Analiza

Përhapja e Putinizmit

PutinizmiUdhëheqësit botërorë “përqafojnë” demokracinë joliberale

Elementët më të rëndësishëm të Putinizmit janë nacionalizmi, feja, konservatizmi social, kapitalizmi shtetëror dhe dominimi i medias nga qeveria. Në një mënyrë apo një tjetër, ato janë të ndryshme ose kundërshtare të vlerave perëndimore të të drejtave individuale, kozmopolitanizmit dhe internacionalizmit. Do të ishte gabim të besohej që ideologjia e Putinit krijoi popullaritetin e tij – ai ishte popullor më parë – por kjo e ruan atë

Fareed Zakaria
Kur përfundoi Lufta e Ftohtë, Hungaria zinte një vend të veçantë në historinë e revolucioneve të 1989-ës. Ishte vendi i parë në orbitën sovjetike që braktiste komunizmin dhe përqafonte demokracinë liberale. Sot është sërish një përcaktuese e tendencës, duke u bërë i pari vend europian që denoncon dhe distancohet nga demokracia liberale. Po adopton një sistem të ri vlerash, që mishërohen më së miri prej Rusisë së Vladimir Putinit, por që po gjejnë jehonë edhe në vende të tjerë.
Në një fjalim të rëndësishëm fundjavën që kaloi, Kryeministri hungarez, Viktor Orban shpjegoi se vendi i tij është i vendosur të ndërtojë një model të ri politik – demokracinë joliberale. Kjo gjë më tërhoqi vëmendjen, për arsye se në vitin 1997 kam shkruajtur një ese tek Foreign Affairs, ku përdorja pikërisht këtë frazë për të përshkruar një tendencë të rrezikshme. Qeveritë demokratike, shpesh herë popullore, po përdornin mandatet e tyre për të dobësuar të drejtat e individit, ndarjen e pushteteve dhe sundimin e ligjit. Por nuk e kisha imagjinuar asnjëherë që lideri i një kombi – aq më pak nga Europa – do ta përdorte këtë term si medalje nderi.
“Tema më popullore e të menduarit sot, është përpjekja për të kuptuar se si sistemet që nuk janë perëndimorë, jo liberalë, që nuk janë demokraci liberale e që ndoshta nuk janë as demokraci, arrijnë gjithësesi të bëjnë të suksesshëm kombet e tyre”, tha Orban. Për të, bota ndryshoi rrënjësisht në vitin 2008, me atë që ai e quan “kolapsi financiar i Perëndimit”. Që atëherë, argumenton ai, fuqia amerikane ka qenë në rënie dhe vlerat liberale sot mishërojnë “korrupsionin, seksin dhe dhunën”. Europa Perëndimore është shndërruar në një vend “bredharakësh, mbi shpinën e shteteve socialë”. Modelet joliberalë për të ardhmen, shpjegon ai, janë Rusia, Turqia, Kina, Singapori dhe India.
Duke lënë mënjanë listën e tij të çuditshme (India?), veprimet e Orbanit gjatë viteve të fundit demonstrojnë se modeli i atij vetë ka qenë Rusia e Putinit. Orbani ka vënë në veprim në Hungari një version që mund të përshkruhet më së miri si “Putinizëm”. Për ta kuptuar, na duhet të shkojmë në origjinë, tek themeluesi.
Kur erdhi në pushtet në vitin 2000, Putini dukej një lider i mençur, i ashpër, kompetent, një person që ishte i vendosur të rikthente stabilitetin në Rusi – një vend që po ziente prej kaosit të brendshëm, stanjacionit ekonomik dhe një falimenti në 1998. Ai u përpoq të integrojë Rusinë në botë dhe donte marrëdhënie të mira me Perëndimin, duke i kërkuar Uashingtonit anëtarësimin e Rusisë në Organizatën Botërore të Tregtisë, e madje edhe në NATO. Administrata e tij kishte teknokratë që ishin liberalë perëndimorë, të aftë sa i përket tregjeve të lirë dhe tregtisë.
Por, me kalimin e kohës, Putini vendosi rendin në vendin e tij ndërkohë që ekonomia lulëzonte, për shkak të katërfishimit të çmimeve të naftës. Ai nisi të krijojë një sistem shtypës, me një kontroll politik, ekonomik dhe social, për të ruajtur pushtetin. Kur u përball me opozitën, sidomos në zgjedhjet parlamentare të vitit 2011, Putini kuptoi se i duhej më shumë se sa forca për të mposhtur kundërshtarët. Ai kish nevojë për një ideologji pushteti dhe nisi ta artikulojë në fjalime, duke miratuar ligje dhe përdorur zyrën e tij për të përçuar përkatësinë në një grup vlerash.
Elementët më të rëndësishëm të Putinizmit janë nacionalizmi, feja, konservatizmi social, kapitalizmi shtetëror dhe dominimi i medias nga qeveria. Në një mënyrë apo një tjetër, ato janë të ndryshme ose kundërshtare të vlerave perëndimore të të drejtave individuale, kozmopolitanizmit dhe internacionalizmit. Do të ishte gabim të besohej që ideologjia e Putinit krijoi popullaritetin e tij – ai ishte popullor më parë – por kjo e ruan atë.
Orbani ka ndjekur gjurmët e Putinit, duke dobësuar pavarësinë e gjyqësorit, kufizuar të drejtat e njeriut, folur në terma nacionalistë për hungarezët etnikë dhe mbyllur gojën medias. Metodat e kontrollit janë shpesh herë më të sofistikuara se sa censura tradicionale. Hungaria miratoi kohët e fundit një taksë 40% mbi të ardhurat nga reklamat, që dukej se kishte në shënjestër rrjetin e vetëm më të madh televiziv në vend, që mund të rezultojë në një falimentim të tij.
Po të shihni përreth botës, ka të tjerë që kanë rrokur elementët kyçë të Putinizmit. Erdogani në Turqi i është larguar axhendës së tij reformiste, drejt një tjetre, që është më konservatore nga pikëpamja sociale, më islamike dhe shumë nacionaliste. Edhe ai ka përdorur hile të zgjuara për të nënshtruar median. Shumë prej udhëheqësve të të djathtës ekstreme në Europë – Marine Le Pen në Francë, Geert Uilders në Holandë dhe Nigel Farage në Britani – e shfaqin hapur admirimin për Putinin dhe vlerat që ky mbron.
Suksesi i Putinizmit do të varet shumë nga suksesi i Putinit dhe Rusisë. Nëse ai triumfon në Ukrainë, duke e shndërruar në një shtet të dështuar që vjen e i lutet Moskës, atëherë do të shfaqet si fitimtar. Nëse, nga ana tjetër, Ukraina ia del mbanë jashtë orbitës së Rusisë dhe ekonomia ruse vazhdon të dobësohet, Putini mund të gjejë veten president të një petro-shteti siberian, të izoluar nga bota. /Washington Post/
Përshtatur në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button