. Një problem ky i përkeqësuar prej automatizimit dhe informatizimit të shumë procedurave, që po eleminon prej tregut të punës kategori të tëra të punësuarish. Sot, këto të dhëna të reja, bazuar mbi kërkime që kanë zgjatur 35 vjet, e bëjnë më të qartë dinamikën e një shpërndarjeje gjithnjë e më të polarizuar të dekadave të fundit: është sfida e madhe që politikanët janë thirrur të përballojnë në demokracitë industriale.

Dhe këtu, paradoksalisht, Amerika ndonëse është më e pasur dhe në rritje, rrezikon të ekspozohet më shumë se të tjerët: peshon dobësia e amortizatorëve të saj socialë, por mbi të gjitha, në Amerikë globalizimi dhe automatizimi kanë një impakt më të madh se në pjesën tjetër të botës. Vlen për anën pozitive që kanë këta procese, por edhe për anën negative, që lidhet me një shpërndarje të pasurisë gjithnjë e më të çbilancuar në favor të një elite të vogël. (corriere.it)

Leave a Reply

Back to top button