Analiza

Përplasje dhe diplomaci. NATO blindon Europën Lindore

perplasje dhe diplomaciBarak Obama e kishte thënë gjatë vizitës së tij europiane dhe tani po ndodh. Anders Fog Rasmusen ka deklaruar se “do të ketë më shumë avionë në qiej, më shumë anije në dete, më shumë aftësi reaguese në tokë”. Me fjalë të tjera, premton Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s “kemi marrë masa të reja për t’iu përgjigjur krizës ukrainase”, dhe e thotë mbi të gjitha për të siguruar aleatët e Europës qendrore dhe lindore, që deklarojnë se ndiejnë frymën e rusëve prapa qafës. Aleanca do të konsolidojë vigjilencën në ajër, me anije në Detin Balltik dhe në Mesdheun lindor, por edhe do të ketë më shumë programe mbrojtjeje në zonat e kufirit si dhe një sistem alarmi të përforcuar dhe më eficient.

Janë manovra të mëdha parandaluese, në rast se situata do të përkeqësohet. NATO deklaron mbështetje totale për dialogun e katërshes (BE, SHBA, Rusi, Ukrainë) që hapet sot në Gjenevë si dhe mbështet “përpjekjet ndërkombëtare për gjetjen e një zgjidhjeje politike”. Në të njëjtën kohë, “i kërkon Rusisë që t’i japë fund destabilizimit të Ukrainës, duke tërhequr trupat nga kufiri dhe bërë të qartë se nuk mbështet dhunën e separatistëve prorusë”. Ndërkohë që Parlamenti Europian shpreh shqetësim dhe bën ftesë për dialog, Këshilli i Sigurimit i OKB u mblodh sërish gjatë natës.

Bisedimet pranë liqenit të Gjenevës nuk fillojnë me pritshmëri të larta. Rusët dhe ukrainasit kanë nisur një luftë të rrezikshme kërcënimesh. SHBA shtyjnë për një linjë të ashpër dhe deklarojnë: “Kemi gati sanksione të reja”. Europa është në pritje. Ambasadorët e BE kanë diskutuar hipotezën e një kalimit në fazën tre të sanksioneve, me masa që vënë në shënjestër edhe ekonominë e Moskës. Në tryezë është edhe një plan për të goditur Krimenë, duke përfshirë kufizimin e certifikatave të origjinës, që do e bënte shumë të vështirë tregtinë.

Gjermanët janë shumë aktivë. Angela Merkel i ka kërkuar sërish Vladimir Putinit (i cili tashmë flet hapur për “rrezikun e një lufte civile për faj të papërgjegjshmërisë së Kievit”) që të tërheqë trupat nga kufiri dhe e ka ftuar për “moderim”. Në të njëjtën kohë, ka deklaruar se do të kontribojë për forcimin e pranisë së NATO-s në Europën lindore, me një anije mbështetëse si dhe gjashtë avionë. Nga Kievi, zëdhënësi i kundërspiunazhit ukrainas, Vitali Naida, ka akuzuar rusët se po presin që të ketë 100-200 të vdekur në sheshe për të justifikuar ndërhyrjen e armatosur. Dje, forcat ukrainase të sigurisë kanë arrestuar 23 zyrtarë të shërbimeve ushtarakë rusë (GRU) në territor ukrainas. Nëse duhej një klimë e qetë për nisjen e negociatave në Gjenevë, me siguri që ky shans është humbur.

Leave a Reply

Back to top button