Analiza

Vite të errëta e presin Lindjen e Mesme

Screen Shot 2015-05-09 at 17.29.45

Nga Trita Parsi*

Ndikimi rajonal i marrëveshjes së pritshme, mes fuqive botërore dhe Iranit, mbi programin bërthamor të këtij të fundit, do të jetë minimalisht i rëndësishëm. Ai pakt, do të shënojë një epokë të re në Lindjen e Mesme, në të cilën Shtetet e Bashkuara dhe Irani nuk do të synojnë më të dëmtojnë njëri-tjetrin, sa herë që iu jepet rasti.

Në këtë epokë armëpushimi, SHBA dhe Irani mund të dialogojnë për problemet rajonale, në vend se të shohin që mungesa e diplomacies, përkeqëson konfliktet ekzistuese. Megjithatë, në gjithë këtë arritje të pritshme historike, vite të errëta e presin Lindjen e Mesme. Pasojë e gjithë kësaj, ishte vendimi katastrofik i ish-presidentit amerikan Xhorxh W. Bush, për të pushtuar Irakun. Pasojat e luftës në Irak, do të ndihen më fuqishëm në rajon gjatë 10 viteve të ardhshme, sesa u panë në 10 vitet e para pas luftës.

Arsyeja me pak fjalë është si vijon: Pushtimi i Irakut i dobësoi Shtetet e Bashkuara, deri në pikën sa rendi i udhëhequr prej tij në rajon, filloi të rrëzohet. Paqëndrueshmëria që jemi duke parë aktualisht në Lindjen e Mesme, është e nxitur pjesërisht nga procesi i gjetjes së një ekuilibri të ri, dhe se ky i fundit është thuajse pa përjashtim i përgjakshëm. Ngjan pra me një stuhi para qetësimit të kohës, është një shprehje që thuhet në raste të tilla.

Por kjo nuk është një stuhi e zakonshme, pasi lufta në Irak nuk shkatërroi vetëm rendin rajonal, por ajo filloi të rrënojë strukturën shtetërore, mbi të cilën duhej të ndërtohej çdo lloj rendi. Tek e fundit, administrata e presidentit Bush nuk ndryshoi vetëm regjimin në Irak, ajo shkatërroi shtetin irakian në tërësi.

Kombinuar me problemet e thella shoqërore, shumë vende arabe kanë vuajtur, kryesisht si rrjedhojë e sistemeve të tyre jo të lira politike, dhe pakti i sigurisë që regjimet arabe kishin lidhur me Uashingtonin, në të cilin gjithçka luhej për stabilitetin afatshkurtër, në vend të një liberalizimi politik më afatgjatë – nxitën forcat ​​që përhapën kaos dhe shndërruan disa shtete autoritare në rajon, në shtete të dështuara.

Aq i vështirë dhe i dhimbshëm, është në vetevete procesi i krijimit të një rendi të ri, sa është e pamundur në të ardhmen për të ndërtuar një balancë të qëndrueshme, në kurriz të shteteve që ndodhen në kolaps. Gjatë 10 viteve të ardhshme, këto probleme të dyfishta do të shkatojnë shumë vuajtje dhe kaos në Lindjen e Mesme.

Ka më tepër gjasa që situatë të marrë për keq – shumë më keq – para se gjërat të shkojnë për më mirë. Nuk është habi që Shtetet e Bashkuara dhe Irani, kanë zgjedhur këtë moment për të kapërcyer armiqësinë e tyre thuajse 4-dekadëshe. Mjedisi përreth tyre, është duke u bërë aq shumë kaotik dhe kërcënues, sa kostoja e ruajtjes së armiqësisë mes tyre, thjesht po bëhet e padurueshme. Uashingtoni s’mund të përballojë më betejën me Al Kaedën, ISIS-in, talebanët dhe aktivitetet destabilizuese të aleatëve të tyre, me në krye konfrontimin e saj me Iranin.

Në mënyrë të ngjashme, Teherani nuk mund të menaxhojë më përhapjen e sektarizmit, rivalitetit dhe luftës mbështetëse me Arabinë Saudite, përveçse edhe mosmarrëveshjeve me SHBA mbi programin bërthamor. Sa më shumë që rivalitetet e mëdha mes fuqive, kanë përcaktuar politikën e Lindjes së Mesme gjatë dekadave të fundit, shtetet e forta – madje edhe ish-rivalët – tani ndajnë një kërcënim të përbashkët:shtetet e dështuara dhe kaosin që ato shkaktojnë.

Pavarësisht rivalitetit të tyre, Irani dhe Shtetet e Bashkuara, kanë nevojë për njëri-tjetrin, për të përmbushur sfidën e dyfishtë të stabilizimit dhe rindërtimit të shteteve të dështuara, si dhe krijimin e një arkitekturë të re të sigurisë për rajonin, që vendos një ekuilibër të ri në Lindjen e Mesme. Natyrisht, SHBA dhe Irani nuk mund ta përmbushin këtë sfidë të vetëm. Nga përkufizimi, procesi duhet të jetë gjithëpërfshirës – nuk ka arkitekturë sigurie që mund të ketë sukses, nëse nuk përfshin aktorët e fuqishëm rajonalë, duke përfshirë Arabinë Saudite, Turqinë dhe Izraelin.

Duke u mbështetur tek forca e tij si shtet, Irani mund të luajë një rol të rëndësishëm stabilizues në rajon. Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federika Mogerini e njohu këtë fakt, duke thënë se marrëveshja bërthamore mund “t’i hapë rrugën një roli të ndryshëm të Iranit në rajon”, që do të shoqërohet me sigurinë dhe stabilitetin në rajon.

Irani, vuri në dukje Mogerini, mund të luajë një “rol të madh, por pozitiv” tek konfliktet që vlojnë në Lindjen e Mesme, veçanërisht në Siri. Kjo është një detyrë e frikshme. Pritshmëria duhet të jetë e matur. Nuk ka zgjidhje të shpejta. Por të paktën një pengesë e madhe, duket se është tejkaluar: SHBA-ja dhe Irani tanimë mund të bisedojnë me njëri-tjetrin, konsultohen, dhe madje edhe në heshtje mund të koordinojnë politikat e tyre, ndërsa rajoni ballafaqohet me kaosin në Lindjen e Mesme. Kjo është asgjë më pak, sesa një ndryshim loje.

Shënim: Trita Parsi është president i Këshilli Kombëtar Amerikano-Iranian /“Huffingtonpost”/Bota.al

Leave a Reply

Back to top button