Ekonomi

Përse dështoi shpëtimi i Greqisë

nga Kenneth Rogoff

Ideologët e majtë i kanë parë prej kohësh me dyshim të thellë programet e reformave strukturore, duke akuzuar huadhënës ndërkombëtarë si FMN dhe Banka Botërore se janë të kapur nga fondamentalistët neoliberalë të tregut. Kjo kritikë ka një të vërtetë brenda saj, por është shumë e ekzagjeruar.
E vërteta është që reformat strukturore shpesh herë favorizojnë politika si fleksibiliteti i tregut të punës. Por nuk duhet bërë gabimi që këto ndërhyrje të shihen si bardhë-e-zi

Screen Shot 2015-07-02 at 09.28.36

Teksa kriza greke vijon të përshkallëzohet, është e rëndësishme të kuptojmë se një program i suksesshëm përmirësimi strukturor kërkon të kesh fort në dorë frenat e një vendi. Edhe nëse negociatorët i kapërcejnë pikat më të debatuara aktualisht, do të jetë e vështirë të besohet në implementimin e tyre, nëse populli grek mbetet jo i bindur. Kjo ka qenë përvoja e deritashme. Dhe pa reforma strukturore, ka shumë pak shanse që ekonomia greke do të shohë stabilitet dhe rritje ekonomike të qëndrueshme – qoftë edhe sepse huadhënësit zyrtarë nuk janë të gatshëm të vazhdojnë t’i japin më shumë para, se sa i kërkojnë të shlyejë, një Greqie të pareformuar. (Kështu ka ndodhur gjatë pjesës më të madhe të krizës, ndonëse nga mbulimi mediatik botëror nuk e kupton këtë gjë).
Anëtarësia e Greqisë në Bashkimin Europian u jep kredidhënësve të saj një hapësirë veprimi domethënëse, por qartësisht jo mjaftueshëm sa për të ndryshuar llogaritë bazë. Greqia mbetet një vend sovran, dhe jo një shtet nën-sovran. “Trojka” e kredidhënësve – FMN, Banka Qendrore Europiane dhe Komisioni Europian – thjeshtë nuk gëzojnë mbmi Greqinë atë lloj hapësire manovrimi që, për shembull kishte Korporata e Asistencës Bashkiake ndaj Bashkisë së Nju Jorkut, kur kjo u ndodh në prag të falimentit në mesin e viteve ’70.
Programet më të mirë të përmirësimit strukturor janë ata, në të cilët qeveria e vendit huamarrës propozon ndryshimin e politikave, dhe FMN ndihmon për të hartuar një program të porositur, si edhe ofron mbulimin politik për implementimin e tij. Imponimi i tyre nga jashtë është thjeshtë një opsion jo i efektshëm. Pra, që reformat të hedhin rrënjë, qeveria greke dhe elektorati i saj duhet të besojnë tek to.
Që një vend duhet të shtjerë në dorë frenat e programit të vet të reformave, ky nuk është një mësim i ri. Marrëdhënia e vështirë e FMN me Ukrainën filloi shumë më herët se sa raundi i fundit i negociatave. Në vitin 2013, stafi i FMN-së shkruajti një raport kthjellues në lidhje me përvojën e organizatës në atë vend. Konkluzioni i tyre, në thelb, ishte se dështimi i qeverisë për të mbështetur plotësisht procesin e reformave, garantoi që programi nuk do të funksiononte.
Nëse një qeveri është e paaftë, ose e painteresuar për të bërë ndryshimet e nevojshëm, argumentonte reporti, opsioni më i mirë është që paratë të dalin jashtë teksa implementohen reformat, siç po bëhet aktualisht me Greqinë. Fatkeqësisht, ajo qasje nuk ka qenë e mjaftueshme për të kapërcyer sfidat e mëdha në Greqi. Kushtet e reformave strukturore shpesh herë e anojnë ekuilibrin e fraksioneve të brendshëm konkurues, për mirë apo për keq. Nëse brenda vendit nuk ka vullnet për të vazhduar me reformat, shumë shpejt ato do të dështojnë.
Ideologët e majtë i kanë parë prej kohësh me dyshim të thellë programet e reformave strukturore, duke akuzuar huadhënës ndërkombëtarë si FMN dhe Banka Botërore se janë të kapur nga fondamentalistët neoliberalë të tregut. Kjo kritikë ka një të vërtetë brenda saj, por është shumë e ekzagjeruar.
E vërteta është që reformat strukturore shpesh herë favorizojnë politika si fleksibiliteti i tregut të punës. Por nuk duhet bërë gabimi që këto ndërhyrje të shihen si bardhë-e-zi. Thyerja e tregjeve të punës që po përjashtojnë punëtorët e rinj në moshë (siç po ndodh në pjesën më të madhe të Europës jugore, përfshirë Italinë dhe, deri në një farë mase, edhe në Francë) është shumë e ndryshme, nga një politikë e lehtësimit të procedurave të dëbimit nga puna të të gjithë punëtorëve. Nëse i bën më të qëndrueshëm sistemet e pensioneve, nuk do të thotë që i ke bërë më “koprracë”. Thjeshtësimi i sistemit të taksave nuk do të thotë rritje e taksave.
Kohët e fundit, kundërshtarët e reformave strukturore kanë parashtruar objektiva më ekzotikë – më i përmenduri, problemi i shkaktuar nga deflacioni, kur normat e interesit janë pothuajse zero. Nëse reformat strukturore thjeshtë ulin të gjithë pagat dhe çmimet, mund të jetë vërtetë e vështirë në terma kohëshkurtër, për t’iu kundërvënë rënies së kërkesës agregate. Por një kritikë e ngjashme mund të bëhet për çfarëdolloj ndryshimi tjetër në politika: nëse është projektuar keq, sigurisht që do të jetë kundër-produktive. E vërteta është që nëse Europa dëshiron të ecë përpara, duhet të kërkojë më shumë produktivitet.
Mësimet nga Greqia dhe nga programe të tjerë të pasuksesshëm shpëtimi, janë kthjellues. Nëse një program shpëtimi nga borxhet kërkon një ndryshim tërësor në modelin ekonomik, social dhe politik të një vendi, rruga më e mirë që duhet të ndiqet është të anulohen humbjet ndaj privatëve, në vend që të hidhen para publike për t’i mbuluar ato. Në raste si Greqia, pasioni i kredidhënësve për reforma strukturore mund të orientohej më mirë tek vetja e tyre – sidomos drejt përmirësimit të rregullave financiare.
Pjesa më e madhe e grekëve duan të qëndrojnë në BE. Në një botë ideale, ofrimi i ndihmës financiare në këmbim të reformave, mund të ndihmojë ata brenda Greqisë, që duan ta bëjnë vendin një shtet modern europian. Por duke parë vështirësitë që ka patur Greqia deri më sot, për të bërë ndryshimet e domosdoshme, mund të jetë koha për ta riparë qasjen ndaj krizës. Në vend të një programi që i ofron vendit më shumë hua, mund të ketë më shumë kuptim të ofrohet ndihmë humanitare – qëndron apo jo Greqia në brendësi të Eurozonës.

Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2015. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate – Why the Greek Bailout Failed

Leave a Reply

Back to top button