Analiza

Perëndim-Rusi, paqja e ftohtë?

Kriza në Ukrainë shënon një prishje midis perëndimorëve dhe rusëve. Dy specialistë të marrëdhënieve ndërkombëtare ofrojnë sqarimet e tyre

Ndërkohë që armëpushimi i nënshkruar midis Rusisë dhe Ukrainës mbetet i brishtë në terren, “Le Monde” ka ftuar dy specialistë francezë të hapësirës post-sovjetike, për të shkëmbyer mendime mbi të ardhmen e marrëdhënieve midis Perëndimit dhe Rusisë, si dhe sfidat për paqen dhe sigurinë në Kontinentin e Vjetër.

rusi perendim

A kanë perëndimorët një pjesë të përgjegjësisë në krizën ukrainase?

Thomas Gomart: Pa asnjë dyshim, ashtu si edhe Moska. Në radhë të parë, perëndimorët, të sigurt në fitoren e tyre mbi Bashkimin Sovjetik, kanë mohuar ekzistencën e një hapësire post-sovietike, në dobi të një copëzimi rajonal.

Në rradhë të dytë, evropianët kanë bërë politikën e tyre të fqinjësisë në Lindje në mënyrë kontradiktore: ata inkurajojnë proceset e integrimit rajonal nëpër botë, me përjashtim të hapësirës post-sovjetike. Dhe kjo tendencë sigurisht është theksuar me anëtarësimin e vendeve të Lindjes në Bashkimin Evropian dhe Organizatës të Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), për t’iu shmangur influencës ruse.

Në radhë të tretë, ata nuk i kushtuan në mënyrë të mjaftueshme vëmendje vizionit të Moskës për botën, dhe në veçanti raportit të saj me Lindjen e Mesme dhe me radikalizmin sunit. Mosmarrëveshja thelbësore u vendos me Kosovën, pastaj me Irakun. Aneksimi i Krimesë dhe operacionet në Ukrainë janë si përgjigje ndaj goditjeve të NATO-s në Serbi dhe krijimit të Kosovës.

Në vitin 2003, Parisi, Berlini dhe Moska iu kundërvunë ndërhyrjes anglo-amerikane në Irak. Dhjetë vjet më vonë, Moska mbështet Sirinë e Bashar Al-Assadit, duke dhënë prova të një qëndrueshmërie në analizën e saj të islamit radikal, në ndryshim nga Uashingtoni, Londra apo Parisi. Moska konsideron se Perëndimorët luajnë me zjarrin dhe janë destabilizues.

Kjo e shpuri Rusinë që të lidhë ngjarjet në Siri dhe në Ukrainë me analizën e rolit të dëmshëm, të luajtur nga të tre fuqitë kryesore ushtarake perëndimore (Shtetet e Bashkuara, Franca, Mbretëria e Bashkuar).

Situatat në këto dy vende përbëjnë për Rusinë dy kërcënime të dallueshëm: oksidentalizmi i militarizuar dhe radikalizmi sunit. Në anën perëndimore, Ukraina në përputhje me kulturën strategjike ruse, zë një pozicion qëndror. Në krahun jugor, ajo gjendet në një vijë mbrojtëse, që kalon nga Greqia në Iran, nëpërmjet Qipros, Sirisë dhe Izraelit.

Marie Mendras: Duhet kundërshtuar fjalimi i Putinit, i cili na akuzon neve se kemi “nxitur” revoltat arabe të vitit 2011, që kemi destabilizuar Libinë dhe Egjiptin, ndërkohë që ai vetë, prej vitesh armatos dhe mbështet regjimin e Bashar Al-Assadit në Damask, një regjim përgjegjës për masakrat e civilëve dhe që ka shpënë në radikalizimin islamist. Nuk mund ta lëmë Putinin, i cili thotë se ai vepron për paqen!

Në Siri dhe në Ukrainë ka një angazhim të fortë rus në terren, me armë të sofistikuara, ushtarakë dhe teknikë rusë. Për ne evropianët, nëqoftëse ka një tipar të përbashkët në qëndrimin e Rusisë në Siri dhe në ndërhyrjen e saj në Ukrainë, ky është përdorimi i forcës së armatosur, pa kontroll demokratik dhe pa debat në Parlament.

A iu largua Rusisë NATO, në Samitin e mbajtur në Njuport, më 5 dhe 6 shtator?

M. M.: Aleanca nuk ka qenë mjaft e qartë, ndërkohë që ajo pati meritën qysh prej qershorit të vitit 2014, të denoncojë agresionin rus, pa eufemizëm. Kur një raketë ruse tokë-ajër, e gjuajtur nga Ukraina lindore, rrëzoi gabimisht avionin e linjës malajziane më 17 korrik, NATO bëri të njohur rreziqet e tejskajshëm të ndërhyrjes ruse. Unë shpresoj që ne do të shohim së shpejti një rivlerësim serioz të politikave të NATO-s kundrejt vendeve të kapura në pozicion sanduiçi midis nesh dhe Rusisë, sëpari Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia, vende që kanë nënshkruar marrëveshje asociimi me BE-në.

NATO dhe BE-ja duhet të koordinojnë aksionet e tyre, meqënëse Evropa nuk ka pasur gjithmonë politikë mbrojtëse të përbashkët. Sigurisht, shumë do të varet nga qëndrimi amerikan.

T. G.: Për Moskën, kërcënimi kryesor në anën e saj perëndimore mbetet NATO. Nga ana e Aleancës, duhet t’i sigurojmë vendet që ndihen të kërcënuara nga Rusia dhe që janë të mbrojtur nga neni 5 i kartës së saj.

Në Njuport, NATO analizoi shtimin e tenssionit me Rusinë, duke mos i lënë asnjë iluzion Kievit për një mbështetje eventuale ushtarake. Ky konflikt do ta riorientojë NATO-n drejt misionit të saj fillestar të mbrojtjes territoriale, pas dy dekadash ndërhyrje jashtë zone. Për atë mbetet çështja e vëndeve që janë në pozicion sanduiçi.

A duhet që NATO të vazhdojë logjikën e zgjerimit?

M. M.: NATO, për shkak të agresionit rus është gjendur e detyruar për të shqyrtuar sërish perspektivat e forcimit të sigurisë të kontinentit evropian. Ky është një ndryshim real. Siç thonë ukrainasit, Putini e ka ndihmuar NATO-n të reflektojë për misionet e saj dhe të merren me ne! Kjo nuk do të thotë që dosja e anëtarësimit të Ukrainës është mbi tryezë. Drama për ukrainasit është se terrorizmi i “Shtetit islamik” e ka bërë të kalojë në plan të dytë pushtimin rus. Kjo u pa mirë në Njuport.

T. G.: Së pari, situata është mjaft e ndezur: të flasësh sot për zgjerimin do të thotë t’i japësh Moskës një casus belli , e thënë ndryshe do të ishte më e rrezikshme. Së dyti, zgjerimi i NATO-s për qëllime politike, mekanikisht shprehet me një zbehje të efikasitetit të saj ushtarak.

Për shumicën e vendeve evropiane, NATO është bërë një objekt sigurimi me kosto të ulët: ajo nuk jep pëlqimin për përpjekjet e nevojshme në drejtim të shpenzimeve ushtarake. Së treti, modeli i zgjerimit i përdorur gjatë viteve 1990 më duket se është dyfish i papërshtatshëm: me evolucionin e raporteve të forcës globale dhe me gjendjen reale të vëndeve të përfshira.

Çfarë kërkon Vladimir Putini?

M. M.: Gjashtë vjet pas luftës në Gjeorgji në vitin 2008, konstatojmë se Putini nuk dëshiron që shtetet në pozicion sanduiçitë bëhen vende sovrane dhe të begatshme. Ai bën gjithçka që t’i pengojë ata t’i bashkohen një organizate shumëpalëshe, në të cilën Rusia nuk është anëtare, kryesisht BE dhe NATO.

Ai dëshiron të pozicionohet si shefi i fuqisë së dytë përballë fuqisë amerikane. Kjo është e pamundur. Unë nuk shoh se si Rusia, edhe duke rimarrë një copë të vogël të Ukrainës apo të Gjeorgjisë, do të bëhej sërish një fuqi e madhe, si në periudhën e BRSS, në raportin e forcave me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ka një frurstrim të thellë dhe një frymë revanshi, që është përkeqësuar qysh prej bombardimeve të NATO-s kundra Serbisë në vitin 1999 dhe të “revolucionit portokalli” në Ukrainë në vitin 2004. Politika ruse është të pengojë rendjen drejt perëndimit të sa më shumë shteteve ish sovjetikë, sepse europianizimi i një vendi si Ukraina do të thotë demokratizim dhe përparime në Shtetin e të Drejtës. Unë jam i bindur se, për Putinin ky është rreziku i madh: të shikojë në kufijtë e Rusisë të ngrihen shoqëri që refuzojnë diktatin e regjimeve autoritare dhe të korruptuara. Pra, regjimi rus ka frikë se humbet këto “shtete tamponë” të cilët, mendon ai, e mbrojnë nga influenca e jashtme dhe nga globalizimi.

T. G.: Në Rusi, ashtu si në regjimet e tjera autoritare, vërehet se bota tre vjet pas “pranverave arabe” po përjeton një zbaticë të valës së demokratizimit global. Ka vlerësime që dhe regjimet evropiane mundet gjithashtu të përjetojnë  “momente autoritare”. Në këtë kontekst, Putini konsolidon pushtetin e tij personal. Për ta bërë këtë, ai përdor konfliktin ukrainas për të rritur popullaritetin e tij. Ai mobilizon shoqërinë për tematika nacionaliste, në një moment kur modeli ekonomik i Rusisë ka mbetur në vend. Jasht vendit, ai dëshiron ta bëjë të pamundur çdo afrim të Ukrainës me NATO-n, ta bëjë Rusinë një fuqi ushtarake konvencionale, dominuese në sferën e saj të influencës, duke mbetur një fuqi globale, në sajë të fuqisë së saj bërthamore dhe të testojë kohezionin perëndimor.

A jemi vallë në agimin e një lufte të re të ftohtë midis Perëndimorëve dhe rusëve?

T. G.: Ka një përballje ideologjike në leximin e botës dhe drejtimin e çështjeve ndërkombëtare. Rusia ka arritur të prodhojë antikorpe për t’i rezistuar doxa-s gjeopolitike perëndimore. I droguar me historinë ruse, Putini ka zgjedhur tashmë të luftojë perëndimin. Duke arsyetuar në terma gjeopolitike, elitat ruse duket se janë të bindura për rënien perëndimore. Logjikisht, kjo e bën Kremlinin të luajë me dy përqasje të mundshme me aleancën transantlantike. E para është se mendon se BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara janë bashkërisht të angazhuara në një rënie të pakthyeshme. E dyta është që t’i paraprijnë një kthimi në afatmesëm të fuqisë të Shteteve të Bashkuara. Në fakt, rritja ekonomike amerikane, autonomia e saj energjitike, përfitimet e mos-angazhimit duhet të hapin një fazë të re për Uashingtonin në horizontin e viteve 2016-2018, data kritike për Vladimir Putinin.

Viti 2013 mund të ishte kulmi i kthimit të fuqisë ruse e nisur qysh në vitin 1999.

M. M.: Nëqoftëse strategët rusë mendojnë kështu, ata janë tërësisht të gabuar. Ne duhet të kemi parasysh se ata kanë vizionin e tyre për realitetet dhe tendencat për të ardhmen. Në Rusi jemi përballë me një numër shumë të pakët bashkëbiseduesish rreth presidentit, të cilët nuk duan të heqin dorë nga vizioni i tyre i gjërave, të bindur që kur kanë një arsyetim tjetër, nuk shihen mirë.

Kur analizojmë tendencat e ekonomisë ruse për një periudhë dhjetë apo njëzet vjeçare, përfshirë energjinë, Rusia ngushtohet në hartën e botës. Nëqoftëse ka një vënd që është në rrezik për t’u bërë provincial, më tepër është Rusia dhe jo Evropa, e cila mbetet rajoni më i pasur i botës.

Po Kina, ku qëndron në të gjithë këtë? Në qoftëse ka një vend me të cilin Rusia duhet të krahasohet, ky është Kina! A duhet të kënaqemi me një dialog midis fuqive, apo duhet që të bëjmë që Rusia të kuptojë se koha e zonave të influencës ka kaluar ?

T. G.: Ne shkojmë drejt një mënyre marrëdhëniesh hibride. Në Evropë, Rusia do të dëshironte një Bashkim Evropian midis kryeqyteteve të mëdha në dëm të BE-së. Jashtë Evropës, ajo dëshiron të shfaqet si një fuqi klasike dhe emergjente. Por Rusia ka një problem niveli. Ajo përfaqëson vetëm një të pestën e ekonomisë kineze dhe gjysmën e ekonomisë franko-gjermane.

Në të njëjtën kohë, ajo ka rilançuar shpenzimet e saj ushtarake, ashtu si vendet aziatike. Për evropianët kjo do të thotë të ndiqen nga afër zhvillimet në Rusi dhe t’i shmangemi idesë të një konvertimi të Rusisë në normalitet evropian.

M. M.: Imazhi i luftës së ftohtë është i dobishëm dhe mashtrues. I dobishëm, sepse në Moskë ka ende një vizion të vjetëruar dhe antiamerikan të një bote të kaluar. Qysh prej njëzet vjetësh, rusët kanë parë të zhvillohet një Evropë e ndryshme nga ajo që ata imagjinonin. Dhe të shohë një vend si Polonia e integruar mirë në BE dhe në NATO, për Putinin është një humbje.

Imazhi është mashtrues, sepse nuk ka më dy blloqe të mëdha që i kundërvihen njëri-tjetrit. Rusia gjendet strategjikisht vetëm, ajo nuk është më në krye të një blloku, siç ishte dikur Traktati i Varvashavës. Edhe autokratët bjellorusë dhe kazakë shqetësohen për ambiciet ruse! Kina fshihet mbrapa Rusisë kur bëhet fjalë për t’iu kundërvënë perëndimorëve në Kombet e Bashkuara. Ajo përdor me inteligjencë pozicionin agresiv të Moskës. Kjo është një mënyrë për Pekinin që të shtyjë përplasjen strategjike me Shtetet e Bashkuara. Rusët janë vënë vetë në situatë partneri më të vogël. Ata nuk adresojnë me çiltërsi ambiciet e Kinës. Në Evropë ne nuk jemi të përgatitur për konflikte të lokalizuara dhe të nxehta dhe ne jemi përballë një sfide urgjente: a mundemi të sigurojmë në të ardhmen sigurinë e kontinentit, duke lënë që të kemi konflikte me një intensitet të ulët në periferi të BE-së dhe të NATO-s?

PERSHTATUR NE SHQIP NGA S.METANI /www.bota.al/

Leave a Reply

Back to top button