Analiza

Përse nuk duhet armatosur Ukraina. E vështirë humbja e Moskës në fushëbetejë

Nga John J. Mearsheimer

Screen Shot 2015-02-09 at 6.54.56 PM

Kriza në Ukrainë po zgjat prej thuajse një viti dhe Rusia është duke fituar. Separatistët në Ukrainën Lindore janë duke fituar terren çdo ditë, teksa presidenti rus Vladimir Putin nuk po tregon asnjë shenjë se ka ndërmend të tërhiqet, përballë sanksioneve ekonomike perëndimore. Sikurse edhe pritej ka një kor zërash në rritje në Shtetet e Bashkuara, që po i bëjnë thirrje aleancës perëndimore për armatosjen e Ukrainës.
Një raport i kohëve të fundit, i hartuar nga 3 think-tanke kryesorë amerikanë, nxit dërgimin në Kiev të armatimeve të avancuara, Në një kohë që kandidati kryesor i Shtëpisë së Bardhë për Sekretarin e ri të Mbrojtjes, Eshton B. Karter, do të deklaronte javën e shkuar, para komitetit të Senatit për shërbimet e armatosura, se “unë anoj shumë në atë drejtim”.
Ata janë të gjithë në rrugë të gabuar. Do të ishte një gabim i madh për Shtetet e Bashkuara, NATO-n dhe vetë Ukrainën, ndërmarrja e asaj rruge. Dërgimi i armëve nuk do të shpëtonte dot ushtrinë ukrainase. Përkundrazi, në vend të kësaj do të kishim një përshkallëzim të ndjeshëm të luftimeve. Një hap i tillë është veçanërisht i rrezikshëm, edhe për shkak se Rusia ka mijëra armë bërthamore dhe aktualisht po përpiqet të mbrojë interesat e saj jetike dhe strategjike.
Nuk ka asnjë dyshim se ushtria e Ukrainës është shpartalluar keqazi nga ana e separatistëve, të cilët kanë trupat ruse dhe armë të sofistikuara në anën e tyre. Për shkak se balanca e pushtetit në mënyrë vendimtare favorizon Moskën, Uashingtoni do të duhet të dërgojë sasi të mëdha të paisjeve për ushtrinë ukrainase, që kjo e fundit të mund të ketë një farë shansi për të luftuar.
Gjithësesi konflikti nuk do të përfundonte këtu. Në kundërpërgjigje, Rusia do të përshkallëzonte sulmet, duke zhbërë çfarëdolloj përfitimi të përkohshëm që Kievi mund të kishte nga armët amerikane. Autorët e think-tankut që kryen studimin e pranojnë këtë, duke vënë ndërkaq në dukje se “edhe me ndihmën e madhe nga Perëndimi, ushtria e Ukrainës nuk do të jetë në gjendje të mposhtë një sulm të vendosur nga ushtria ruse”.
Me pak fjalë, Shtetet e Bashkuara nuk mund ta fitojnë një garë armësh me Rusinë mbi Ukrainën, dhe në këtë mënyrë të siguronin humbjen e Moskës në fushën e betejës. Përkrahësit e armatosjes së Ukrainës, kanë një linjë të dytë argumentimi. Sipas tyre çelësi i suksesit, nuk është mundja ushtarake e Rusisë, por rritja e shpenzimeve mbi luftën deri në atë pikë sa zoti Putin të rrënohej. Ata gjithashtu supozojnë se kjo do ta detyronte Moskën të tërhiqte trupat e saj nga Ukraina, dhe të lejonte hyrjen e kësaj të fundit në Bashkimin Evropian dhe NATO, duke u bërë përfundimisht një aleate e Perëndimit.
Por kjo strategji detyruese nuk ka gjasa të funksionojë, pa marrë parasysh se deri në çfarë mase Perëndimi do të dëmtonte Rusinë. Ajo që “avokatët” e armatosjes së Ukrainës nuk arrijnë të kuptojnë, është se udhëheqësit rusë besojnë se interesat thelbësore strategjike të vendit të tyre janë në rrezik në Ukrainë.
Për rrjedhojë nuk ka asnjë shans që ata të lëshojnë terren, edhe nëse kjo do të thotë shkaktimin e kostove të mëdha. Fuqitë e mëdha reagojnë ashpër kur rivalët e largët e projektojnë fuqinë ushtarake në “lagjen” e tyre. Ndërkohë, shumë më pak përpjekje nevojiten për të bërë aleat një vend në kufi. Kjo është arsyeja së përse Shtetet e Bashkuara kanë “Doktrinën Monro”, dhe sot asnjë president amerikan nuk do të toleronte kurrë një Kanada apo Meksikë të bashkuar në një aleancë ushtarake, të kryesuar nga një tjetër fuqi të madhe.
Në këtë drejtim, Rusia nuk përbën asnjë përjashtim. Kështu që zoti Putin nuk tundet përballë sanksioneve, dhe nuk ka gjasa të bëjë lëshime të rëndësishme, edhe në rast se kostot e luftimeve në Ukrainë do të rriteshin. Duke rritur rezistencën e Ukrainës, gjithashtu rrezikohet përshkallëzimi i padëshiruar. Me siguri jo vetëm luftimet në Ukrainë Lindore do të intensifikoheshin, por ato mund të përhapen edhe në zona të tjera.
Dhe atëherë pasojat për Ukrainën, që tanimë përballet me probleme të thella ekonomike dhe sociale, do të ishin katastrofike. Mund të duket e largët mundësia që zoti Putin të mund të përdorë si kartë të fundit kërcënimin bërthamor. Por nëse qëllimi i armatosjes së Ukrainës është rritja e kostove të ndërhyrjes për Rusinë dhe përfundimisht çuarjen e Moskës në një krizë akute, ai skenar nuk mund të përjashtohet.
Nëse presioni perëndimor pati disi sukses dhe zoti Putin ndjehet aktualisht i dëshpëruar, ai do të ketë një stimul edhe më të fuqishëm për t’u përpjekur për të dalë nga situata, duke i mëshuar vrullshëm “shpatës” bërthamore. Kuptimi që ne kemi për mekanizmat e përshkallëzimit në krizat dhe luftërat kufizohet tek më e mira, edhe pse ne e dimë që rreziqet janë të konsiderueshme. Të shtysh një Rusi të armatosur me armë bërthamore, në “cepin e ringut”, do të ishte si të luaje me zjarrin.
“Avokatët” e armatosjes së Ukrainës e njohin problemin e përshkallëzimit. Dhe kjo është arsyeja përse ata e theksojnë vazhdimisht se po kërkojnë që Kievit t’i jepen armë “mbrojtëse” dhe jo “sulmuese”. Fatkeqësisht, nuk ka ndonjë dallim të dobishëm ndërmjet këtyre kategorive: të gjitha armët mund të përdoren për të sulmuar dhe mbrojtur. Ndonëse Perëndimi mund të jetë i sigurtë që Moska nuk do t’i shohë armët amerikane si “mbrojtëse”, duke pasur parasysh se Uashingtoni është i vendosur për të ndryshuar status quo-në në Ukrainën Lindore. Pra unë them se mënyra e vetme për të zgjidhur krizën në Ukrainë, është nëpërmjet diplomacisë dhe jo ushtrisë.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, duket se e njeh këtë fakt, pasi siç është shprehur në vijimësi Berlini nuk do që të furnizojë me armë Kievin. Megjithatë problemi i saj është se nuk e di sesi mund t’i jepet fund kësaj krize. Ajo dhe udhëheqës të tjerë evropianë po punojnë ende nën iluzionin se Ukraina mund të largohet jashtë orbitës ruse, duke u bërë pjesë e aleancës perëndimore, dhe që liderët rusë duhet ta pranojnë këtë gjë. Por fakt është se ata nuk kanë ndërmend të pranojnë një zhvillim të tillë.
Për të shpëtuar Kievin dhe rivendosur përfundimisht një marrëdhënie bashkëpunimi me Moskën, Perëndimi duhet të përpiqet ta shndërrojë Ukrainën, në një shtet tampon neutral, midis Rusisë dhe NATO-s. Ajo duhet t’i ngjajë Austrisë gjatë Luftës së Ftohtë. Drejt këtij qëllimi, Perëndimi qartazi duhet të heqë dorë nga zgjerimi i Bashkimit Evropian dhe të NATO-s në lindje, duke theksuar se qëllimi i saj është një Ukrainë e parreshtuar, që nuk kërcënon Rusinë.
Gjithashtu Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj, duhet të punojnë edhe me zotin Putin për të shpëtuar ekonominë e Ukrainës, një qëllim që qartazi është në interesin e të gjithëve. Është ndërkaq thelbësore, që Rusia të ndihmojë dhënies fund luftimeve në Ukrainë Lindore, në mënyrë që Kievi të rimarrë kontrollin mbi atë rajon. Provincave të Donjeckut dhe Luhanskut, duhet t’u jepet një autonomi thelbësore dhe mbrojtja e të drejtës për përdorimin e gjuhës ruse, duhet të jetë një prioritet kryesor.
Krimea, një viktimë e përpjekjes së Perëndimit për të shpënë NATO-n dhe Bashkimin Evropian deri në pragun e Rusisë, me siguri u humb për mirë. Është koha t’i jepet fund kësaj politikë të pakujdeshme, përpara se t’i bëhen më shumë dëme si Ukrainës, ashtu edhe marrëdhënieve mes Rusisë dhe Perëndimit.
Shënim: John J. Mearsheimer është profesor i shkencave politike në Universitetin e Çikagos dhe autor i librit “Tragjedia e Fuqive të Mëdha Politike”
The New York Times
Pershtatur nga a.g./www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button