AnalizaMAIN

Perëndimi kundër pjesës tjetër të botës: Kjo është Lufta e Ftohtë e shekullit XXI

Nga Angela Stent

Foreign Policy

Përpara se të niste pushtimin e Ukrainës, presidenti rus Vladimir Putin bëri 4 gabime të mëdha. Ai e mbivlerësoi kompetencën dhe efektivitetin ushtarak të ushtrisë ruse, dhe e nënvlerësoi vullnetin e ukrainasve për të rezistuar, si dhe vendosmërinë e tyre për të luftuar kundër pushtuesve.

Po ashtu ai gaboi me supozimin e tij se një Perëndim i çoroditur nuk do të ishte në gjendje të bashkohej politikisht përballë sulmit rus, dhe se evropianët dhe aleatët aziatikë të Shteteve të Bashkuara nuk do të mbështesnin kurrë sanksione të gjera financiare, tregtare dhe energjetike kundër Rusisë.

Por nga ana tjetër ai e kuptoi mirë një gjë: Vlerësoi më saktësi se ajo që unë e quaj “pjesa tjetër” – bota jo perëndimore – nuk do ta denonconte Rusinë për luftën që nisi dhe as nuk do të vendoste sanksione. Ditën që nisi sulmi, presidenti i SHBA-së Joe Biden tha se Perëndimi do të sigurohej që Putini të shndërrohej “në një lider ta padëshiruar në skenën ndërkombëtare”.

Por për pjesën më të madhe të botës, Putini nuk është i tillë.

Gjatë dekadës së fundit, Rusia ka kultivuar lidhje të ngushta me vendet në Lindjen e Mesme, Azinë, Amerikën Latine dhe Afrikë, rajone nga të cilat Rusia u tërhoq pas shembjes së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991. Ndërkohë Kremlini është afruar shumë me Pekinin që nga aneksimi i Krimesë në vitin 2014.

Kur Perëndimi u përpoq ta izolonte Rusinë, Pekini ndërhyri për të mbështetur Moskën, duke përfshirë nënshkrimin e marrëveshjes së madhe për ndërtimin e gazsjellësit midis 2 vendeve “Power of Siberia”. Që nga fillimi i luftës, Kombet e Bashkuara kanë votuar tre herë: dy herë për të dënuar pushtimin e Rusisë, dhe një herë për ta pezulluar atë nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut.

Këto rezoluta u miratuan vërtet. Por nëse llogarisni numrin e popullsisë në ato vende që abstenuan apo që votuan kundër rezolutave, do të shihni se përbën më shumë se gjysmën e popullsisë së botës. Me pak fjalë, bota nuk është e bashkuar në pikëpamjen se agresioni i Rusisë në Ukrainë është i pajustifikuar, dhe se një pjesë e konsiderueshme e botës nuk është e gatshme që ta ndëshkojë Rusinë për veprimet e saj.

Madje disa vende po synojnë që të përfitojnë nga situata aktuale ku gjendet Rusia. Ngurrimi i pjesës tjetër për t`i dobësuar marrëdhëniet me Rusinë e Putinit, do ta vështirësojë aftësinë e Perëndimit për të menaxhuar lidhjet me aleatët dhe të tjerët jo vetëm tani, por edhe kur të përfundojë lufta.

Në krye të listës se “pjesës tjetër” të botës që refuzon ta ndëshkojë Rusinë është padyshim Kina. Nëse nuk do të kishte garanci se Kina do ta mbështeste Rusinë në çfarëdolloj hapi që do të ndërmerrte, Putini nuk do ta kishte pushtuar Ukrainën. Deklarata e përbashkët Rusi-Kinë e 4 shkurtit, e nënshkruar kur Putini vizitoi Pekinin në fillim të Lojërave Olimpike Dimërore, lavdëron partneritetin dhe angazhimin e tyre “të pa kufizuar” për të zmbrapsur hegjemoninë perëndimore.

Sipas ambasadorit kinez në Shtetet e Bashkuara, presidenti kinez Xi Jinping nuk ishte i informuar për planet e Putinit për të pushtuar Ukrainën, kur të dy u takuan në Pekin. Se çfarë i tha në fakt Putin  Xi-së, nëse ka qenë një mbyllje syri apo diçka më e qartë, këtë mund të mos e dimë kurrë.

Por sido që mund ta interpretojë këtë pretendim dikush, është një fakt i pamohueshëm që Kina e ka mbështetur Rusinë që nga fillimi i pushtimit. Pekini abstenoi ndaj rezolutës së OKB-së që dënonte sulmin e Rusisë, dhe votoi kundër rezolutës për pezullimin e kësaj të fundit nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut.

Mediat kineze përsërisin me një lloj besnikërie propagandën ruse për “de-nazifikimin” dhe çmilitarizimin e Ukrainës, dhe fajësojnë për luftën Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n. Ato kanë hedhur dyshime nëse masakra në Bucha është kryer nga trupat ruse, duke kërkuar një hetim të pavarur.

Por pozita e Kinës ka edhe disa qasje të dykuptimta. Pasi Pekini ka bërë edhe thirrje për t’i dhënë fund armiqësive, dhe ka ripërsëritur qëndrimin e vet se beson në integritetin territorial dhe sovranitetin e të gjitha shteteve, duke përfshirë Ukrainën. Po ashtu, Kina ka qenë partnerja kryesore tregtare e Ukrainës, dhe kjo e fundit është pjesë e projektit “Një Brez, një Rrugë”, prandaj Pekini nuk mund ta mirëpresë shkatërrimin ekonomik që po përjeton ky vend.

Gjithsesi, Xi ka zgjedhur të bëjë aleancë me mikun e tij autokrat Putin. Dhe të dy kanë shumë ankesa ndaj një rendi botëror të dominuar nga SHBA-ja, që ata besojnë se ka lënë pas dore interesat e tyre. Për këtë arsye, ata janë të vendosur të krijojnë një rend global post-perëndimor, megjithëse ndryshojnë në vizionin që kanë secili se si duhet të jetë ky rend i ri.

Për Kinën, duhej të jetë një rend i bazuar në rregulla, dhe në të cilin Kina të ketë një rol shumë më të madh në përcaktimin e axhendës sesa aktualisht. Nga ana tjetër për Putinin, duhet të jetë një rend botëror kaotik me shumë pak rregulla. Të dyja vendet janë “alergjike” ndaj kritikave perëndimore mbi sistemet e tyre të brendshme dhe rekordet e tyre shqetësuese sa u përket të drejtave të njeriut.

Kina dhe Rusia kanë nevojë për njëra-tjetrën në përpjekjen e tyre të përbashkët për ta bërë botën të sigurt për autokracitë. Xi nuk do të donte ta shihte mposhtjen e Putinit. Prandaj, pavarësisht shqetësimit të Kinës mbi shkallën e dhunës dhe brutalitetit në Ukrainë, si dhe rreziqeve të përshkallëzimit në një luftë më të gjerë, ajo ngurron të flasë hapur kundër Rusisë.

E megjithatë, deri tani institucionet e mëdha financiare kineze i kanë respektuar sanksionet perëndimore. Tek e fundit, rëndësia e marrëdhënieve ekonomike midis Kinës, Evropës dhe Shteteve të Bashkuara, është shumë më e mëdha se sa ajo me Rusinë. Për më tepër, duke pasur parasysh sanksionet e mëdha perëndimore kundër Rusisë, Pekini duhet të pyesë veten se cili mund të jetë reagimi perëndimor në rast se vendos ta pushtojë Tajvanin.

Nuk ka asnjë dyshim se kinezët po i studiojnë me kujdes sanksionet. Një fuqi tjetër e madhe që ngurron të kritikojë agresionin e Rusisë ka qenë India, demokracia më e madhe në botë, dhe një partnere e SHBA-së në Dialogun Katërpalësh të Sigurisë, QUAD, bashkë me Japoninë dhe Australinë.

India ka abstenuar ndaj 3 rezolutave të OKB-së, dhe ka refuzuar të vendosë sanksione ndaj Rusisë. Kryeministri indian Narendra Modi i quajti “shumë shqetësuese” raportet mbi masakrat ndaj civilëve në Bucha, por nuk fajësoi Rusinë për to. Ministri i Jashtëm indian S.Jaishankar, është shprehur se Rusia është një “partnere shumë e rëndësishëm në një sërë fushash”, dhe India vazhdon të blejë armët dhe naftën ruse.

Një nga sukseset kryesore të Putinit në politikën e jashtme gjatë dekadës së fundit ka qenë rikthimi i Rusisë në Lindjen e Mesme, rivendosja e lidhjeve me vendet nga të cilat Rusia post-sovjetike u tërhoq gjatë viteve 1990, si dhe vendosja e lidhjeve të reja me vendet që nuk kishin lidhje të mëparshme me Bashkimin Sovjetik.

Rusia është sot e vetmja fuqi e madhe që ka raporte të ngushta me të gjitha vendet në rajon, duke përfshirë vendet e udhëhequra nga sunitët si Arabia Saudite, vendet e udhëhequra nga shiitët si Irani, Siria dhe Izraeli, dhe shërben si ndërmjetëse në të gjitha negociatat mbi mosmarrëveshjet e shumta midis vendeve në këtë rajon.

Edhe pse shumica e vendeve arabe votuan pro dënimit të pushtimit rus të Ukrainës në votimin e parë në OKB, Lidhja Arabe me 22 vende nuk e bëri më pas këtë gjë. Shumë vende arabe abstenuan në votimin për pezullimin e Rusisë nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut.

Edhe aleatët e ngushtë të SHBA-së në rajon, përfshirë Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Egjiptin dhe Izraelin nuk kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë. Pozicioni i Izraelit përcaktohet kryesisht nga mbështetja e Rusisë për regjimin e Bashar AlAssad në Siri.

Izraeli ka frikë se armiqësimi me Rusinë mund të rrezikojë aftësinë për të mbrojtur kufirin e tij verior. Ai ka dërguar në Ukrainë një spital fushor dhe ndihma të tjera humanitare, por jo armë. Për shumë vende të Lindjes së Mesme, qëndrimi i tyre ndaj Rusisë diktohet edhe nga skepticizmi i tyre ndaj SHBA-së si një partnere ndonjëherë jo e besueshme në rajon, dhe nga zemërimi i tyre me kritikat e Uashingtonit për mosrespektimin e të drejtave të njeriut.

Ndërkohë edhe shumë vende afrikane abstenuan në votimin që dënonte pushtimin e Rusisë. Për shumë prej tyre, Rusia shihet si trashëgimtare e Bashkimit Sovjetik, i cili i mbështeti gjatë betejave të tyre antikoloniale. Rusia ka fansat e saj edhe në rajonet pranë SHBA-së si Kuba, Venezuela, Meksika dhe Brazili. Ndarjet aktuale midis Perëndimit dhe pjesës tjetër, do të formësojnë çdo rend botëror që do të shfaqet pas përfundimit të luftës në Ukrainë.

Shënim: Angela Stent, anëtare e “Brookings Institute” në SHBA, dhe autore e librit më të ri “Bota e Putinit:Rusia kundër Perëndimit dhe me pjesën tjetër”.

Back to top button