Ekonomi

Letra e pesë ekonomistëve: Po i kërkoni Greqisë ta drejtojë armën nga vetja, dhe të tërheqë këmbëzën

Pesë ekonomistë të njohur Thomas Piketty, Jeffrey Sachs, Heiner Flassbeck, Dani Rodrik dhe Simon Trumcak-Lewis, paralajmërojnë kancelaren gjermane: Historia do të kujtohet për veprimet tuaja këtë javë

Tani për tani, qeverisë greke po i kërkohet të vërë armën në kokë dhe të tërheqë këmbëzën. Mjerisht, plumbi do të vrasë jo vetëm të ardhmen e Greqisë në Evropë. Efekti anësor, do të jetë vrasja e eurozonës si një fener i shpresës, demokracisë dhe prosperitetit, çka mund të çojë në pasoja të rënda ekonomike në të gjithë botën

Screen Shot 2015-07-09 at 13.00.05

Masat e pafundme shtrënguese, që Evropa po imponon ndaj popullit grek, thjesht nuk po funksionojnë. Tashmë Greqia e tha me zë të lartë: Boll më!. Grupi i fushatës botërore “Avaaz” organizoi nisjen e kësaj letre të hapur për Angela Merkelin, në anën e pasme të një peticioni, të nënshkruar nga më shumë se gjysmë milionë evropianë, duke kërkuar dhënien fund të programit të dështuar të kursimit në Greqi.

Ndërsa shumica e botës e dinte se nuk kishte për të funksionuar, kërkesat financiare të bëra nga Evropa e dërrmuan ekonominë greke, duke shkaktuar papunësi masive, kolaps të sistemit bankar, dhe bërë krizën e borxhit të jashtëm shumë më keq, si dhe përshkallëzuar problemin e borxhit në një normë të papagueshme, prej 175 për qind e PBB-së. Ekonomia tashmë është e dërrmuar me prodhimin dhe punësimin në depresion, dhe bizneset e uritura për kapital. Impakti humanitar ka qenë i jashtëzakonshëm-40 përqind e fëmijëve tanimë jetojnë në varfëri, vdekshmëria foshnjore është shumë e lartë, dhe papunësia e të rinjve është afër 50 përqindëshit.

Korrupsioni, evazioni fiskal dhe menaxhimi i keq nga qeveritë e mëparshme greke, ndihmoi në krijimin e problemit të borxhit. Grekët ranë dakord me pjesën më të madhe të rekomandimeve tuaja për shkurtimin e pagave, shpenzimeve qeveritare, pensioneve, privatizimet dhe rritjen e taksave.
Por gjatë viteve të fundit, seria e të ashtuquajturave programe të rregullimit, i shkaktuan Greqisë një sërë problemesh të atilla, që ishin parë vetën në kohën e Depresionit të Madh në Evropë, në vitet 1929- 1933. Ilaçi i përshkruar nga Ministria gjermane e Financave dhe Brukseli e gjakosi pacientin, por nuk ia shëroi dot sëmundjen.

Së bashku, ne e nxisim kancelaren Merkel dhe Trojkën, që të marrin në konsideratë një korrigjim të kursit, për të shmangur katastrofën e mëtejshme dhe mundësuar që Greqia të mbetet në eurozonë. Tani për tani, qeverisë greke po i kërkohet të vërë armën në kokë dhe të tërheqë këmbëzën. Mjerisht, plumbi do të vrasë jo vetëm të ardhmen e Greqisë në Evropë. Efekti anësor, do të jetë vrasja e eurozonës si një fener i shpresës, demokracisë dhe prosperitetit, çka mund të çojë në pasoja të rënda ekonomike në të gjithë botën.

Në vitet ‘50, Evropa u themelua mbi faljen e borxheve të kaluara, sidomos atyre që kishte Gjermania, e cila gjeneroi një kontribut të madh në paqen dhe rritjen ekonomike të pasluftës. Sot ne kemi nevojë të ristrukturojmë dhe reduktojmë borxhin grek, t’i japim frymëmarrje ekonomisë për t’u rimëkëmbur, dhe lejuar Athinën të paguajë një barrë të reduktuar të borxhit, përgjatë një periudhe të gjatë kohore.

Tani është koha për një rishikim human të programit ndëshkues dhe të dështuar të kursimit të viteve të fundit, dhe për të rënë dakord mbi një reduktim të madh të borxheve të Greqisë, në lidhje me reformat aq të nevojshme në atë vend.

Ndaj kancelares Merkel, mesazhi ynë është i qartë; ne ju nxisim të ndërmerrni këtë veprim jetik për lidershipin e Greqisë dhe Gjermanisë, si dhe për mbarë botën. Historia do të kujtohet për veprimet tuaja të kësaj jave. Ne presim dhe kemi besim, se ju do të ndërrmeni hapa të guximshëm dhe bujare ndaj Greqisë, gjë që që do t’i shërbejë Evropës për brezat që do të vijnë. Sinqerisht,

Heiner Flassbeck, ish-sekretari i shtetit në Ministrinë Federale Gjermane të Financave

Thomas Piketty, Profesor i Ekonomisë në Shkollën e Ekonomisë në Paris
Jeffrey D. Sachs, Profesor i Zhvillimit të Qëndrueshëm, Politikës dhe Menaxhimit Shëndetësor, si dhe Drejtor i Institutit të Tokës në Universitetin e Kolumbias, SHBA.

Dani Rodrik, profesor i Politikave Ekonomike Ndërkombëtare në Harvard Kennedy School Simon Wren-Lewis, Profesor i Politikave Ekonomike në Universitetin e Oksfordit

The Nation – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button