Histori

Një përshkrim i shkurtër për Shqipërinë, i një gjeografi të shekullit 12

Muhammed al-Idrisi ishte një gjeograf i famshëm arab. Ai kishte lindur në Ceuta, në Afrikën e Veriut dhe thuhet se ka studiuar në Kordoba, duke udhëtuar shumë nëpër Andaluzi dhe Afrikën e Veriut. Për arsye që janë të paqarta, ai u vendos në oborrin e Mbretit Roger II të Sicilisë (1105-1154), për të cilin hartoi një gjeografi të botës së njohur. Kjo vepër, e njohur si “Libri i Rogerit”, është e ndarë në shtatë zona klimatike. Ajo u përfundua në vitin 1154 dhe ofron disa informacione shumë të dobishme mbi Shqipërinë dhe Maqedoninë.

Ne mund të themi se territori venecian, toka e sllavëve dhe, në përgjithësi gjithçka që laget nga Deti Adriatik është e rrethuar si një zonë në anën lindore, nga një vargmal, i cili fillon 30 milje nga Adrianopoja (Edirne). Këta male quhen Lessu (Lezha) dhe në majë të tyre është një qytet me të njëjtin emër. Ata shtrihen në veri deri në Kastoria, dhe ka gjithashtu një varg të tyre përballë Drastit (Durrësit), përmes të cilëve kalon rruga që të shpie tek ai qytet. Atje, vargmali quhet al-Tamûra (Tomor). Tre lumenj që rrjedhin drejt Lablûnas (Vlora) dhe Durrësit, e kanë këtu origjinën e tyre. Lumi i parë, ai i Vlorës quhet Shuzza (Vjosa), i dyti quhet Dâblî (Devoll) dhe i treti quhet Istrîna (Drin). Më tej, vargmali shtrihet prej rrugës së Durrësit, deri 40 milje më lart, në Jâdhra (Zadar).

Nga pika më pranë Adrianopojës dhe qytetit të Janinës, ka një vargmal që shtrihet deri në gjirin e Detit të Peloponezit dhe përfundon 80 milje nga Teba. Naupaktosi është në bregdet, në rrëzë të këtij mali.

Gjithashtu mali i Lezhës, që e kemi përmendur, ndodhet 15 milje larg nga Durrësi. Janë 30 milje nga qyteti i Lezhës deri në Duljîna (Ulqin), përmes Adriatikut. Dhe prej aty deri në mal, janë edhe 12 milje.

Ky varg malesh shtrihet fillimisht pranë Antibras (Bar), një qytet i vogël i ndërtuar në një anë kodre, 3 milje larg nga deti, aq sa dhe mali; së dyti, Qadara (Kotori), një vend që ndodhet 3 milje larg nga malet, në skajin e njërit prej vargmaleve; dhe së treti në qytetin e Ragusas (Dubrovnikut), që ndodhet gjithashtu në skajet e vargmalit.

Përballë qytetit të Kotorit, për të cilin kemi folur, dhe përtej maleve në një distancë 15 milje ndodhet Qâmyû (i panjohur), një qytet i lulëzuar pranë një vargu malesh që e rrethojnë në formën e një kâf-i (gërma e 22-të e alfabetit arab), aq sa mund të shkosh drejt tij vetëm nga njëra anë.

Vargu i maleve vazhdon drejt Stagnos (Ston). Më tej, vazhdon drejt Asbâlatû (Split)…

Mes Detit Adriatik dhe ngushticës së Adrianopojës ka shumë vende të famshëm, qytete dhe kryeqytete. Ne synojmë që, me ndihmën e Zotit, t’i përshkruajmë me hollësi dhe sipas rendit. Kështu që, mendojmë se rruga nga Durrësi deri në Akhrisopoli (Chrysoupolis) është si vijon.

Nga Durrësi, në brigjet e Detit Adriatik, duke udhëtuar nga toka në drejtim të Kostandinopojës,  fillimisht mbërrin në Petrelë, në një distancë prej dy ditësh. Prej aty, në një distancë prej katër ditësh është Okhrida (Ohri). Ky qytet është i spikatur, prej rëndësisë që ka begatia dhe tregtia e tij. Eshtë i ndërtuar jo larg prej një liqeni të madh, ku peshkojnë me varka. Ka shumë tokë të kultivuar përreth liqenit, që ndodhet në jug të qytetit. Perimetri i tij është pak më shumë se 3 ditë.

Eshtë një distancë prej 2 ditësh nga këtu në Bûlghû (Polog / Tetovë), një qytet i vogël i vendosur në majën e një mali të lartë. Në një ditë distancë prej këtu, duke udhëtuar në verilindje, ndodhet Asqûfia (Shkup), një qytet i madh i rrethuar së afërmi prej toke të kultivuar, vreshta dhe fusha pa fund./albanianhistory – Në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button