Analiza

Perëndimi, në “gjendjen” e tij më të keqe

JOHN VINOCUR

aleatetJa Perëndimi, në gjendjen e tij më të keqe dhe të pasigurtë:

Administrata Obama po shmang çdo lloj angazhimi ushtarak për të luftuar kundër luftëtarëve islamikë dhe për t’i penguar që ta shndërrojnë Irakun në një shtet terrorist. Dhe tre aleatët e saj më të ngushtë në Europë, po thonë pak a shumë, se dobësia e administratës Obama në Siri është origjina e problemit dhe që çdo lloj angazhimi ushtarak duhet të jetë një detyrë e SHBA.

Tingëllon e forte? Na duhet pak realitet këtu, ju lutem. Britania dhe Gjermania kanë përjashtuar çdo lloj angazhimi ushtarak nga ana e tyre, ndërkohë që Franca, pasi e bëri të qartë se nuk dëshiron të jetë pjesë e luftës kundër ISIS, tha se as nuk ia kanë kërkuar. Eshtë një mungesë koherence që e kemi parë tashmë.

Në të njëjtën kohë, Volker Kauder, lideri në Parlament i kristian-demokratëve gjermanë të Angela Merkelit u tha gazetarëve javën që kaloi: “Amerikanët, përmes angazhimit të tyre disavjeçar në Irak, praktikisht kanë marrë një përgjegjësi speciale për atë vend”.

SHBA, vazhdoi ai, “duhet të mendojnë një rindërhyrje ushtarake”. Dhe shtoi: “Eshtë detyrë e amerikanëve të kujdesen për sigurinë në Irak”. Merkel as nuk e mori mundimin ta kundërshtojë. Ajo tha: “Sigurisht që amerikanët kanë një përgjegjësi të veçantë në Irak”. Deutsche Presse-Agentur, që raportoi deklaratat e saj dhe që kurrë nuk ia keqinterpreton, shtoi se “se ajo sheh SHBA, mbi gjithë të tjerët, të detyruar të ndalin islamikët dhe përparimin e tyre në Irak”.

Në mënyrë disi më brutale, francezët ia hedhin në prehër Obamës të gjithë përgjegjësinë për shpërthimin në Irak. Le Monde shkruante të shtunën se diplomatët francezë përmendin shpesh si një hap fatal, vendimin e Obamës për të sprapsur sulmet ajrorë kundër regjimit të Assadit në Siri, në gusht të vitit që kaloi. Një aksion ku do të merrnin pjesë edhe francezët.

Dy deklarata të zyrtarëve amerikanë javën që kaloi i inatosën edhe më keq aleatët dhe ashpërsuan këndvështrimin e tyre ndaj hezitimit të administratës Obama për të përdorur superioritetin e madh ushtarak kundër luftëtarëve të ISIS.

Njëra ishte deklarata e Sekretarit të Shtypit të Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney, i cili u tha gazetarëve se situata në Irak “nuk është pikësëpari një sfidë ushtarake”. Një tjetër frazë, që erdhi nga zëdhënësja e Këshillit Kombëtar të Sigurisë, Caitlin Hayden, linte të kuptohej që Shtëpia e Bardhë nuk e konsideron dërgimin e 300 këshilltarëve ushtarakë në Irak, si “përdorim të forcës ushtarake”.

Pyeta një zyrtar të lartë europian të sigurisë se si e kupton ai këtë gjuhë. Duke folur në kushtet e anonimatit, ai më tha se në lidhje me Irakun, një formulim më i mirë do të ishte të thuhej që kjo sfidë “nuk ka të bëjë vetëm me strategjinë ushtarake”. Në lidhje me formulimin ligjor që Shtëpia e Bardhë i bën dërgimit të 300 këshilltarëve ushtarakë në Irak, ai qeshi dhe tha se i kujtonte një këmbëngulje të mëhershme të një presidenti: “Unë nuk kam bërë seks me atë grua”.

Paralelisht, javën që kaloi dolën në pah edhe dy elementë të tjerë që tregojnë kotësinë e Perëndimit në këtë situatë – dobësinë e SHBA, pakënaqësinë e europianëve me të dhe paaftësinë e Europës, apo frikën që të bëjë ndonjë gjë vetë.

Zyrtari i lartë europian më tha se javën që kaloi i kishin ardhur të dhëna specifike, që po bëhej gati një ndërhyrje amerikane në Irak dhe se do të ishte e shpejtë. Pas një takimi të zyrtarëve të sigurisë kombëtare të SHBA me Presidentin Obama në fund të asaj dite, “ndodhi tërheqja”.

Me sa duket, kontrollin nuk e ka një dorë e vendosur.

Në mesin e gjithë kësaj, është edhe kotësia ironike e faktit që Europa është thellësisht e shqetësuar se hapësira mes Irakut dhe Sirisë që kontrollohet nga ISIS po shndërrohet në terren stërvitor për islamikë me nënshtetësi europiane, që do të riktheheshin në shtëpi pasi të fitonin eksperiencë në fushëbetejë.

Ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Thomas de Maiziere tha se një rrezik që më parë ka qenë “abstrakt”, tashmë është bërë “konkret dhe vdekjeprurës”. Kryeministri britanik, David Cameron e quan evolucionin e ISIS “rrezikun më të madh ndaj sigurisë së Britanisë sot”. Dhe Pierre Lellouche, i komisionit të marrëdhënieve me jashtë në parlamentin francez, e përshkruan një shtet islamik jashtë kontrolli si një “rrezik vdekjeprurës për ne”.

Por është e vështirë të imagjinosh një ushtri irakene, qoftë edhe me mbështetjen e një qeverie më të bashkuar, që të eleminojë e vetme këtë rrezik. Gjë që ngre problemin, në mungesë të gatishmërisë së Europës, nëse administrata Obama është apo jo e gatshme të bëjë një ujdi me Iranin për ta shmangur.

Camille Grand, drejtor i Fondacionit për Studime Strategjike me qendër në Paris, ka shkruajtur se për shkak të një bindjeje në vende si Rusia dhe Irani se Amerika është e dobët, Obama duhet që të demonstrojë tani vendosmëri “për të rivendosur kredibilitetin e humbur”. Pasi u kthye nga një seri takimesh joformalë në Teheran javën që kaloi, Grand më tha: “Në këtë pikë, iranianët mendojnë që i kanë të gjithë kartat dhe që po e fitojnë lojën. Ne duhet t’u tregojmë që e kanë gabim në çështjen e armëve bërthamore”.

Atëherë, çfarë ka mbetur për të trembur mullahët?

Amerikanët kanë treguar vetëm një prirje të lëkundur për të demonstruar forcën. Dhe me veprimet e zbehtë të javës që kaloi në Irak, popujt në Perëndim kanë më shumë arsye të supozojnë se po zvogëlohen shumë shanset që administrata Obama të bëjë gjëra të mëdha kundër terroristëve brutalë pranë portave të Bagdadit, apo varietetit bërthamor përtej kufirit me Iranin.

Vincour ka qenë Drejtor Ekzekutiv i International Financial Times

Pershtatur ne shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button