Carlo Cottarelli
Samiti i fundit i vendeve në zhvillim (i mbajtur në Kinë, edhe pse për këtë nuk u fol shumë) është një tjetër hap në drejtim të përplasjes që do të karakterizojë shekullin XXI: ajo midis të ashtuquajturve vende të përparuara (le të themi G7 dhe vendet e tjera aktualisht me të ardhura të larta për frymë) dhe vendeve në zhvillim (pra, Brics dhe vendet e tjera me të ardhura ende relativisht të ulëta). Si do të përfundojë kjo garë? Nuk dua të tingëlloj tepër pesimist, por nëse nuk ndryshon diçka, fati ynë është i paracaktuar.
Hegjemonia ekonomike dhe politike e vendeve perëndimore (sepse për këtë flitet, përveç faktit që Japonia prej kohësh bën pjesë aty) gjatë dy-tre shekujve të fundit është bazuar mbi përparimin teknologjik që ka karakterizuar këtë pjesë të botës, një përparim që është pasqyruar në norma rritjeje të produktivitetit (prodhimit për orë pune), shumë më të larta sesa ato të regjistruara në pjesën tjetër të botës.
Kjo epërsi në kapacitetin për rritje ka zgjatur deri në dy dekadat e fundit të shekullit XX. Globalizimi ekonomik që nisi nga vitet ’80 solli zhvendosjen e prodhimit dhe të njohurive ekonomike që më parë ishin të përqendruara vetëm në Perëndim (dhe, pjesërisht, tek vendet e Paktit të Varshavës) drejt pjesës tjetër të botës, duke sjellë një rritje të të ardhurave dhe produktivitetit, të paprecedentë në shpejtësi në historinë e ekonomisë botërore. Rasti më i dukshëm është Kina, e cila në vitet ’80 përfaqësonte vetëm 2 për qind të PBB-së botërore, ndërsa në vitin 2024, në terma të PBB-së me paritet fuqie blerëse (pra në terma volumi prodhimi), e ka kaluar SHBA-në me 27 për qind.
Më gjerësisht, prodhimi i vendeve Brics (Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut) është rreth 16 për qind më i lartë se ai i G7-ës. Qendra e gravitetit ekonomik botëror është zhvendosur. Sigurisht, ne jemi ende ata “të pasurit”, në terma të të ardhurave për frymë. Por kjo është më shumë se e kompensuar nga demografia: popullsia e G7-ës arrin në rreth 800 milionë; ajo e Brics është katërfish më e madhe. Dhe normat e rritjes ekonomike, si në total ashtu edhe pjesërisht për frymë, mbeten strukturalisht më të larta për këta të fundit.
Çfarë duhet bërë?
Në të kaluarën, Perëndimi ka ditur të shfrytëzojë ndarjet mes vendeve në zhvillim dhe mungesën e një lideri të qartë mes tyre. Perëndimi ishte më i bashkuar, nën udhëheqjen e SHBA-ve. Tani gjërat po ndryshojnë. Nga njëra anë, Kina duket e vendosur të paraqitet si lidere e vendeve në zhvillim (PBB-ja e saj është gati dy herë e gjysmë më e madhe se ajo e vendit të dytë në zhvillim, Indisë) dhe po ndërmerr iniciativa për të formuar një front të përbashkët, politik dhe ekonomik, përballë Perëndimit.
Nga ana tjetër, qasja nacionaliste e Trump-it (“America First”) rrezikon të përçajë Perëndimin, duke e dobësuar ndjeshëm. E njëjta qasje i shtyn gjithashtu vendet në zhvillim drejt krahëve të Kinës, ndërkohë që ne duhet të përpiqeshim t’i afronim ato nga ana jonë. Vendosja e tarifave doganore prej 50 për qind ndaj Indisë dhe Brazilit nuk është vetëm ekonomikisht e pajustifikuar, por edhe një gabim strategjik.
Ajo që duhet bërë, përkundrazi, është të forcohen lidhjet ekonomike dhe politike mes G7-ës dhe, njëkohësisht, të merren iniciativa për të tërhequr drejt Perëndimit një pjesë të botës në zhvillim. Për fat të keq, nuk duket se ky është qëllimi i Trump-it, por ndoshta lëvizjet e fundit të Kinës do ta bëjnë të ndryshojë mendim. / Il Venerdi – Bota.al