Analiza

Përshtatja me fazën tjetër të globalizimit

Vëllimi i shkëmbimeve digjitale të të dhënave është rritur 45-fish që nga viti 2005, dhe pritet që të rritet edhe 9-fish gjatë pesë viteve të ardhshme. Përdoruesit në të gjithë botën mund të dëgjojnë këngën më të fundit të Beoynce, menjëherë sapo del. Një prodhues në Karolinën e Jugut mund të përdorë platformën e tregtisë elektronike Alibaba për të blerë pjesë nga një prodhues kinez. Një vajzë e re në Kenia mund të mësojë matematikë përmes Akademisë Khan. Tetëdhjetë përqind e studentëve që kryejnë kurse në internet në Coursera jetojnë jashtë SHBA. Kjo formë e re e globalizimit digjital anon më shumë nga dija, se sa nga kapitali apo puna. Ajo kërkon lidhje në internet, dhe jo rrugë transporti detar. Ajo redukton barrierat e hyrjes, forcon konkurrencën, dhe ndryshon rregullat e kryerjes së biznesit

nga Laura Tyson, Susan Lund

BERKELEY – Përreth botës, shtetet po rimendojnë kushtet e angazhimit në tregtinë globale. Nuk është e gjitha gjë e keqe; në fakt, pranimi i efekteve telashendjellës të globalizimit në miliona punëtorë të ekonomive të përparuara, duhej të kish ndodhur me kohë. Por politikat e reja tregtare duhet që të bazohen në një kuptim syçelët të mënyrës si po evoluon globalizimi, dhe jo në një vizion që sheh prapa, në 30 vitet e fundit.

Globalizimi ka sjellë shumë të mira për botën. Studime nga McKinsey Global Institute (MGI) tregojnë se, falë rrjedhjes globale të mallrave, shërbimeve, financës, të dhënave dhe njerëzve, GDP botërore është mbi 10% më e lartë – 7.8 trilion dollarë vetëm në vitin 2014 – nga sa do të kish qenë, nëse ekonomitë do të kishin mbetur të mbyllura.

Shtetet që janë më të ndërlidhur, marrin pjesën më të madhe të kësaj vlere të shtuar. Për shembull, SHBA, që renditet e treta mes 195 vendeve të Indeksit të Ndërlidhjes të MGI, ka ecur relativisht mirë. Edhe ekonomitë e tregjeve në zhvillim kanë korrur përfitime të mëdha, duke përdorur industrializimin e orientuar nga eksportet, si një pedanë për rritjen e shpejtë ekonomike.

E megjithatë, edhe pse globalizimi ka ngushtuar pabarazinë mes vendeve, ai edhe ka përkeqësuar një pjesë të pabarazisë brenda tyre. Nga 1998 deri në 2008, klasa e mesme në ekonomitë e përparuara nuk ka përjetuar rritje të të ardhurave, ndërkohë që të ardhurat janë shtuar me pothuaj 70% për ata që ndodhen në majë të shpërndarjes globale të të ardhurave. Ata që fitojnë më shumë në SHBA, e që zënë gjysmën e 1 përqindëshit të më të pasurve të botës, kanë përftuar një pjesë domethënëse të fitimeve të globalizimit.

Kjo nuk është e gjitha rezultat i globalizimit. “Fajtori” kryesor është ndryshimi teknologjik, që automatizon detyrat rutinë, ndërkohë që rrit kërkesën (dhe pagat) për punëtorë me aftësi të mëdha. Por konkurrenca e importeve dhe tregu i vendeve të punës nga ekonomitë në zhvillim, gjithashtu kanë luajtur një rol. Ndoshta më e rëndësishmja, ato kanë qenë shënjestra të frikës dhe pakënaqësisë së votuesve.

Në të vërtetë, në industritë dhe rajonet që janë goditur më fort prej konkurrencës së importeve, vite të shtimit të pakënaqësisë tashmë kanë arritur kulmin, duke nxitur kështu mbështetjen për popilistët që premtojnë të zhbëjnë globalizimin. Por, teksa ekonomitë e përparuara riformulojnë politikën tregtare, është kritike që ato të kuptojnë se globalizimi po kalonte tashmë një transformim të madh strukturor.

Që nga kriza financiare globale, lëvizja ndërkufitare e kapitalit ka rënë, teksa bankat janë sprapsur, në përgjigje të rregullave të reja. Nga viti 1990 deri në 2007, tregtia globale u rrit dy herë më shpejt se sa GDP globale; që nga viti 2010, rritja e GDP ka parakaluar atë të tregtisë.

Si forca ciklike, edhe forca sekulare janë prapa këtij ngadalësimi të tregtisë. Investimet kanë qenë anemike prej vitesh. Rritja ekonomike e Kinës është ngadalësuar – një tendencë që nuk ka gjasë të përmbyset. Dhe ekspansioni i zinxhirëve globalë të ofertës duket se ka arritur kufirin maksimal të eficencës. Shkurt, tregtia globale më e ngadaltë duket se do të jetë normalja e re.

Të gjithë këto nuk do të thonë se globalizimi është në tërheqje. Ai po bëhet një fenomen më digjital. Vetëm 15 vjet më parë, shkëmbimet digjitale ndërkufitare ishin pothuaj joekzistente; sot ato kanë një impakt më të madh mbi rritjen ekonomike globale, se sa lëvizjet tradicionale të mallrave të tregtueshme.

Vëllimi i shkëmbimeve digjitale të të dhënave është rritur 45-fish që nga viti 2005, dhe pritet që të rritet edhe 9-fish gjatë pesë viteve të ardhshme. Përdoruesit në të gjithë botën mund të dëgjojnë këngën më të fundit të Beoynce, menjëherë sapo del. Një prodhues në Karolinën e Jugut mund të përdorë platformën e tregtisë elektronike Alibaba për të blerë pjesë nga një prodhues kinez. Një vajzë e re në Kenia mund të mësojë matematikë përmes Akademisë Khan. Tetëdhjetë përqind e studentëve që kryejnë kurse në internet në Coursera jetojnë jashtë SHBA. Kjo formë e re e globalizimit digjital anon më shumë nga dija, se sa nga kapitali apo puna. Ajo kërkon lidhje në internet, dhe jo rrugë transporti detar. Ajo redukton barrierat e hyrjes, forcon konkurrencën, dhe ndryshon rregullat e kryerjes së biznesit.

Mendoni veprimtarinë e eksportit, që dikur dukej e pakapshme për bizneset e vogla, të cilave u mungonin burimet për të kërkuar mundësi në nivel ndërkombëtar. Tani, platforma digjitale si Alibaba dhe Amzon u mundësojnë edhe sipërmarrësve të vegjël që të lidhen direkt me klientë dhe furnizues kudo në botë, duke u transformuar në “mikro-shumëkombëshe”.

Facebook vlerëson se 50 milionë biznese të vogla janë në platformën e vet, nga 25 milion që ishin në vitin 2013; 30% e fansave në Facebook të këtyre kompanive janë nga shtete të tjera.

Ndërkohë që teknologjitë digjitale u hapin dyer kompanive të vogla dhe individëve që të marrin pjesë në ekonominë globale, nuk ka garanci që numra të mjaftueshëm do të ecin nëpër to. Kjo do të kërkojë politika që i ndihmojnë ata të shfrytëzojnë shanset e reja që ofrojnë tregjet.

SHBA është tërhequr nga Marrëveshja e Partneritetit të TransPaqësorit, (MPTP) por shumë prej çështjeve që ajo adresonte, ende kërkojnë rregulla globale. Kërkesat për lokalizimin e të dhënave dhe proteksionizmi janë në rritje, dhe privatësia e të dhënave si dhe siguria kibernetike janë shqetësime të mëdha. Në mungesë të MPTP, do të jetë shumë e rëndësishime që të gjenden mjete të tjera për hartimin e parimeve të reja të tregtisë digjitale në shekullin 21, duke vënë më shumë theksin në mbrojtjen e pronësisë intelektuale, shkëmbimet ndërkufitare të të dhënave, dhe tregtinë në shërbime.

Në të njëjtën kohë, ekonomitë e përparuara duhet të ndihmojnë punëtorët që të sigurojnë aftësitë që u nevojiten për të plotësuar vende pune që kërkojnë kualifikime të larta në ekonominë digjitale. Mësimi përgjatë gjithë jetës nuk mund të jetë vetëm një sllogan; duhet bërë realitet. Ritrainimi në mesin e karrierës duhet të jetë i disponueshëm jo vetëm për ata që kanë humbur vendet e punës për shkak të konkurrencës së huaj, por edhe për ata që e gjejnë veten pa punë, për shkak të marshimit të pandalshëm të automatizimit.

Programet e trainimit duhet të jenë në gjendje të ngulisin aftësi të reja brenda pak muajsh, jo vitesh, dhe duhet të plotësohen me programe që mbështesin të ardhurat e punonjësve gjatë ritrainimit, si dhe që i ndihmojnë ata të zhvendosen për të bërë punë më produktive.

Shumica e ekonomive të përparuara, përfshirë SHBA, nuk u janë përgjigjur si duhet nevojave të komuniteteve dhe individëve që ka lënë pas globalizimi. Adresimi i këtyre nevojave ka sot rëndësi parësore. Përgjigjet efektive do të kërkojnë politikë që i ndihmojnë njerëzit të përshtaten me të tashmen, si dhe shfrytëzojnë shanset e të ardhmes, në fazën tjetër të globalizimit digjital.

Botuar ekskluzivisht nga www.bota.al me autorizim nga Project Syndicate, 2017. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate – Adapting to the New Globalization

Leave a Reply

Back to top button