Miliona njerëz ndiejnë çdo ditë pasiguri për shkaqe si lidhja në çift, fëmijët, puna apo miqësitë. Shkenca ka provuar se pasiguria mund ta shtojë edhe më shumë rrezikun ndaj të cilit ruheni nëse e humbni toruan…
Çdokush ndjen pasiguri herë pas here, ndoshta edhe në situata të caktuara. Pasiguria mund të vijë në forma të ndryshme, që nga mospëlqimi i vetes për nga pamja e jashtme, te gjykimi si jo mjaftueshëm inteligjent/e dhe si i/e paaftë në çaste të ndryshme.
Disa njerëz i kompensojnë pasiguritë e tyre duke u përpjekur të tregojnë se janë më të mirë se të tjerët. Ata mund të mburren për arritjet e tyre, t’i kujtojnë të tjerëve për sukseset që kanë arritur dhe të nënvlerësojnë miqtë dhe familjen.
Psikologu Alfred Adler, i cili bëri të njohur termin “kompleksi i inferioritetit”, iu referua kësaj tendence si “luftë për superioritet”. Në skenarin më të keq, lufta për superioritet do të thotë të shkelësh në kallo ndjenjat e të tjerëve përreth jush. E vetmja mënyrë për të zmadhuar veten duket se është duke zvogëluar të tjerët.
Ka raste kur pasiguritë janë të justifikuara, megjithatë, pranimi i këtyre ndjenjave është psikologjikisht i shëndetshëm. Nëse jeni përballur me një koleg, shef apo shok që po lufton për superioritet, është normale që të vini në pikëpyetje vlerën tuaj si person. Megjithatë, duke ditur se të tjerët ju kanë manipuluar që të ndiheni kështu, mund t’ju ndihmojë të dilni nga pasojat negative.
Ju mund të ndieni pasiguri edhe në ngjarje të caktuara në jetë. Për shembull nëse partneri/ja ju kërcënon se do të largohet ose nëse shpreh shqetësime rreth të ardhmes së marrëdhënies suaj. Mund të jeni të pasigurt edhe nëse vajza juaj adoleshente ju thotë se jeni një prind i tmerrshëm. Në këto raste, ju pyesni veten ku keni gabuar. Për t’u ndier mirë në këto situata, duhet të ndani kontributin tuaj dhe atë të të tjerëve në këtë problem.
Pasiguria gjithashtu mund t’ju ndodhë në përgjigje të kërcënimeve reale të mjeteve të jetesës. Kur ekonomia fillon të ulet, efektet e pasigurisë janë të mëdha te punonjësit. E vetmja mënyrë për të luftuar këto ndjenja pasigurie është duke u siguruar se rreziku që hamendësoni nuk ju prek. Megjithatë nëse jeni pranë çastit për të mbetur pa punë, do të ndieni shumë stres në shtëpi dhe në vendin e punës. Ndonëse e dini se problemi nuk jeni ju, por ekonomia, është gjithsesi e vështirë të mundni këtë lloj pasigurie të fortë.
Për të analizuar reagimet e punonjësve për pasigurinë në punë, psikologu Hai-jiang Wang nga Universiteti i Pekinit dhe kolegët e tij hetuan strategjitë e mundshme që punëdhënësit mund të përdorin për të shmangur reagimet negative te punonjësit në një klimë të trazuar ekonomike.
Ata ishin veçanërisht të shqetësuar rreth mënyrës se si do mund të mbaheshin punonjësit të angazhuar në punë që të vazhdonin të ishin produktivë. Nga pikëpamja e një punonjësi të stresuar, pyetja ishte disi ndryshe: Si mund të përqendrohesh në punë, jo te shqetësimet, kur bisedat për pushimet nga puna po bëhen kudo?
Ndjenja e pasigurisë në punë nuk do të thotë domosdoshmërisht se shqetësimet tuaja janë reale.
Kërkime të mëparshme kanë treguar se pasiguria në punë është e zakonshme, mund të ndodhë pavarësisht gjithçkaje që ndodh në vendin e punës ose me ekonominë. Kështu kjo ju bën më të pakënaqur në punën tuaj, ju çorienton, filloni të humbisni besimin dhe madje ju dëmton shëndetin. Do të ishte më e arsyeshme të përballeni me pasiguritë në punë duke rritur performancën tuaj.
Përbërësi kyç që vendi i punës mund t’i shtojë ose t’u heqë pikëpyetjeve të pasigurisë dhe produktivitetit te një punonjës, është drejtësia e organizimit dhe trajtimi i drejtë i punonjësve.
Sa më të pasigurt që do të ndiheni, aq më e rëndësishme është për vendin tuaj të punës që të ndiheni të trajtuar të barabartë. Kjo vjen nga parimi i teorisë së menaxhimit të pasigurisë. Sa më shumë pasiguri të keni përballë, aq më shumë varet lumturia dhe produktiviteti juaj nga perceptimi i drejtësisë në duart e të cilës do mbeteni. Kjo ndjesi se do t’ju jepet drejtësia nga punëdhënësi ju lejon të përqendroheni më tepër te puna, duke shtuar kështu produktivitetin.
Për të hetuar marrëdhëniet mes pasigurisë në punë, drejtësisë organizative, angazhimit në punë dhe produktivitetit, kërkuesit pyetën punonjësit dhe supervizorët në një kompani të madhe kineze për sigurimin.
Studimi u krye përgjatë tri periudhave, ndaj marrëdhëniet mes këtyre faktorëve u kapën në çaste të ndryshme. Siç kishin parashikuar, kërkuesit zbuluan se sa më shumë të ndiheshin të pasigurt punonjësit, aq më pak të angazhuar ishin me punën dhe më pak produktivë bëheshin.
Kjo ndodhte vetëm kur punonjësit perceptonin se kompania nuk do t’i trajtonte ata mirë. Në këto kushte, ata angazhoheshin më pak në punë dhe bëheshin më pak të dobishëm.
Siç përfunduan edhe kërkuesit, për të luftuar pasigurinë te punonjësit, duhet që punëmarrësi të kontribuojë duke u dhënë atyre mundësinë që të japin maksimumin e tyre pa u ndjerë të kërcënuar nga humbja e mjeteve të jetesës.
Njerëzit mund ta përballojnë pasigurinë për sa kohë besojnë se dikush po kujdeset për mirëqenien e tyre. Të pasurit besim te punëdhënësi apo te partneri ju ndihmon të kaloni valët e pasigurisë që vijnë herë pas here në jetë.
Në kuptimin afatgjatë, trajtimi i njëri-tjetrit me drejtësi, do të na ndihmonte të gjithëve ne të ndiheshim më të sigurt, më të lidhur dhe më produktivë. Kini besim te vetja në çdo situatë dhe do t’ia dilni mbanë!