Histori

PERSONAZH / Ratko Mlladic: Fytyra e urryer e spastrimit etnik

Cili ishte vërtetë në atë pikë Ratko Mlladic? Remondino e kujton kështu: “I gjatë dhe i bëshëm, oficeri klasik i karrierës. Një tip që duhej marrë me të butë, edhe pse në atë kontekst fanatikësh me uniformë, mes të cilëve udhëhiqte “psikiatri i marrë” Karaxhic, Mlladic mund të dukej një njeri normal. Shumë prej pjesëmarrësve në atë grup ishin njerëz të trazuar, të traumatizuar nga lufta. Nëna dhe i ati i Miloshevic, për shembull, ishin vetëvrarë. Edhe e bija e Mlladic, Ana, në vitin 1994 ishte vetëvrarë. Dhe ka nga ata që thonë se e kreu vetëvrasjen kur mësoi për bëmat e babait të saj”

RatkoScheveningen, Holandë, burgu special i Kombeve të Bashkuara. Kriminelët jugosllavë të luftës të kapur nga drejtësia ndërkombëtare janë të gjithë aty. Dhe po aty, prej pak më pak se një viti, në një qeli 15 metra katrorë ndodhet i burgosuri numër 37: Ratko Mlladic. Një shtatëdhjetëvjecar me shëndet plot pasiguri është ajo cfarë mbetet nga udhëheqësi më i përgjakshëm ushtarak i Ballkanit: krahu i armatosur i spastrimit etnik, strateg i vuajtjeve të Sarajevës, i ripagëzuar “xhelati i Srebrenicës” pas masakrës së mijëra myslimanëve, e kryer nga trupat e tij në qytetin boshnjak (1995). “Kufijtë janë shenjuar gjithmonë me gjak, dhe kombet janë kufizuar gjithmonë nga varret”, thoshte shpesh ky njeri që në jetë ka veshur më shumë uniforma se sa veshje civile.

Fëmijëri e trazuar

Lufta dhe gjaku shenjuan që në fillim ekzistencën e tij. Lindi në vitin 1943 në Kalinovik (në jug të Sarajevës) dhe kur ishte vetëm 2 vjec ushtashiat, fashistët kroatë, i vranë babanë që militonte mes partizanëve të Marshallit Tito, babai i Jugosllavisë. Nëna rriti tre fëmijë dhe ajo fëmijëri u karakterizua nga varfëria dhe vuajtjet. Pas shkollës fillore u mor me punë të atykëtushme dhe hyri në shkollën ushtarake. Vazhdoi me akademinë dhe kurset zyrtare, duke përfunduar me maksimumin e notave. Prej atëherë, rruga e tij ishte vetëm me uniformë.

Si ushtarak ishte i zoti. Në 1990, kur Jugosllavia komuniste u shpërbë, kishte arritur gradën e kolonelit. Dhe roli i tij erdhi duke u rritur bashkë me tensionet në Ballkan, teksa gadishulli u zhyt në konfliktin më të përgjakshëm europian që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Mlladic përqafoi ideologjinë e Beogradit dhe filozofinë e “Serbisë së Madhe”, e hedhur nga presidenti Slobodan Miloshevic: territoret e banuar nga serbë nuk duhej të dilnin nga orbita e Federatës jugosllave. Në vitin 1991 ai ishte në Dalmaci, duke komanduar Trupin e IX të Armatës së Ushtrisë popullore kundër secesionistëve kroatë. Por që nga një vit më vonë, skena e tij do të bëhej Bosnje-Hercegovina amtare.

Spastrim etnik

Pikërisht aty tensionet mes “boshnjakëve”, domethënë boshnjakëve myslimanë (atëherë 44% e popullsisë) dhe serbo-boshnjakëve (31%) si dhe kroato-boshnjakëve (17%) shpërthyen në një luftë të tmerrshme.

“Tre armata të ndryshme përshkonin këto toka me raprezalje të kryqëzuara, secila me grupe paramilitarësh që thernin njerëz dhe i gjymtonin”, tregon Ennio Remondino, një i dërguar special për një kohë të gjatë i RAI-t në Ballkan. “Parimi udhëheqës ishte spastrimi etnik, një koncept i lashtë sa lufta. Megjithatë, është krim ndaj të vërtetës që të thjeshtësosh duke thënë që “të këqinjtë” ishin ndoshta nga të gjithë anët”.

Rrethimi

Pak muaj më vonë, në territoret me shumicë serbe lindi Republika Srpska, dhe presidenti i sapozgjedhur si dhe kreu i forcave të armatosura, Radovan Karaxhic, emëroi Mlladicin komandant të përgjithshëm të ushtrisë. Jetimi i Kalinovikut ishte ende për të gjithë një udhëheqës ushtarak karizmatik me dhjetëra mijëra ushtarë nën urdhërat e tij. Vepra e tij e parë ishte rrethimi i Sarajevës, më i gjati i historisë së kohëve të fundit: mes bombardimeve dhe sulmeve të snajperëve, në pothuajse katër vite gjetën vdekje më shumë se dhjetë mijë civilë.

Cili ishte vërtetë në atë pikë Ratko Mlladic? Remondino e kujton kështu: “I gjatë dhe i bëshëm, oficeri klasik i karrierës. Një tip që duhej marrë me të butë, edhe pse në atë kontekst fanatikësh me uniformë, mes të cilëve udhëhiqte “psikiatri i marrë” Karaxhic, Mlladic mund të dukej një njeri normal. Shumë prej pjesëmarrësve në atë grup ishin njerëz të trazuar, të traumatizuar nga lufta. Nëna dhe i ati i Miloshevic, për shembull, ishin vetëvrarë. Edhe e bija e Mlladic, Ana, në vitin 1994 ishte vetëvrarë. Dhe ka nga ata që thonë se e kreu vetëvrasjen kur mësoi për bëmat e babait të saj”.

Sulmi

Në vitin e fundit të luftës fama e Mlladic u lidh me një emër të vetëm: Srebrenicën, qyteza e Bosnjes lindore ku Kombet e Bashkuara kishin krijuar një zonë të mbrojtur me afro 20 mijë myslimanë të zhvendosur. Në 11 korrik 1995 forcat serbo-boshnjake hynë në periferinë e Potocarit, ku në një ish fabrikë baterish ishin strehuar refugjatët dhe aty nisi ferri: vetëm gratë dhe fëmijët u kursyen, ndërkohë që të rriturit dhe adoleshentët e seksit mashkull u morën me kamionë për t’u ekzekutuar me mijëra në fshatrat përreth. “Kam qenë i pari gazetar perëndimor që vura këmbë në Srebrenicë pas masakrës”, rrëfen Remondino. “Isha në Sarajevën e rrethuar kur në radio nisën të mbërrijnë lajmet e sulmit. Pas dhjetëra ditësh mora nga Karaxhic lejën për të shkuar në vend, natyrisht bashkë me ndonjë prej “qenve të tij të rojës”. Unë, kameramani dhe përkthyesi plus një trupë e CNN. Pamjet e para që pa bota ishin tonat: qyteti i shkatërruar, minareja dhe xhamia të rrafshuara. Natyrisht, nuk kish të vdekur vërdallë, zona ishte “bonifikuar”. Megjithatë kishte dicka që pamjet nuk mund ta tregojnë: era. Një erë e frikshme vdekjeje dhe dekompozimi”.

Shifrat zyrtare flasin për 8372 viktima. Genocidi – kështu do ta shpallte në 2001 në Hagë Gjykata Ndërkombëtare për krimet e luftës në ish Jugosllavi – u krye në një kohë kur kaskat blu në shumicë holandeze nuk lëvizën as gishtin. “Në fillim nuk carmatosën luftëtarët boshnjakë që, të fshehur mes shumicës civile të paarmatosur, kishin kryer sulme ndaj fshatrave serbë përreth. Pastaj, në korrik, nuk ndërhynë gjatë raprezaljes serbo-boshnjake të Srebrenicës”.

Dhe Mlladic? “Prania e tij në vend është e dokumentuar, ka filmime ku shfaqet duke përkëdhelur duke i dhënë siguri kokën e një fëmije”. Por puna e xhelatit nuk kishte përfunduar. Në tre vite luftë “gjendja e shërbimit” e milicive të Mlladicit si dhe mbështetësit e tyre, Tigrat famëkeqë të Arkanit u pasurua me masakra të tjera të civilëve dhe grabitjet në masë.

Në arrati

Në nëntor të vitit 1995 marrëveshjet e Daytonit (SHBA) i dhanë fund luftimeve dhe menjëherë u vu në lëvizje drejtësia ndërkombëtare. Ylli i Mlladicit, tashmë në kërkim, po perëndonte. Por vetëm një vit më vonë, me vendim të presidentes së Republikës Serbë të Bosnjes Biljana Plavshik, ai la komandën e ushtrisë. Filloi një fshehje e gjatë me bashkëpunimin e politikanëve, biznesmenëve dhe ish ushtarakëve që për llogari të tij merrnin me qera apartamente si dhe blinin furnizime apo karta celularësh. Në Bosnje, territoret e papërshkueshëm nuk ndihmonin kërkimet ndërkohë që në Beograd, ku thuhet s ejetonte i mbrojtur nga njerëz të shërbimit të fshehtë serb, ishte praktikisht i shtëpisë. I kërkuar më kot nga Karla del Ponte, Prokurorja e Gjykatës së Hagës, Mlladic shihej herë në një vend e herë në një vend tjetër. “Unë vetë”, zbulon Remondino, “kam treguar për rrëfimin e një personi të besueshëm që më thoshte se e kishte takuar në një restorant luksoz në Beograd, me flokët e lyer me ngjyrë të kuqe dhe i ndjekur nga një truprojë”. Në vitin 2006, në Gjykatën e Hagës filloi procesi i përbashkët për të dhe për Karaxhic, ndërkohë që familja u përpoq më kot ta shpallë të vdekur (deri një vit më parë, megjithatë, “kufoma” merrte pensionin ushtarak).

Kjo jetë në fshehje mori fund në 26 maj 2011, kur Mlladic u arrestua pas një telefonate anonime dhe u ekstradua në Hagë, ku Karaxhic ndodhej prej vitit 2008. U tradhëtua nga siguria e tepruar? Apo Serbia vendosi të mos ishte më “peng” e ish paladinit të saj: një prej kushteve për të hyrë në BE ishte në fakt dorëzimi i kriminelëve të luftës.

Paradokse

Dëgjesat paraprake në Gjykatën e Hagës, në 2011, u zhvilluan në një klimë surreale: Mlladic, që mbronte “luftën e drejtë” sipas tij dhe ngrinte zërin me familjarët e viktimave. Procesi për genocid, krime lufte dhe kundër njerëzimit do të nisë në 14 maj. Në aktet e procesit janë dhe ditarët e tij: më shumë se 3500 faqe të mbushura me delire mbi nevojën për “të hequr qafe popullsinë myslimane”. Në pritje për t’u kthyer në bangën e të akuzuarit, “xhelati” jeton në atë që Remondino e quan “Jugosllavia e vogël” në Scheveningen. “Nëse i burgosuri Ante Gotovina, ish gjeneral kroat dhe masakrues i serbëve, feston ditëlindjen, fton për të festuar edhe armiqtë e djeshëm. Apo ka kriminelë lufte myslimanë dhe ortodoksë që dërgojnë urime në festat reciproke. Të gjithë, me uniforma të dënuarish, që i rrahin shpatullat njëri-tjetrit. Pas mijëra të vdekurve, është me të vërtetë groteske”. /Storica/

PERSHTATI: BOTA.AL

Leave a Reply

Back to top button