Analiza

Përplasja e hipokrizive

Karim Émile Bitar

Sot perëndimorët reshtohen kundër myslimanëve, që konsiderohen të paaftë për të kuptuar lirinë e shprehjes së karikaturistëve, ndërkohë që të tjerët reshtohen kundër një perëndimi, i cili perceptohet si një tërësi homogjene, raciste dhe imperialiste. A nuk qëndron kurajoja e një intelektuali, mbi të gjitha në përballjen me paragjykimet? A nuk është më mirë që të pastrosh pragun e derës tënde, përpara se të ankohesh për pisllëkun tek porta e fqinjit?

hipokrizi

Forca e Charlie Hebdo ishte denoncimi i hipokrizive, përdorimi i sarkazmës kundër të gjithë të pushtetshmëve. Për këtë arsye ishte ironike të shihje mbi pesëdhjetë krerë shtetesh, mes të cilëve shumë flamurmbajtës të autoritarizmit, që kishin ardhur të nderonin gazetarë të cilët vinin në pjesën më të madhe nga e majta radikale, anarshiste dhe libertare, e cila është armiqësore ndaj të gjithë formave të autoritetit.
Sikur të mos kish ekzistuar asnjëherë çështja Salman Rushdie, Irani ka dënuar “radikalizmin e mendimit”. Edhe Arabia Saudite ka denoncuar “burracakërinë” e vrasësve, pak përpara se të niste ndëshkimi shumë më kurajoz i blogger-it saudit Raif Badavi, i dënuar me një mijë goditje për shkak se ka kritikuar klerin vehabit. Ndërkohë që Kryeministri izraelit, Beniamin Netanjahu përpiqej të shfrytëzonte politikisht tragjedinë e Parisit, avokati Alan Dershovic, propagandist i zellshëm i shtetit të Izraelit, pyeste nëse Franca i kishte merituar atentatet duke qenë se ajo kishte njohur shtetin palestinez, e si pasojë kishte “shpërblyer terroristët”. Ishin edhe autoritetet e Turqisë, vendi që ka më shumë gazetarë në burg, dhe të Rusisë, që ka miratuar ligje kundër blasfemisë, të krahasueshëm me ata të disa vendeve myslimanë.
Përtej këtyre hipokrizive të vogla, debati për lirinë e shprehjes që shpërtheu përreth Charlie Hebdosë në dhjetë vitet e fundit ka qenë i karakterizuar nga përplasja mes dy hipokrizive paralele monumentale, të dyja të paafta për të dalë prej paqartësisë dhe indinjatës selektive. Krejt papritur sheh persona që nuk kanë qenë kurrë laikë, të cilët lëvdojnë “laicizmin alla frëng”, si armë kundër Islamit. Kjo fobi ndaj fesë ka më shumë të bëjë me urrejtjen, se sa me humanizmin laik. Në botën arabe, nga ana tjetër, hipokrizia e disa intelektualëve ishte e dukshme që në vitet nëntëdhjetë, kur shumë prej tyre mbështetën “të drejtën e lirisë së shprehjes” të negacionistit Roger Garaudy, ndonëse kishin bërë të heshtnin mijëra të burgosur politikë që marshonin në burgjet e vendeve arabë. E njëjta hipokrizi e intelektualëve perëndimorë që lartësonin pamfletet e Oriana Fallacit dhe ngriheshin kundër antisemitizmit të supozuar të arabëve.
Sa pak koherencë
Bota islamike do të ishte më e besueshme në protestat e saj kundër islamofobisë perëndimore, nëse do të përballej me antisemitizmin dhe negacionizmin brenda vetes. Dhe do të ishte më e lehtë të merrej seriozisht dënimi i antisemitizmit në Perëndim, nëse ky do të kish dhënë prova të indinjatës së vet kur rabini izraelit Ovadia Yosef bënte thirrje të “çrrënjoseshin arabët”, apo kur ish Kryeministri izraelit, Menachem Begin i quante “kafshë me dy këmbë”. Aq më shumë që ideologjia konkretizohet në një pushtim brutal të Palestinës, i cili vazhdon prej 48 vitesh. Nëse refleksi ynë i parë ka qenë pohimi i shenjtësisë së lirisë së shprehjes, do të japim prova topitjeje nëse nuk analizojmë frikën e fiksuar nga Islami, që përhapet në të gjithë perëndimin dhe që të kujton antisemitizmin e shekullit që kaloi.
I ngathtësuar prej vuajtjeve të veta, secili komunitet shfaqet i paaftë për të kuptuar vuajtjet e të tjerëve. E megjithatë është demonstruar se antisemitizmi dhe orientalizmi bazohen mbi të njëjtën traditë intelektuale. Për një kohë të gjatë, hebrenjtë janë përshkruar në letërsinë perëndimore si “orientalë”, dhe u janë atribuar të njëjtat tipare që sot u atribuohen myslimanëve. Konsideroheshin të ndryshëm, dinakë, të pa-asimilueshëm si dhe broçkulla të tjera si këto. Antisemitizmi u diskreditua në Perëndim pas Luftës së Dytë Botërore, por disa vazhdojnë t’i konsiderojnë simpatike karikaturat e të njëjtit lloj, që vënë në shënjestër myslimanët.
Debati për lirinë e shprehjes nuk është i thjeshtë. Problemi qëndron në mungesën e koherencës së atyre që duan të mbrojnë disa mendime, dhe të kriminalizojnë të tjerët. Nuk ka asgjë më të kollajtë se sa të mbrosh lirinë e mendimit, kur mendimet në fjalë janë edhe tanët. Bernard-Henri Lévy ka mbrojtur Rushdien përballë radikalëve të Saint- Germain-des-Près, gazetari pakistanez Ekbal Ahmad e ka mbrojtur përballë bashkëkombësve të tij të zemëruar: cili prej të dyve ka qenë më kurajoz? Pjesa më e madhe e intelektualëve perëndimorë dhe myslimanë kënaqen duke predikuar në terrenin e tyre. Të gjithë i harrojnë ato që ka shkruajtur Montaigne për autokritikën dhe ftesën e Theodor Adorno për “të menduar kundër vetvetes”.
Sot perëndimorët reshtohen kundër myslimanëve, që konsiderohen të paaftë për të kuptuar lirinë e shprehjes së karikaturistëve, ndërkohë që të tjerët reshtohen kundër një perëndimi, i cili perceptohet si një tërësi homogjene, raciste dhe imperialiste. A nuk qëndron kurajoja e një intelektuali, mbi të gjitha në përballjen me paragjykimet? A nuk është më mirë që të pastrosh pragun e derës tënde, përpara se të ankohesh për pisllëkun tek porta e fqinjit? /L’Orient Le Jour/
Karim Émile Bitar është politolog libanez. Punon në Institutin IRIS në Paris
e.gj./www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button