Analiza

Për të mposhtur fanatizmin, të vazhdojmë të lexojmë Volterin

Screen Shot 2015-11-25 at 22.48.28

Historiani Robert Darnton fton për të reflektuar mbi leksionin shumë aktual që vjen nga shekulli i Iluminizmit. “Duhet të forcojmë aftësitë tona të bashkëjetesës civile. Pa patur frikë për të bërë autokritikë”

“Për të mposhtur fanatizmin, të vazhdojmë të lexojmë Volterin”

Në librin e tij të vitit 2003, “Dhëmbët e Uashingtonit”, Robert Darnton, një prej studiuesve më të mirë të Iluminimit, deklaronte se racionalizmi i iluministëve është bërë sinonim i vetë modernitetit. Universalizmi i vlerave të iluministëve e ka çuar megjithatë perëndimin në një formë hegjemonie, që ka patur një impakt shkatërrimtar mbi kulturat e tjera. Tani, në një Europë që reflekton pas sulmeve të Parisit, studiuesi provon të arsyetojë mbi situatën aktuale, që duket se konfirmon teorinë e tij.

Profesor Darnton, a jemi përballë një përplasjeje qytetërimesh?

Pikërisht tani jam duke shkruajtur një hyrje të veprës kryesore të Volterit, “Urtësia e zakoneve”. Një histori globale e të gjithë qytetërimeve, një këndvështrim i të tërës, ku ai sforcohet për të kuptuar qytetërimet e tjerë, Kinën, Egjiptin, Arabinë, Turqinë, Rusinë, Persinë, Indinë, Japoninë, vendet në veri të Saharasë: dhe në veçanti perandorinë otomane. Në fund të këtij rrugëtimi, Volteri kthehet tek një ide “qytetërimi” ku vlerat e Perëndimit triumfojnë – por pa arrogancë; është i vetëdijshëm për të gjithë abuzimet që kanë si perëndimorët, ashtu edhe lindorët, dhe prononcohet për një lloj lufte të përjetshme kundër rrezikut të paragjykimeve dhe marrëzisë, që e gjej vërtetë prekëse.

Pra, a mund të na ndihmojë Volteri që të kuptojmë të tashmen?

Nuk bëhet fjalë për të aderuar në mënyrë naive në vizionin që ai kishte për botën. Në këto ditë kam risjellë në mendje Volterin, sepse islamistët përsërisin se jemi si Kryqtarët: por Volteri, kur shkruan historinë e Kryqëzatave është i indinjuar dhe i tronditur nga abuzimet e bërë. Pra, Volteri është një pikë e mirë referimi për të reaguar ndaj terrorizmit. Duhet t’i qëndrojmë besnikë kriterit të tij të “politesse”.

Edukimi i mirë?

Kjo fjalë, politesse, mund të tingëllojë absurde në këtë moment. Por Volteri e përdor shumë pak termin “qytetërim”, ndërkohë që mbërrin shpesh tek ideja e politesse, që është një mënyrë të jetuari, ku respektohet tjetri: votohet për lirinë e tjetrit. Nëse mund të rrëfej një anektodë, në romanin e tij filozofik “Candide” ka një moment, kur mëson vdekjen e Adrienne Lecouvreur, aktorja e madhe që Volteri kishte dashur shumë: pikërisht se është aktore, ajo vdes pa kaluar në duart e priftërinjve dhe pa sakramentet;

Thjeshtë e kanë hedhur trupin e saj në një hendek të thellë, duke e mbuluar me gëlqere. Kur i tregojnë Candides se si është varrosur ky person që sapo ka vdekur, përgjigja e Candide është: “Nuk ka qenë shumë veprim i edukuar”. Ideja e politesse, përballë një dhune pothuaj makabre  më është dukur shumë e fortë. Pra, Volteri i referohet “edukimit” si model, një mënyrë të jetuari që refuzon dhunën, jotolerancën, paragjykimet, marrëzinë dhe shëmtinë.

Vlera që janë ende aktuale?

Janë vlera që ruhen, që qëndrojnë, në kuptimin që sociologu i madh Norbert Elias fliste për qytetërime jetëgjatë: atje ku vlerat e lirisë dhe tolerancës zhvillohen me kohën. Duhet të mbajmë parasysh vlerat tona dhe nuk e them në mënyrë naive: edhe duke përdorur forcën, kur është e nevojshme.

Por në fjalimet pas sulmeve është folur menjëherë për luftë.

Sulmi kundër Irakut ka qenë gabimi më i rëndësishëm në historinë e politikës së jashtme të SHBA. Ishte një përgjigje ndaj dhunës që rezultoi shkatërrimtare, dhe unë nuk e duroj dot këtë mënyrë të reaguari. Besoj dhe shpresoj që në situatën aktuale nuk do të ripropozohet ky model i Bushit, që e kundërta e gjithë asaj që përfaqëson një qytetërim reflektues dhe i moderuar, dhe në themel më i “edukuar”.

A ka një mënyrë efikase për të luftuar propagandën e ISIS?

Terroristët manipulojnë të rinjtë përmes internetit, dhe fuqia e imazhit të tyre është e madhe. Eshtë një mënyrë komunikimi që ka një efektshmëri të tmerrshme. Dhe jo vetëm virtuale, duke qenë se shoqërohet me lidhje personale të ngushta në burgje, në lagje, në predikimin e ekstremistëve. Për të luftuar gjithë këtë nuk ekziston një strategji e thjeshtë. Ka një konflikt brezash edhe në brendësi të botës myslimane. Mosha e adoleshencës është më e ekspozuara ndaj ideologjive dhe duhet të përqëndrojmë përpjekjet tona për joshje dhe ndihmë, sociale dhe kulturore. /Repubblica

* Robert Darnton është historian amerikan, i konsideruar një prej studiuesve më të mëdhenj të Francës dhe Iluminizmit.

Bota.al

Leave a Reply

Back to top button