HistoriHorizonti.al

Personazhe historikë, eshtrat e të cilëve shkaktojnë ende debat

Ashtu si diktatori spanjoll Francisco Franco, eshtrat e të cilit do të zhvarrosen së shpejti për t’u transferuar jashtë mauzoleut ku prehen prej 1975, historia ka parë personazhe që kanë ndarë ose provokuar debate edhe shumë kohë pas vdekjes së tyre.

Josef Stalin. Pas vdekjes së tij në 1953, Stalini u varros në mauzoleun e Leninit në Moskë. Në vitin 1961 gjatë periudhës së destalinizimit, eshtrat e ish – udhëheqësit sovjetik u zhvendosën në një varr më modest në afërsi të Kremlinit. Varri i tij ende mbetet një vend pelegrinazhi për nostalgjikët e Bashkimit Sovjetik.

Nicolae Ceausescu. Pas shtypjes me dhumë të manifestimeve kundër regjimit të tij, diktatori rumun, Nicolae Ceausescu dhe bashkëshortja e tij, Elena u kapën, u gjykuan dhe u pushkatuan në 25 dhjetor 1989 në një kazermë në veri të kryeqytetit, Bukuresht. Para një kërcënimi se mos dhunoheshin varret e tyre, u varrosën në varre me emra të rremë. Emrat e vërtetë u shkruan kohë më vonë. Përgjatë viteve të fundit është rritur nostalgjia në Rumani për periudhën komuniste, një ndjenjë e forcuar nga gjendja e përgjithshme  aktuale që ka shkaktuar klasa politike. Në janar të këtij viti ndjekës të Ceausescu-t u mblodhën para varrit me mermer të kuq në varrezat e Ghencea në Bukuresht për të përkujtuar 100 vjetorin e lindjes.

Enver Hoxha. Udhëheqësi komunist, Enver Hoxha vdiq në 1985 pasi kishte drejtuar Shqipërinë me një dorë të fortë përgjatë 40 viteve. Ishte parashikuar që ta varrosnin në një mauzole në formë piramide në qendër të kryeqytetit, Tirana, por në fund e varrosën në Varrezat e Dëshmorëve me një varrim të ndjekur nga mijëra njerëz. Pas rënies së komunizmit në Shqipëri, eshtrat e Hoxhës u zhvarrosën dhe u varrosën në një varrezë në periferi të Tiranës. I shndrruar për një kohë në një qendër kulturore mauzoleu piramidal gjendet aktualisht në rrënoja.

Muamar  Gadafi. I rrëzuar në tetor të 2011 në mesin e një rebelimi dhe ndërhyrje perëndimore në Libi, diktatori Muamar Gadafi u varros në një vend sekret në shkretëtirë pas një ceremonie fetare. Ishte një vendim i marrë për të evituar që simpatizantët e Gadafit të pelegronin për në varrin e tij.

Sadam Husein. Ishte në pushtet qysh prej 1979. Sadam Husein u burgos në 2003 në një vend sekret nga amerikanët. E mbajtën të burgosur deri në ekzekutimin e tij në 30 dhjetor 2006 për krime kundër njerëzimit. Trupi u varros në një mauzole që ishte ndërtuar në vendin e tij të lindjes, në Auja. Ky vendvarrim u shndrrua në një vend bashkimi të familjarëve të tij dhe të ndjekësve, por në vitin 2014 u shkatërrua nga rrethana jo shumë të qarta. Disa pohojnë se u bombardua nga aviacioni iraken, të tjerë thonë se iu vu dinamiti. Nuk dihet nëse trupi i Sadamit gjendet ende mes rrënojave të këtij mauzoleu, nëse i zhvarrosën para shkatërrimit apo nëse është dhunuar më vonë.

Haile Selassie. Eshtrat e Haile Selassie-s, perandorit të fundit të Etiopisë u gjendën në një gropë në kryeqytetin  Adis Abeba ku i hodhën udhëheqësit e revolucionit të 1974. 25 vite më vonë pas vdekjes së tij misterioze, Selassie u varros në vitin 2000 në një kishë në Adis Abeba në prezencë të familjes së vet.

Rudolf Hess. Eshtrat e Rudolf Hess-it, krahut të djathtë të Hitlerit, i cili vdiq në burg në 1987 u zhvarrosën fshehtazi në 21 korrik 2011. Varri i tij në Bavari, në jug të Gjermanisë u shkatërrua për ta prishur këtë vend si vend pelegrinazhi për grupet neonaziste gjermane. Mbetjet u transferuan në një arkivol që u dogj dhe hiri u hodh në det. Zhvarrosja e trupit të Hess-it u bë një muaj para përvjetorit të tij të vdekjes, pa informuar shtypin dhe pa kërkuar autorizim nga familja e këtij nazisti. / Përgatiti: bota.al

Leave a Reply

Back to top button