Analiza

Përtej Michael Flynnit. Lidhjet e tjera mes Shtëpisë së Bardhë dhe Kremlinit

“Këshilltari për Sigurinë Kombëtare i Presidentit Trump, Michael Flynn, pati një javë fatkeqe”, shkruan Ishan Tharor në të përditshmen amerikane, Uashington Post, gazeta e cila botoi e para të dhënat për skandalin e mundshëm që implikonte Flynnin. Artikulli në Uashington Post zbuloi se Flynn, në kundërshtim me pohimet e mëparshme të tij dhe të Shtëpisë së Bardhë, kishte diskutuar për sanksionet e SHBA kundër Rusisë, me ambasadorin e Moskës në Uashington, para inaugurimit të Donald Trumpit. Flynn, sipas burimeve të inteligjencës, me gjasë sinjalizoi se çështja e sanksioneve do të rishikohej nga një administratë Trump, më miqësore.

Diskutimet sugjerojnë një nivel shqetësues marrëveshjesh të fshehta mes një figure kyçe në administratën e re dhe Kremlinit. Ndërkohë që shumë gjëra në lidhje me telefonatën mbeten të panjohura, është e qartë se pozicioni i Flynnit në Shtëpinë e Bardhë u dobësua shumë. Në fundjavë, Trumpi pretendoi se nuk dinte asgjë për intrigën që rrethonte Flynnin. Burime të sigurta bënë të qartë se kjo nuk ishte e vërtetë.

Sipas Uashington Post, duke lënë mënjanë ujditë e Flynnit me Rusinë, ka lidhje të tjera më të thella që lidhin administratën aktuale me Kremlinin.

Së pari, të tjera informacione pritet të dalin në lidhje me përfshirjen e Rusisë në zgjedhjet e vitit që kaloi, teksa agjencitë ligjzbatuese në SHBA janë gjithnjë e më të sigurta se Moska punoi aktivisht për ta ndihmuar Trumpin të fitonte. Tani, zyrtarë të Pentagonit thonë se ata mendojnë që Putini “ka veshë në Shtëpinë e Bardhë”, që nga inaugurimi i Donald Trumpit, sipas ish oficerit të kundërzbulimit, John Schindler.

Por, përtej intrigave me spiunë, ka edhe një afërsi ideologjike. Kanë ikur kohët kur Moska komuniste mbështeste qeveritë e majta përreth botës”, shkruan Uashington Post. Sipas Tharoor, ideologët postsovjetikë të Putinit, e shohin Rusinë si pararojë të konservatizmit kristian nacionalist. Dhe në këtë pikë kanë një kauzë të përbashkët me partitë e ekstremit të djathtë në Europë, si dhe disa figura të rëndësishme të administratës së Trumpit.

Në vitin 2014, kryestrategu aktual në Shtëpinë e Bardhë, Stephen K. Bannon tha në një takim me konservatorë europianë, se “ne, Perëndimi judeo-kristian, duhet të shohim nga ato që thotë Putini, sa i përket tradicionalizmit – sidomos aty ku ai mbështet bazat e nacionalizmit”.

Sipas Uashington Post, “tradicionalistët perëndimirë” në Europë apo në SHBA, sot e shohin Putinin si bashkëudhëtarin e tyre. Spektri i një elite “globaliste” ishte temë e zakonshme në fushatën e Trumpit.

Megjithatë, skandali Flynn dhe trazirat në Shtëpinë e Bardhë mund ta përmbysin këtë panoramë. Përtej një niveli bazë bashkëpunimi në zgjidhjen e konfliktit në Siri dhe mundjen e Shtetit Islamik, nuk ka shumë arena të tjera ku Amerika e Trumpit dhe Rusia e Putinit mund të jenë partnerë. Dhe kjo është sidomos e vërtetë në Europë, ku interesat tradicionale të Uashingtonit përplasen me armiqësinë e hapur të Moskës ndaj NATO-s dhe establishmentit liberal europian. /www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button