Analiza

Përballë krizave, Frika është një këshilltar i keq

“Diçka do të ndodhë”. Ose cili është sekreti i vërtetë i të ardhmes? Të mos jesh i frikësuar nga armiqtë, ky është sekreti i vërtetë i të ardhmes. Ky është sekreti i popujve të lumtur

Jacques Attali

fra 1

Duhet të jesh një mohues i madh, siç kanë qenë këto kohë shumica e udhëheqësve europianë, që të mos shohësh se diçka e madhe do të ndodhë në Europë në muajt që do të vijnë. Njëra prej disa shpatave të mëdha të Demokleut që rrijnë varur në qiellin e historisë, do të biën mbi kokën tonë:
Lëvizjet e ndryshme terroriste që veprojnë në Lindjen e Mesme, ku stërvisin kopjet e tyre, mund të realizojnë në kontinentin tonë sulmet terroristë me të cilët na kanë kërcënuar.
Epidemia e Ebolës në Afrikën Perëndimore mund të marrë përmasa të mëdha dhe në fun të prekë Europën me një imakt të rëndësishëm, duke shkaktuar një rënie të madhe në shumë forma të tjera shkëmbimesh.
Situata politike dhe financiare në Kinë, gjithnjë e më e paqëndrueshme, mund të shkaktojë një krizë të madhe ekonomike atje, me një impakt të konsiderueshëm mbi ekonominë globale, dhe veçanërisht Europën.
Zhytja prej kohësh e SHBA në borxh dhe printimi i parave, për të arritur vetëm një rritje ekonomike të vogël mund të dështojë në shpëtimin e një sistemi financiar tërësisht të çbalancuar, ku edhe këtu pasojat për Europën do të ishin të rënda.
Për ta thënë në mënyrë më të drejtpërdrejtë, situata e përgjithshme në Europë, e cila po zhytet në deflacion, e bën shumë të mundshëm skenarin ku një prej shteteve të Bashkimit Europian falimenton, për shkak të humbjes së aftësisë për pagimin e borxhit. Dhe zemërimi i gjermanëve, përballë rrëshkitjes së të tjerëve, mund ta detyrojë këtë vend që të bëhet i pari që lë lë eurozonën.
Veç kësaj, vendimi i pritshëm i Gjykatës Europiane në lidhje me mekanizmin e solidaritetit të bonove, krijuar nga Mario Draghi, nëse do të shpallet se bie ndesh me traktatet europianë, mund të shkaktojë dorëheqjen e Presidentit të Bankës Qendrore Europiane dhe një kolaps të Euros.
Më konkretisht Franca, defiçiti buxhetor i të cilës tashmë ka dalë jashtë kontrolli dhe ku reformat vijnë shumë ngadalë, mund të sulmohet prej tregut dhe të humbasë aftësinë paguese.
Të paktën njëri prej këtyre rreziqeve ka gjasa të materializohet në 18 muajt e ardhshëm. Të gjithë dyshojnë dhe të gjithë përgatiten, secili në mënyrën e vet. Sidomos në Francë. Dhe për këtë, dy qasje janë të mundshme:
E para, më e shpeshtë dhe me më shumë gjasa, është pasojë e frikërave të të tjerëve. Ajo çon në mbylljen e kufijve, në izolacionizëm, refuzim i të resë dhe i të tjerëve, domethënë çon në iluzionin e arratisjes nga kaosi që ka mbështjellë botën. Ajo do të shkaktojë një tjetër tronditje, duke i dhënë pushtet në Francë Frontit Nacional, në një apo dy rajone gjatë zgjedhjeve të ardhshme të qershorit. Dhe duke qenë se ata nuk do të përmirësojnë cilësinë e jetës për veriorët, mund të shpjegojnë që nuk mund të bëjnë asgjë nëse nuk qeverisin të gjithë Francën, një skenar që bëhet më i mundshëm me çdo ditë që kalon. Për fatkeqësinë e vendit, për shkak të barrierave të pafuqishme që do të ngrinte një qeveri e frikës, kjo do të përmbytej shumë shpejt nga cunami që pritet të vijë.
Qasja e dytë është t’u paraprihet këtyre rreziqeve, të kuptohet se frika është një këshilltar i keq, se strehimi në izolacionizëm nuk do të jetë përgjigje, se refuzimi i të tjerëve është vetëvrasje, se begatia e ardhshme e Francës do të varet prej mbajtjes nën kontroll të borxhit, nxitjes së inovacionit dhe arsimit, prej integrimit të suksesshëm të atyre që duan t’i bashkohen këtij vendi. Europa mundet dhe duhet të organizohet në mënyrë urgjente, me qëllim që t’u rezistojë këtyre krizave, të marrë masat e domosdoshme për të investuar, duke ulur vlerën e Euros dhe duke monitoruar në mënyrë të përbashkët kufijtë.
Të mos jesh i frikësuar nga armiqtë, ky është sekreti i vërtetë i të ardhmes. Ky është sekreti i popujve të lumtur.
PERSHTATUR NE SHQIP NGA www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button