Analiza

Përballë ISIS-it

Francis Fukuyama

“American Interest”

Screen Shot 2015-03-30 at 10.36.13

Pika fillestare për një politikë të ndjeshme mbështetet tek kuptimi se SHBA dhe vendet e tjera demokratike nuk kanë arsye të favorizojnë një sekt fetar ndaj një tjetri, në luftën mes sunitëve dhe shiitëve. Kur përballen me mbulimin mediatik të veprimeve makabre të ISIS-it, sikurse janë prerjet e kokave, vendet demokratike thuajse gjithnjë reagojnë me tepri. Sulmet e 11 shtatorit e çuan SHBA-në të pushtojë Irakun në vitin 2003, duke shkaktuar mijëra viktima dhe shpërdoruar qindra-miliarda dollarë, në ndjekje të politikave të cilat ndoshta e përkeqësuan më tej situatën.

Ndërsa duhet të frenojmë ISIS-in, ne gjithashtu duhet të jemi të vetëdijshëm se ajo organizatë terroriste nuk përbën ndonjë kërcënim të afërt apo ekzistencial, ndaj interesave të Shteteve të Bashkuara, ose vendeve të tjera demokratike. Shtypi ndërkombëtar më në fund po e kupton se Shteti Islamik është më pak se një tigër prej letre.

Një ndër kopertinat e fundit të revistës “The Economist” titullohej “Përhapja e frikës, humbje e terrenit”; ajo paraqiste detaje nga ofensiva e fundit ushtarake e qeverisë irakiane kundër Falluxhas, dhe përzënies prej andej të ISIS-it. Duke zotëruar pjesën më të madhe të Sirisë, dhe pushtuar pjesën dërrmuese të Irakut verior, ISIS-i në një moment u duk si një kamion i rëndë e i pandalshëm. Në fakt, ky grup është një organizatë me dobësi të jashtëzakonshme.

Fjala “shtet” në emërtimin e tij është më shumë një aspiratë e dobishme për rekrutimin e militantëve të rinj, sesa një përshkrim i realitetit në terren. Duke qenë një shtet, ai nënkupton aftësinë për të ofruar shërbimet themelore publike si ujë, energji elektrike, kanalizime dhe shkollim, gjërat që ISIS-i nuk ka qenë në gjendje t’i ofrojë.

Shteti Islamik nuk ka dalje në det, dhe territori i tij shtrihet mbi një shkretëtirë shterpë dhe tejet të ekspozuar ndaj sulmeve ajrore. Ato pak burime energjitike si nafta, detyrohet t’i kontrabandojë nëpërmjet Turqisë dhe Irakut. ISIS-i nuk ka thuajse asnjë mbështetës të jashtëm. Kina, Rusia, Evropa, Shtetet e Bashkuara, Irani, dhe praktikisht të gjithë në botën arabe, janë dakord se ajo është një organizatë djallëzore.

Fuqia e saj punëtore vjen si një aleancë jo e natyrshme mes një bande të rinjsh, dështakëve të pakënaqur nga jashtë, dhe baathistëve të mirë-trajnuar, të cilët dikur ishin përkrahës të diktatorit Sadam Husein. Po përse atëherë, ISIS- i shfaqet i fuqishëm dhe kërcënues? Kjo është për shkak se të gjitha shtetet përreth tyre janë shumë të dobët.

Natyrisht, Siria është shembur si shtet. Iraku u qeveris vitet e fundit nga një prej udhëheqësve më të paaftë që ka parë historia kohët e fundit, Nuri al-Maliki, i cili bëri të pamundurën për t’u armiqësuar me minoritetin sunit në vend. ISIS-i po ndjek një model të ngjashëm edhe në vende të tjera, ku terroristët rrjedhin nga territore të qeverisura dobët, si Boko Harami në Nigerinë Veriore. Nuk ka asnjë zgjidhje tjetër afatgjatë, përvec që fuqitë e tjera rajonale të krijojnë

institucionet e tyre shtetërore dhe fitojnë aftësinë për të rrimarrë sërish territorin e pushtuar prej këtij grupi.
Objektivi kryesor i ISIS-it nuk janë demokracitë e huaja, por shiitët në Irak, Siri, dhe pjesë të tjera kryesore në Lindjen e Mesme. Ai është pjesë e një lufte të përhapur sektare civile, mes sunitëve dhe shiitëve, një luftë që është ushqyer nga mbështetja e Arabisë Saudite dhe Iranit. ISIS-i paraqet një kërcënim ushtarak akut ndaj fqinjëve të tij shiitë, dhe vepron si një magnet për meshkujt e rinj e të papunë në vendet e tjera, që nuk kanë të dashura apo ndonjë mundësi punësimi.

Këta të fundit do të përpiqen të kryejnë veprime të dhunshme, si sulmet në revistën satirike “Charlie Hebdo” në Paris, por duhet të konsiderohen më shumë si kriminelë të

rrezikshëm, sesa një kërcënim për sigurinë kombëtare të vendeve jashtë rajonit. Pika fillestare për një politikë të ndjeshme, mbështetet në kuptimin se SHBA dhe vendet e tjera demokratike, nuk kanë arsye që të favorizojnë një sekt fetar mbi një tjetër në këtë luftë.

Asnjë nga lojtarët më të mëdhenj nuk ndan vlera të rëndësishme me demokracitë e botës së zhvilluar; të dyja palët janë fajtorë për nxitjen e terrorizmit dhe destabilizimin e fqinjëve të tyre. Bota e jashtme ka interes për një zgjidhje të qëndrueshme të konflikteve në Irak dhe Siri. Por nëse ka pasur ndonjë mësim që duhet të nxirret nga përvoja amerikane në Afganistan dhe Irak, është se askush në Uashington apo në ndonjë kryeqytet tjetër jashtë zonës së konfliktit, ka mencurinë e nevojshme për të ndërtuar një rend

të qendrueshëm dhe vetëm politik në Lindjen e Mesme, në çdo kohë e në një të ardhme të afërt. Ajo për të cilën bota jashtë ka interes është shmangia e përhapjes së konfliktit në vendet e tjera dhe për aq sa mundemi të mbrojmë njerëzit e pafajshëm nga masakrat. Kjo nënkupton se politika jonë optimale duhet të jetë ajo e kontrollit. Që do të thotë se SHBA dhe aleatët e saj duhet të përdorin fuqinë ajrore dhe ndihmën ushtarake, për të garantuar se asnjë grup, qoftë ISIS apo regjimi i Asadit, të mos jetë aq i fortë sa të mund të imponojë vullnetin e tij në rajon.

Ka një model historik për një politikë të tillë, i cili quhet “offshore balancing” (strategjia përmes së cilës një fuqi e madhe kontrollon rritjen e një fuqie rajonale armike). Kjo është politika klasike që Britania ka ndjekur përballë Evropës. Britania nuk kishte miq apo armiq të

përhershëm, dhe do ta hidhte peshën e saj kundër cilësdo fuqi të madhe që dukej se do të dominonte kontinentin.
Gjatë shekujve, ajo e kundërshtoi Spanjën, Francën, Holandën, Gjermaninë, dhe Bashkimin Sovjetik; deri tek luftërat botërore të shekullit XX, ajo ishte shumë e gatshme të çonte trupat në terren dhe ngjarjet, duke ndikuar kryesisht përmes fuqisë detare dhe politikave ekonomike. Ky është lloji i politikës, që demokracitë e jashtme duhet të ndjekin përkundrejt ISIS-it. Ata duhet të shmangin vendosjen e qëllimeve të forta dhe synimeve të paarritshme të tipit “Asadi duhet të largohet nga pushteti” ose “të degradojmë dhe shkatërrojmë ISIS-in”, në favor të një politike të balancimit të ketyre fuqive që janë kundër njëra-tjetrës. Ata nuk duhet të krijojnë miq apo armiq të përhershëm, sipas

mënyrës së aleancës së NATO-s ose Traktatit të Sigurisë SHBA-Japoni, por më tepër të ruajnë fleksibilitetin, për të punuar me apo kundër palëve të ndryshme në kohë të ndryshme.

Ka pasur shumë frikë se milicia shiite, e angazhuar në betejën për rimarrjen e Falluxhës, do të nxisë revoltën e popullsisë sunite atje, dhe për arsye se trupat qeveritare irakiane po komandohen nga një gjeneral iranian. Këto janë shqetësime të arsyeshme, dhe nëse shiitët kthehen në agresorë, SHBA-ja duhet të ndryshojë palë dhe të mbështesë sunitët. Gjithësesi në këtë proces, ne s’duhet të dërgojmë trupa në terren, por të përdorim sulmet ajrore dhe ndihmën ushtarake kundër cilitdo aktor që duket se po bëhet dominant. Shmangia e një ndërhyrje më të thellë ushtarake është thelbësore, në rast se duam që vendet e rajonit

të ndërtojnë institucione të forta dhe marrin përgjegjësinë për sigurinë e tyre.
Prania e rëndë e SHBA-së në Afganistan dhe Irak inkurajoi “lëvizjen e lirë”: irakianët në veçanti nuk e ndjenë se duhej të ndërtonin një shtet të fortë apo forcë të sigurisë kombëtare, për shkak se amerikanët qenë gjithmonë aty, për të bërë punët e vështira.

Komandantët amerikanë duhet të frenojnë veten e tyre dhe të jenë të vetëdijshëm se roli i tyre në këtë betejë është shumë më i vogël se ai i qeverisë në Bagdad. Një politikë e kontrollit dhe balancimit “offshore” është e vështirë për t’u justifikuar ndaj publikut në vendet demokratike. Ajo nuk premton një zgjidhje përfundimtare të problemit të terrorizmit, dhe duket cinike në gatishmërinë e saj për të lënë Asadin dhe ISIS-in të luftojnë njëri-tjetrin deri në vdekje. Por

alternativat, ose për të mos bërë asgjë, ose për t’u kredhur në konflikt me një forcë masive ushtarake, sikurse SHBA bëri Afganistan dhe Irak, janë shumë më pak tërheqëse. Ky duhet të jetë një mësim, që ne në mënyrë të qartë, e nxjerrim nga përvoja e dekadës së kaluar. www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button