Analiza

Perëndimi e harron historinë. Putini e përsërit

MATTHEW KAMINSKI

Që kur përfundoi Lufta e Ftohtë, vetëm ata që kishin fatin të zgjidhnin sistemet e tyre politikë si dhe aleatët, kanë gjetur paqe dhe stabilitet në Europë. Ukraina do që t’u bashkohet. Arkitekti i Luftës së Ftohtë, George Kennan, kaq shumë i dashur për realistët amerikanë për shkak të kundërshtimit të tij ndaj zgjerimit të NATO-s, dikur ka shkruajtur: “Rusia mund të ketë në kufijtë e vet ose vasalë, ose armiq”. Problemi nuk është me fqinjët, por me vetë Rusinë

merkel putiniTë pafuqishëm në reagimin ndaj luftërave të Vladimir Putinit, udhëheqës të njëpasnjëshëm amerikanë kanë vrarë mendjen, se cili është vendi i Rusisë në kohë. “Veprime të tillë janë të papranueshëm për shekullin 21”, deklaroi Presidenti George W. Bushi në vitin 2008, pas pushtimit të Gjeorgjisë nga Rusia. Kur forca ruse e “burrave të vegjël të gjelbërt” aneksuan Krimenë e Ukrainës në shkurt të këtij viti, Sekretari i Shtetit, John Kerry deklaroi: “Nuk mundesh që në shekullin 21 të sillesh si në shekullin 19, duke pushtuar një tjetër vend, me një pretekst krejtësisht të sajuar”.
Putini është shfaqur indiferent ndaj ankesave për sjelljen e tij të dalë mode. Të hënën në mëngjes, autoritetet ukrainase bënë të ditur se një kolonë prej 10 tankesh rusë dhe disa blindash kaluan kufirin juglindor të Ukrainës në zonat që mbahen prej rebelëve rusë. Artileria ruse tani godet pozicionet ushtarakë të ukrainasve që nga brenda territorit të Ukrainës, bëri të ditur NATO të premten. Duke injoruar objeksionet nga Kievi, Rusa shpalli qëlimin e saj për të dërguar një karvan të dytë me “ndihma humanitare” brenda javës, me kamionë ushtarakë të mbuluar me ngjyrë të bardhë, për të sjelë dhe marrë kush e di se çfarë.
Teksa trysnia ushtarake rritet mbi qeverinë properëndimore të Kievit, europianët po shtojnë trysninë e tyre. E mbërthyer nga ankthi se përshkallëzimi më i fundit i dhunës mund të rivërë në skenë luftërat e shekullit 20, Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel shkoi të shtunën në Kiev për të nxitur autoritetet për një pajtim me Moskën. Kancelarja u kërkoi ukrainasve të ndalin zjarrin dhe përjashtoi mundësinë e sanksioneve të reja të europianëve ndaj Rusisë. Kështu që, Putini shkoi për bisedime në Minsk me Petro Poroshenkon e Ukrainës, duke patur shumë më tepër hapësirë manovrimi.
Kriza në Ukrainë ringjall një prej përplasjeve më të vjetra në zemër të Europës – “tokat e gjakut”, sipas frazës së Timothy Snyderit – mes autokracisë dhe liberalizmit. Për shekuj të tërë, ky rajon u formësua prej “Cështjes polake” – çfarë duhej të ndodhte me njerëzit e vështirë, të pavarur mes Rusisë dhe Gjermanisë. Me fundin e komunizmit dhe me anëtarësimin në BE dhe NATO, Polonia u largua nga skakiera. Tani, ka hipur Ukraina.
Revolucioni Portokalli në Ukrainë, në vitin 2004, kundër zgjedhjeve të manipuluara dhe përmbysja dimrin e kaluar e një presidenti të korruptuar dhe të urryer në Kiev i ngjajnë kryengritjes së polakëve kundër sundimit rus në shekullin 19. Kur polakët u revoltuan në 1830-ën, Cari reaksionar Nikolla I, i cili ngriu reformat e brendshme në Rusi pas një hapjeje kohëshkurtër, deklaroi se “ose Rusia, ose Polonia, tani duhet të zhduken”.
Për ta përshtatur frazën e tij në epokën e Putinit, ose ai, ose demokracia ukrainase do të mbijetojë – jo të dyja. Pyotr Chaadayev, një shkrimtar rus, ishte dëshmitar i kryengrijtjes së 1830-ës dhe fitores së Car Nikollës. “Rusia është larg, e nënshtruar ndaj vullnetit, arbitraritetit dhe despotizmit të një njeriu”, shkruante ai në vitin 1836. “Përkundër ligjeve të bashkëekzistencës, Rusia po shkon vetëm në drejtim të sklavërimit të saj, dhe skllavërimit të popujve fqinjë”.
Në çdo krizë polake deri në Luftën e Dytë Botërore dhe përgjatë Luftës së Ftohtë, realistët e Europës druheshin se mos prishnin ekuilibrin e fuqive dhe favorizuan një mirëkuptim për autokratët në Moskë dhe në Berlin. Interesat tregtarë ishin një prej faktorëve.
Në historinë e tij të Polonisë, “Këndi i Lojërave i Zotit”, Norman Davies shkruan për liderin e kryengritjes së vitit 1863, i cili konkludoi, pas një udhëtimi të pafrutshëm nëpër kryeqytetet europianë për të kërkuar ndihmë, se Perëndimi e shihte Rusinë si “një minierë floriri për kapitalistët”. Ky është debati aktual i sanksioneve në BE.
Davies shkruan se polakët ishin një “kërcënim i gjallë i të gjithë miteve dhe legjendave mbi të cilat ishte ngritur perandoria ruse. Bashkë me hebrenjtë, nën shoqërinë e të cilëve ata ishin përfshirë brenda Rusisë, ata ishin mbrojtës të një kulture demokratike vibrante, dhe si të tillë ishin kundërshtarë të natyrshëm të autokracisë”.
Realistët e sotëm fajësojnë NATO-n dhe përhapjen vullnetare të BE nëpër Europë, për shpërthimet e Putinit. Por betejat autokratike të Rusisë kundër ndikimeve liberalizues nga jashtë janë më të hershme se të gjithë këto.
Sovjetikët ndërhynë në Cekosllovaki për të shtypur Pranverën e Pragës në vitin 1968. Në vitin 1991, radikalët përreth presidentit rus, Boris Jelsin të udhëhequr nga zëvendësi i tij, Gjenerali Aleksandër Rutskoi, kërkuan ndërhyrje ushtarake për të mbajtur afro 50 milionë sllavët e Ukrainës në brendësi të nëj Bashkimi Sovjetik të ribërë.
Jelsini i kundërshtoi dhe pranoi kufijtë e republikave sovjetike si kufijtë e rinj ndërkombëtarë, duke ia kursyer BRSS-së fatin e përgjakshëm të Jugosllavisë së Sllobodan MiIlosheviçit. Frika e kahershme dhe neveria që Putini ndien për demokracinënë vendet fqinjë, sidomos në Urkainë, e zhbën këtë. Më shumë se 2000 vetë kanë vdekur këtë vit në Ukrainë.
Kjo është një betejë ekzistenciale për presidentin aktual, të zgjedhur demokratikisht, të Ukrainës. Poroshenko i ka rezistuar ndërhyrjeve të mëparshme, sidomos gjermane, për të ndalur përparimin e tij të suksesshëm ushtarak dhe për të arritur një marrëveshje. Ai e di mirë se asgjë tjetër përveç marrjes së kontrollit të plotë të territorit të Ukrainës nuk do të bëjë punë. Ai ka nevojë ta fitojë këtë luftë në terren. Rezultati më i mundshëm i një armëpushimi të parakohshëm është një “konflikt i ngrirë”, kundër-reagimi i fortë i opinionit publik, paqëndrueshmëria dhe probleme që do të dobësojnë demokracinë dhe ambiciet europiane të Ukrainës. Në atë rast, Putini fiton.
I shpërqëndruar prej Lindjes së Mesme, Uashingtoni ia ka kaluar Gjermanisë dosjen e Ukrainës. Kushdo që mendon se një tjetër mirëkuptim gjermano-rus do të qetësojë “tokat e gjakut” të Europës, ka një vesh historik të shurdhër.
Që kur përfundoi Lufta e Ftohtë, vetëm ata që kishin fatin të zgjidhnin sistemet e tyre politikë si dhe aleatët, kanë gjetur paqe dhe stabilitet në Europë. Ukraina do që t’u bashkohet. Arkitekti i Luftës së Ftohtë, George Kennan, kaq shumë i dashur për realistët amerikanë për shkak të kundërshtimit të tij ndaj zgjerimit të NATO-s, dikur ka shkruajtur: “Rusia mund të ketë në kufijtë e vet ose vasalë, ose armiq”. Problemi nuk është me fqinjët, por me vetë Rusinë. Rregulli i Kennanit do të ketë vlerë sa kohë që në Moskë do të udhëheqë një tiran.
Refuzimi i John Kerryt ndaj lëvizjeve të Putinit si në shekullin 19, mund të vijë vetëm me fitoren e liberalizmit kundër autokracisë në lindje të Europës. Një kompromis i turbullt për Ukrainën do të ishte një katastrofë morale dhe strategjike për Europën dhe Amerikën.
* Kaminski është anëtar i Bordit të Editorialëve të ëall Street Journal
PERSHTATUR NE SHQIP NGA BOTA.AL

Leave a Reply

Back to top button