Analiza

Periferia e Europës

Shkatërrimi total i industrisë vendase në Europën Qendrore dhe Lindore ka krijuar një hinterland rrogash të ulëta në skajet e bërthamës së zhvilluar, shkruan Carl Rowlands. Nëqoftëse shoqëritë e Europës Qendro-Lindore vërtetë janë në tranzicion, atëhere është shumë e paqartë se cili do të jetë destinacioni

eurolights

Bashkimi Europian tani është i përbërë nga 27 shtete. Jo më pak se 10 prej tyre janë ish shtete nga ish blloku lindor dhe ky proporcion është i destinuar që të rritet me aderimin e pritshëm të ish republikave jugosllave. Qendra e gravitetit të Europës po spostohet dhe ndërsa procesi i i bashkimit me Bashkimin Europian po shkakton ndryshme brenda këtyre vendeve, ai gjithashtu po ndryshon edhe natyrën e vetë Europës.

Në një periudhë të caktuar të viteve Nëntëdhjetë, u bë e rëndomtë që t’u referohej vendeve europianolindore si “shtete tranzicioni”. Kjo implikon një të ardhme optimiste, një progresion linear, një transformim nga e kaluara e dështuar komuniste në një të ardhme të qëndrueshme europianoperëndimore. Sigurisht që një prej mësimeve më të matyrshëm e nxjerra nga kriza financiare dhe reçisioni i viteve të fundit është se ideja e një tranzicioni të tillë është jo e përshtatshme. Nëqoftëse shoqëritë e Europës Qendro-Lindore vërtet janë në tranzicion, atëhere mënyra e tranzitit është ajo e një traileri të mbuluar, i kapur rrezikshëm pas një makine të madhe, i vënë në lëvizje nga forca politike dhe ekonomike të largëta. Dhe është shumë e paqartë se cili do të ishte destinacioni, duke pasur parasysh trazirat dhe spostimet e vazhdueshme ekonomike nëpër të gjithë Europën.

Deri më tani rezultati i tranzicionit duket se ka qenë krijimi i një hinterlandi me rroga të ulëta, një ekonomi kufitare në skajet e bërthamës tejet të zhvilluar europiane dhe kjo ka pasur pasoja më të gjera politike dhe sociale për të gjithë projektin europian – praktikisht duke ngritur pragun e asaj se çfarë do të thotë të jesh europian. Në këtë artikull do të përpiqemi të përkufizojmë shtetet e aderuara si një grupim periferik i fortifikuar dhe të identifikojmë karakteristikat strukturore që e përforcojnë këtë pozicion.

 

Teoria ekonomike dhe realiteti

Natyra e ekonomive që përmblidhte sistemi i mëparshëm komunist shpesh është keqinterpretuar. Në kundërshtim me perceptimet, ekonomitë e planifikuara nuk qenë kurrë krejtësisht të izoluara nga rregullat e tregjeve globale, megjithëse pati një dështim real për t’u përgjigjur në mënyrë proaktive, për shembull nëpërmjet produktivitetit në rritje të punës apo promovimit të novatorizmit. Siç ka argumentuar Mark Pittaëay, ekonomitë e vendeve të Europës Qendro-Lindore (CEE) filluan që të vihen nën presion pas krizës së naftës në mesin e viteve Shtatëdhjetë. Rënia në aktivitetin ekonomik që prodhoi papunësi në Perëndim u absorbua në Lindje ose nëpërmjet marrjes së linjave të kreditit me institucione perëndimore të tilla si Fondi Monetar ndërkombëtar, ose duke pranuar një përkeqësim gradual të standarteve të jetesës. Megjithatë, në vitin 1989 shumë prej vendeve periferike po eksportonin në vendet perëndimore, me specializim në farmaceutikë, produkte kimike, qymyr, tekstile dhe ushqim. Sfidat kryesore të tyre në atë kohë në fakt lidheshin me mbiprodhimin, punësimi i përshtatshëm dhe një mungesë investimesh në arsim dhe kërkim.

Bizneset e vogla dhe të mesme në ekonomitë europianoqendrore dhe lindore qenë izoluar nga konkurrenca ndërkombëtare, nëpërmjet një simbioze të çudtishme me sektorin publik. Ato nuk merrnin një pjesë proporcionale në mbajtjen e barrës publike – të tilla si pagime taksash dhe sigurie sociale – dhe deri në një farë mase ushqenin mangësitë e sektorit publik. Natyrisht, eliminimi i mëpasëm i këtyre faktorëve ka rezultuar në një gjendje operuese shumë të ndryshme për kompani të tilla, duke u shkaktuar atyre vështirësi të mëdha. Megjithëse këto kushte nuk mund të vazhdonin, ajo çka do të pasonte i kombinonte vështirësitë e tyre, duke rezultuar në valë falimentimesh dhe mbylljesh.

Më shumë se të bazonin politikat e reja mbi një vlerësim kritik të problemeve reale që përballonin ekonomitë e tyre, vendimmarrësit politikë në vendet e sapoçliruara qenë të drejtuar nga ideologjia më shumë sesa nga analiza. Shumë prej problemeve të përjetuara nga “shtetet e aderuara” dhe problemet e lidhura të përjetuara nga e gjithë Europa rezultuan nga natyre tejet ideologjike e reagimit perëndimor ndaj Europës lindore, që u mirëprit në mënyrë entuziaste nga qeveritë e vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore. Epoka e re pa një angazhim të fuqishëm për të privatizuar, mbështetje të gjerë për liberalizim dhe mundësi për investime të mëdha u hapën për kompani të huaja të uritura. I gjithë theksi ishte tek privatizimi dhe pak vëmendje ju kushtua kostove të ndryshimeve të tilla në shkallë të gjerë.

Doktrina e “terapisë së shokut” u bë popullore – e konceptuar për të ideuar ndryshime institucionale të thella brenda strukturave të brendshme të ekonomive të vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore (që sigurisht ua hapën ato në maksimum penetrimit dhe influencës perëndimore). Kjo doktrinë, e ideuar nga Jeffrey Sachs, synonte në mënyrë të dukshme që të drejtonte eknomitë e rajonit në mënyrat kapitaliste të operimit, me dozat e egra të saj të politikës kufizuese monetare dhe fiskale. Masat e terapisë së shokut përfshinin heqjen e menjëhershme të subvencioneve, shitjen me çmim të ulët e aseteve shtetërore dhe heqjen e menjëhershme të kontrolleve e subvencioneve që u qenë aplikuar më parë rrogave dhe çmimeve. Efekti i tyre ishte që të shkatërroheshin modelet tregtare ekzistuese, pothuajse brenda natës, duke e lënë çdo vend të izoluar brenda resurseve të tij të kufizuara.

Shoku qe programuar që të ndodhte përpara vendosjes së tregjeve financiare brenda rajonit dhe, në mungesë të investimeve, përpjekjet ristrukturuese u bënë të fokusuara tek puna – në reduktimin e kostos njësi të punës me qëllimin e të bërit “kompetitiv”. Vala e papunësisë masive që ky gjeneroi në fillimin e viteve Nëntëdhjetë shkon përtej përvojave të reçisioneve britanike të viteve tetëdhjetë, më papunësinë në disa rajone që arriti në 80 përqind. Terapia e shokut qëllimisht shkaktoi një kolaps në ekonomitë e rajonit, nëpërmjet shkatërrimit të lidhjeve ekonomike të rajonit dhe më pas të krijimit të një reçisioni të brendshëm masiv.

Investimet e pakta në kërkim dhe zhvillim – një karakteristikë e epokës komuniste – u përjetësuan nga politikat kufizuese huadhënëse të Bankës Botërore dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD). Veç kësaj, institucione të tilla morën një vendim të ndërgjegjshëm vetëm për t’u dhënë hua firmave private ose për të huazuar para me qëllim që të lehtësoheshin shërbimet e privatizimit. Kështu vetëm zhvillimet kapitaliste private tërhoqën para dhe, sigurisht, kishte shumë pak sipërmarrës me akses ndaj kreditit të nevojshëm për të ngritur iniciativa të vlefshme.

Me shkatërrimin total e industrisë vendase, roli i financimit dhe i borxhit u bë vendimtar, teksa ekonomitë e reja kapitaliste kërkonin një industri shërbimesh financiare që mund të mbështeste tendencat në rritje ndaj spekulimit pronësor dhe manipulimit të aseteve. Dobësi të ndryshme rezultuan nga veprimet e institucioneve të ndryshme, por efekti i përgjithshëm ishte që të krijohej gjendje ndërvarësie ndaj investimeve të drejtpërdrejta të huaja dhe mbështetjes nga Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe posaçërisht e krijuara BERZH.

Financimi i përgjithshëm i rajonit çoi në rritje të mëdha në borxh, personal dhe institucional. Bankat perëndimore në një numër shtetesh më të vegjël, në mënyrë të veçantë Austria dhe Suedia, kërkuan që t’i përmirësonin fitimet e tyre nëpërmjet rritjes së pjesës së tyre të tregut në rajonin e vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore, nëpërmjet huadhënies agresive për shtëpitë e banimit. Duke u frymëzuar nga shpresa e përgjithshme e anëtarësimit në Bashkimin Europian e vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore për të huazuar në tregun monetar të shumicës dhe duke përfituar nga derregullimi financiar dhe standardet e këqija të mbrojtjes së konsumatorëve në rajon, ata huazuan para në euro, franga zvicerane dhe jen japonez. Kjo u lejoi atyre që t’u ofronin konsumatorëve përqindje interesi më të ulëta sesa ato të vlefshme për huazim në monedha kombëtare. Dhe ky huazim kish çuar në rritje marramendëse në nivelet e borxhit konsumator personal, sidomos në Hungari, Rumani, Bullgari dhe Shtetet Balltike.

Një pasojë e planifikuar e “terapisë së shokut” qe presioni që ajo do të gjeneronte në Bashkimin Europian për t’i hapur tregjet europianoperëndimore ndaj vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore. Modeli që adoptuan shtetet periferike – i të qënit ekonomi me bazë eksporti me rroga të ulëta – varej në aksesin në tregjet e Bashkimit Europian. Një numër marrëveshjesh tregtare u adoptuan gjatë periudhës së paraaderimit për t’i lehtësuar zhvillime të tilla, e para e të cilave në vitin 1992 qe midis Bashkimit Europian dhe vendeve të Vishegradit (Sllovaki, Republikë Çeke, Poloni dhe Hungari). Megjithatë, në gjysmën e parë të vitit 1993 vlera e kombinuar e eksporteve nga të gjitha vendet e Europës Qendrore dhe Lindore ra me 13 përqind në terma dollari krahasuar me gjysmën e parë të vitit 1992. Numrat tregojnë se këto marrëveshje fillestare nuk funksionuan në favor të shteteve në tranzicion në periudhën vendimtare përpara aderimit.

Sigurisht, shtetet në tranzicion nuk janë të gjitha njëlloj dhe nuk kanë ndjekur saktësisht të njëjtat politika. Sllovenia, Republika Çeke dhe Polonia ndoqën politika mikro-ekonomike proteksioniste më të matura, përfshi shtyrjen e sipërmarrjeve shtetërore në vitet Nëntëdhjetë. Kjo ruajti një sektor ndërmarrjesh të vogla dhe të mesme me pronësi të brendshme më dinamik. Veç kësaj, Polonia qe në gjendje ta ristrukturojë borxhin e saj në vitin 1991 dhe kjo i mundësoi shtetit polak që të veprojë me një shkallë më të madhe autonomike dhe ndjeshmërie sesa do të kish qenë në rast të kundërt. Nga ana tjetër, Hungaria e shkatërroi këtë sektor të sajin me politikë monetare të rreptë dhe një adoptim të hershëm të ligjeve ndëshkuese të falimentimit.

Megjithatë, pavarësisht këtyre diferencave, një sistem stimuluesish, njëherazi pozitiv dhe negativ, u detyrua nëpërmjet privatizimesh të gjera, duke rezultuar në rënien në duart e kompanive të huaja të shumë aseteve të vlefshme. Në vitin 1989 Bashkimi Europian krijoi fondin PHARE (Poland and Hungary: Assistance for Restructuring their Economies) për ta drejtuar kapitalin në “modernizimin” fillestar të Polonisë e Hungarisë dhe më pas u shtri në të gjitha shtetet që dëshironin të aderonin në të. PHARE duhet më së pari të konsiderohet si një program mbështetës për Investimet e Huaja të Drejtpërdrejta (FDI), por mundësoi gjithashtu krijimin e agjencive të privatizimit, të ngritura si trupa qeveritare në Europën lindore. Në përgjithësi ka qenë shumë e vështirë të ndiqet përdorimi i parasë PHARE, ashtu siç qe pak i rregulluar, por tipare të caktuara të përdorimit janë identifikuar. I ndjeri Peter Gowan identifikoi se PHARE u përdor për të financuar qindra studime të industrive anembanë rajonit dhe argumentoi se konsulencat perëndimore që i kryen këto studime po e drejtonin informacionin e tyre nga Perëndimi: ato qenë kryer specifikisht për qëllimet e kompanive perëndimore dhe kishin potencialin që të përdoreshin për qëllime antikonkurruese.

Informacioni i mbledhur me mbështetjen e PHARE u mundësoi kompanive të tilla si General Electric që të identifikonin me shpejtësi zona për “racionalizimim”. Për shembull, nëpërmjet blerjes së Tungsram në Hungari kompania menjëherë i mbylli linjat e prodhimit fitimprurëse dhe qe në gjendje që ta hiqte një burim konkurrence të brendshme nga tregu. Në mënyrë të ngjashme, industria hungareze e çimentos u ble nga pronarë të huaj, të cilët më pas i ndaluan partnerët e tyre hungarezë nga eksportimi i saj, dhe një prodhues austriak çeliku e bleu një fabrikë të madhe hungareze çeliku vetëm me qëllim që ta ta mbyllte atë dhe ta kapte tregun ish sovjetik të saj për kompaninë mëmë austriake. Këto janë vetëm disa shembuj të mënyrave sipas të cilëve u imponua statusi i “ekonomisë periferike” i rajonit europianolindore.

Vetëm pas disa vitesh “terapie shoku”, shumë prej infrastrukturës industriale bazë të shteteve periferike kishte rënë në duart e kompanive shumëkombëshe – nga zinxhirat e dyqaneve, në impiantet energjitike dhe ato të çelikut. Me aderimin e 10 shteteve në vitin 2004, PHARE u zëvendësua nga paraja e Fondit Strukturor të Bashkimit Europian. Për herë të parë, paratë filluan të përdoreshin për qëllime sociale. Megjithatë, mbështetja e Bashkimit Europian ka vazhduar që të pasqyrojë në mënyrë konsistente një paragjykim drejt neoliberalizimit dhe inciativave financiare private. Në të vërtetë, Bashkimi Europian ka një tendencë të lindur për ta futur liberalizimin kudo që shpërndan para. Projektet infrastrukturore të Bashkimit Europian janë të dominuara nga shtresa të ndryshme nënkontraktorësh. Kjo krijon një proces përmes të cilit kompanitë “gjuajnë” tenderat në një kulturë opaciteti dhe korrupsioni, bazuar në një sistem pune të bërë gjithnjë e më shumë me kohë jo të plotë në fund. Dhe dëshira e BERZH-it për të dhënë hua vazhdon që të jetë e varur në praninimin e privatizimit të shërbimeve publike të shteteve debitore.

Efektet më të gjera të tranzicionit kanë siguruar përfitime të shumta për interesat e korporatave, ashtu si dhe në ndihmën për të krijuar një elitë të pasur, shpesh të korruptuar, bile edhe kriminale, brenda vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore. Në veçanti shumëkombëshet gjermane dhe austriake kanë rezultuar të afta në shënjestrimin e investimeve të tyre dhe kapjen e financimeve të Bashkimit Europian, si pjesë e qëndrimit të tyre të përgjithshëm ndaj kontrollit të kostove e të kapaciteteve dhe menaxhimit të mungesave të punës. Efekti rezultues brenda Austrisë dhe Gjermanisë ka qenë krijimi i një modeli “krahasues dinamik”, përmes të vilit menaxhimi mund të nënvizojë rrogat e ulëta dhe sindikalizimin e lehtë të mjeteve në vendet “tranzitore”. Nga ana tjetër, kjo është përdorur për të krijuar një argument për reformë neoliberale të brendshme.

 

Pasoja sociale

Këto politika ekonomike kanë çuar pashmangshmërisht në papunësi strukturore afatgjatë. Një studim kontradiktor Lancet në vitin 2009 përpiqej që të përcaktonte nga pikëpamja sasiore koston humane të terapisë së shokut: ai përshkruante moshë mesatare të reduktuara, nivele të larta sëmundjesh dhe ankthi, si dhe një “tsunam social”. Pesha në rritje në shërbime shëndetësore dhe të përkrahjes sociale është tani një problem i mëtejshëm për shtete me borxhe.

Më e prekura nga natyra e beftë e tranzicionit kanë qenë grupet e punëtorëve të fabrikave, pa zanate dhe ata jo të aftë për t’u ritrajnuar. Brenda natës, një nënklasë e tërë u krijua, një e tillë që formon një ushtri të re të papunësh, në mungesë të qeverive ndërhyrëse me një axhendë krijimi vendesh pune.

Disa politika sociale progresive u kanë mbijetuar tranzicionit dhe reçisionit pasues. Teorikisht, kujdesi falas për fëmijët për fëmijë mbi 6 muajsh sigurohet akoma në shumicën e vendeve në rajon. Implementimi i një page minimale është vendosur, në shumicën e rasteve, në një nivel deridiku të konsiderueshëm.

Pensionet zakonisht janë në një nivel që mban shumicën e pensionistëve dhe e njëjta i aplikohet kujdesjes sociale për ata të paaftë që të kujdesen për veten. Ka pasur një sigurim të vazhdueshëm të kujdesit mjekësor parandalues. Mbeturina masivisht popullore e komunizmit paternal, me sigurimin social “nga djepi deri në varr”, shpesh qëndron keq me kufizimet e rendit të ri ekonomik.

Në një klimë të tillë të akullt ekonomike, rrjetet sociale kanë qenë një resurs shtyllë për përcaktimin e statusit dhe të fitimeve: fëmijë nga familje me status shoqëror të ulët duhet të dërsijnë shumë nëqoftëse duan që të çajnë përpara, ashtu si në Europën perëndimore. Por në vendet e Europës Qendrore dhe Lindore edhe rezultatet tejet të suksesshme akademike nuk janë aspak garanci për një punë të paguar mirë. Shtetet periferike janë tejet të paafta për të siguruar impiante kërkimore apo rroga që të konkurrojnë me vendet e zhvilluara. Kjo ka shënuar një frakturë vendimtare midis meritës dhe shpërblimit, që vetë mund të jetë e dëmshme për perspektivat e ardhshme të këtyre vendeve. Në mungesë të shpërblimeve të kënaqshme për arritje akademike, vlerat e arsimit të lartë janë të minuara në mënyrë kronike nga klientelizmi dhe bekgraundi familjar.

Pavarësisht luajtjes së një roli kryesor në disa prej lëvizjeve demokratike gjatë viteve Tetëdhjetë, sindikatat përgjithësisht kanë parë një reduktim masiv në fuqinë dhe influencën e tyre. Anëtarët e tyre u goditën në mënyrë të veçantë nga të gjitha pushimet nga puna dhe mbylljet e vendeve të punës. Ndërsa mbesin xhepa militantësh midis disa punëtorëve të kualifikuar, ka dalë një brez i ri me asnjë dituri për anëtarësimin në sindikata dhe që e shikon pabarazinë e rrogave dhe pasigurinë e vendit të punës si fakte jete të pandryshueshme. Konkluzionet e Richard Sennett rreth efekteve të zëvendësimit të punëtorëve të përhershëm me ata të përkohshëm lidhur me marrëdhëniet sociale, siç nënvizohet në librin e tij “The Corrosion of Character”, apikohen në masë të dyfishtë për shtetet periferike të Europës.

Por, sigurisht, jo çdonjeri humbi. Terapia e shokut kishte mbështetësit e brendshëm të saj, njerëz rë trallisur nga idetë e teorive ekonomike neoklasike dhe Hayekiane. Nganjëherë kjo ishte e bazuar mbi një angazhim intelektual të vërtetë, ndërsa ekonomistët neoliberalë perëndimorë siguronin pasues të zjarrtë në universitetet dhe kolegjet e Varshavës, Pragës, Bukureshtit dhe Budapestit. Megjithatë, gjithnjë e më shpesh, dishepujt e rinj të neoliberalizimit qenë konvertime cinike nga komunizmi, kërkuesit e një rendi të ri kapitalist. Nëpërmjet inkorporimit në institucionet perëndimore, të tilla si NATO apo Bashkimi Europian, disa prej kapitalistëve të rinj shpresonin që t’i ngulisnin mirë situatat e tyre si arbitra politikë parësorë, një elitë e re reformuesish të influencuar nga Perëndimi.

 

Reperkusione politike

Diskutimet e një reduktimi në kapacitetin e shtetit do të bëhej një profeci që realizohej. Ka pasur një bjerrje të qëllimshme të aftësisë së shtetit për të rregulluar ekonominë, ndërsa këto të fundit bëhen gjithnjë e më shumë të varura në flukset nga brenda të kapitalit. Ka pasur gjithashtu ndërhyrje perëndimore në proceset politike të vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore, që pa pasur efektin dobësues të atyre partive politike në favor të një shkalle rregullimi i ekonomisë. Nga mesi i viteve Nëntëdhjetë, shumë në Perëndim qenë të frikësuar nga suksesi i vazhdueshëm elektoral i partive politike paskomuniste. Michael Ignatieff shkruante në vitin 1995 për një “strategji shoqërie civile” për rajonin. Kjo, argumentonte ai, do të ishte një numër programesh të administruara nga shtetet perëndimore brenda shteteve paskomuniste për të financuar masmediat, partitë opozitare, gjykatat, gjyqësorin dhe policinë. Ai argumentonte se strategjia duhet të fillonte nëpërmjet gjetjes së partnerëve në një shoqëri më të gjerë.

Qeveritë perëndimore, shpesh në shoqërim të kompanive shumëkombëshe, kanë qenë instrumentale në vënien në veprim të këtyre ideve, normalisht në mënyrë jashtëzakonisht tinzare. Sistemi i financimit të fushatave elektorale anembanë periferisë në shumicën dërrmuese të rasteve është bërë opak, me akuza dhe kundërakuza të përfshirjes shumëkombëshe dhe ndërqeveritare. Një mjedis i tillë ka qenë jashtëzakonisht i kënaqshëm për teoricienë konspiracioni vendas. Nëpërmjet ndërhyrjeve të tyre trasha dhe hedhjes së parave për organizata “liberale” artificiale, institucionet perëndimore kanë ndihmuar që të korruptohen dhe sabotohen politikat edhe më tej në favor të interesave ekonomike.

Qysh nga ekzekutimi i terapisë së shokut, votuesit shpesh kanë zgjedhur në masë për partitë e majta, me shpresën se ato do të zbusnin efektet më të këqija sociale dhe ekonomike të tranzicionit kapitalist. Por vetë këto parti kanë qenë të angazhuar rëndshëm në privatizim dhe parimeve kryesore të teorive ekonomike neoliberale, si pjesë e angazhimit të tyre ndaj aderimit europian. Kaosi ideologjik që ka pasuar ka asistuar shfaqjen anembanë rajonit të lëvizjeve populiste të djathta, të cilët janë përpjekur të kapun pakënaqësinë e popullit. Forcat politike që lulëzuan në kohën e Perandorisë Austro – Hungareze janë rishfaqur, të tilla si “socializmi kristian” antisemit dhe “liberalizimi kombëtar” patriotik.

Me politikat e përmbytura në pjesën më të madhe nga ekonomia dhe gjithnjë e më shumë të vendosura brenda orbitës gjeopolitike të interesave të “sigurisë kombëtare globale” të një Amerike paranojake dhe të mbingarkuar, legjitimiteti i elitës së pas1989 ka ardhur duke u varur në “kapjen” me Perëndimit. Por në periudhën menjëherë pas krizës financiare kjo strategji aspiruese përballet me testimin më të madh të saj, një testim që akoma mund të rezultojë në pasoja politike katastrofike.

Sipas Gabor Scheiring, një anëtar i parlamentit për LMP-në, Partia e Gjelbër emergjente e Hungarisë, ato që sjellin kapitale në vend bëhen gjithashtu të rëndësishëm socialisht dhe politikisht dhe kjo e përforcon hegjemoninë kulturore të vlerave dhe mënyrat e të menduarit të elitës ekonomike dhe sociale.

Ka pasur një humbje të legjitimitetit të krahut të majtë  dhe e majta liberale e mbetur nuk po ofron një kritikë të proceseve të globalizimit dhe problemeve të sistemit të ri politik. Zhgënjimi shpesh është kombinuar kështu me një ringjallje të djathtë ekstreme të kulturës së vjetër tradicionale. Riciklimi i nacionalizmit mitik është pasqyrues i një dëshire për t’u “larguar nga modernizmi” – një reagim i kuptueshëm ndaj llojit të hegjemonisë kulturore perëndimore karakteristikë e shteteve periferike.

Për liberalët nga ish blloku lindor, të cilët po prisnin një epokë të re të artë të letërsisë, muzikës dhe artit, rezultatet kanë qenë dekurajuese. Kultura masive e periferisë operon në emëruesin më të vogël të përbashkët dhe në importet e lira amerikane. Sipas Gabor Scheiring, liberalizmi është bërë fjalë fyese: “Është pjesë e një procesi global përmes të cilit të humburit nga tranzicionet ekonomike bëhen izolacioniste. Nevojitet një formë e re kriticizmi, që kombinon të drejtat e njeriut me drejtësinë sociale”.

 

Një gjeografi sociale e re

Pas 20 vjetësh “terapie”, shtetet në tranzicion po zhvillojnë tani një panoramë sociogjeografike që pasqyron natyrën e ekonomive të tyre. Kështu kryeqyteti ideal i periferisë tani është i përqëndruar në shitjen, shërbimet dhe turizmi: Michael Lake, ambasadori i Bashkimit Europian në Hungari, në periudhën përpara aderimit, i referohej në mënyrë të përsëritur Budapestit si “qyteti i butikëve”. Në mënyrë analoge, Budapesti tjetër, një qytet industrial prej rreth 2 milion njerëzish, shumë prej të cilëve qenë punëtorë të thjeshtë, duhet të neglizhohej. Infrastruktura fizike e një qyteti periferik mund të përshkruhet më mirë si një përzierjeje trashëgimie të mbrojtur, kalbëzimi urban të pakontrolluar dhe skemash rigjeneruese spekulative të diskutueshme.

Arkitektura urbane moderne, e ilustruar nga blloqe zyrash pashije, shpesh mund të jenë po aq mizore se ato staliniste prej betoni. Një mungesë kontrollesh dhe planifikimi u aplikohet projekteve në biznes, shitje dhe arkitekturë të brendshme. Autoritetet vendore të dobëta dhe të pafinancuara shpesh janë të paafta që të zbatojnë urdhëra ruajtjeje ose janë të kompromentuara nga interesa biznesi. Regjime planifikuese burokratike të frikshme janë zëvendësuar lehtësisht nga tregtia dhe premtimi i kapitalit të jashtëm.

Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore në të kaluarën qenë të njohura për infrastrukturën e tyre të zgjeruar të transportit, por shumë prej sa tani është në gjendje të keqe. Makina private po bëhet gjithnjë e më shumë mënyra parapëlqyer e transportit. Dhe me përhapjen e makinave private, inkurajuar nga bizneset dhe politikanët, është pak befasuese që ndotja e ajrit në shumë zona të jetë më keq sesa qe nën komunizëm. Siç ka raportuar “Bankwatch”, BERZHI vazhdon që të mbështesë një numër projektesh në Europën lindore që do të kenë efekte negative ndaj mjedisit, përfshi dhjetëra inceneratorë dhe autostrada të kota. Shpërfillja ndaj mjedisit është gjithashtu në sasinë e madhe të plehërave dhe të mbetjeve që janë hedhur rreth qyteteve dhe fshatrave.

Qytete dhe fshatra që janë të vendosura më afër me një vend “bërthamë” përfiton nga trafiku ndërkufitar, për shembull ato në Sllovakinë, Poloninë dhe Hungarinë perëndimore. Tjetërkund kemi një mungesë të dukshme të të rinjve, të cilët janë larguar drejt kryeqyteteve ose punojnë përtejdetit. Një zonë urbane tipike dukshëm që do të delimitohet. Një klasë e lartë e vogël mund të jetojë në një lloj komuniteti të rrethuar me mure. Një klasë e mesme e brishtë mund të gjendet në rrugët periferike dhe disa prej apartamenteve. Klasa punëtore dhe klasa e mesme e ulët do të formojnë shumicën e blloqeve shumëkatëshe. Të varfërit mbijetojnë në fshatra ose nëpër baraka, pjesë e bidonvileve jozyrtare që po shfaqen si kërpudha në skajet e zonave urbane.

Infrastruktura industriale e rajoneve periferike mund të thuhet se konsiston në katër tipe kryesore. E para, janë vendet masive e braktisura – fabrika të deklaruara të falimentuara dhe të braktisura në vitet Nëntëdhjetë. E dyta, janë pasinvestimet, fabrikat e modernizuara, pothuajse gjithmonë pronësi e një kompanie të huaj. E treta, janë operacionet e llojit konçensionar, ku një biznes vendas ka krijuar një kontakt me një furnizues apo tregtar të huaj. E katërta janë fabrikat e reja, të ndërtuara nga shumëkombëshet. Përsa u përket Investimeve të Huaja të Drejtpërdrejta, ato shpesh janë të subvencionuara nga qeveria, me kompaninë që zakonisht përdor kosto pune më të lira dhe subvencionon që të çvendoset nga një zonë e dizavantazhuar e Europës perëndimore.

Kompozimi psiko-gjeografik i periferisë së Europës mund të përfaqësojë një mundësi të vërtetë për shfaqjen e kundërkorrenteve politike. Degradimi i natyrshëm i mjediseve urbane dhe rurale mund të krijojë lëvizje të mrekullueshme kundërshtimi, disa prej të cilave mund të zhvillojnë një forcë lëvizëse të pavarur. Konkurrenca për hapësirë urbane, ku nënkulturat përpiqen që të humanizojnë zona qytetesh, në kundërvënie me tendencën drejt zhvillimeve pronësore spekulative, mund të përfaqësojë gjithashtu një mundësi të rëndësishme për organizim. Këto lëvizje sigurojnë mundësinë për të lëvizur perspektiva të lëna alternative nga dhoma e seminarit në jetën e përditshme.

 

Konkluzion

Pavarësisht diferencave brenda rajonit periferik, konsideratat politike të përbashkëta të viteve Nëntëdhjetë kanë rezultuar në efekte që pasqyrojnë konsiderata strukturore dhe probleme të krahasueshme të ngjashme. Synimi i përgjithshëm i vazhdueshëm i politikës, siç përforcohet nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, Bashkimi Europian dhe një numër i madh institucionesh ndërkombëtare, duket se janë që të ruhet një marrëdhënie varësie borxhi. Rezultati do të ishte pothuajse gjithmonë me siguri rënia e vazhdueshme e komuniteteve dhe një reduktim i mëtejshëm në kohezionin social, ndërsa aftësia e shteteve për të ruajtur nivelet bazike të shërbimeve dhe të përkrahjes sociale do të ishte gjithnjë e më shumë nën kërcënim. Një popullsi me demografi të plakur i bën probleme të tilla gjithnjë e më akute, edhe për vendet më të qëndrueshme në zonë.

Disa përgjigje të mundshme përfshijnë një bashkëpunim më të madh midis vendeve në Europën Qendrore dhe Lindore; përkufizimin e një qëndrimi të natyrshëm ndaj zhvillimi, duke ruajtur ndërkohë aksesin ndaj financës së jashtme vendimtare; një politikë fiskale jo të shtrënguar dhe aftësinë për të zhvlerësuar po të jetë e nevojshme, ashtu si dhe përmirësimin, më shumë se reduktimin apo privatizimin, e sektorit shtetëror.

Vazhdueshmëria ose jo e këtyre karakteristikave “periferike” është e vështirë për t’u çmuar. Ndoshta në në vend të kësaj pyetja duhet t’u drejtohet vendeve europiane “bërthamë”: sa permanente janë karakteristikat pozitive të tyre? Ndërsa natyra e Bashkimit Europian ndryshon me absorbimet e mëtejshme drejt Lindjes, një ekonomi europiane institucionalisht e bashkuar, megjithëse socialisht e copëzuar, mund të jetë duke u shfaqur. Nëqoftëse është kështu, ajo do të jetë një ndryshim ultrakapitalist, me kufizime sociale dhe politike të thella.

(Nga Soundings)

Përgatiti: ARMIN TIRANA, www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button